Foto ilustruese

Bota

‘Do numërojmë një për një shufrat’, gjermanët të ‘trembur’ për 1,236 ton ar të ruajtur në Nju-Jork

8 Prill, 20:29| Përditesimi: 8 Prill, 20:33

  • Share

Gjermania zotëron një nga rezervat më të mëdha të arit në botë, me rreth 1.236 ton, me vlerë mbi 113 miliardë euro.Një pjesë e madhe e këtij ari ruhet në bodrumet e Rezervës Federale të Shteteve të Bashkuara, në Nju-Jork.

Megjithatë, për shkak të klimës ekonomike të pasigurt dhe tensioneve politike me SHBA-në, po shtohen zërat në Berlin që ngrenë pikëpyetje për sigurinë e kësaj rezerve.

Disa politikanë gjermanë kanë nisur të shprehin hapur shqetësimet e tyre. Deputeti në largim i CDU-së, Marco Wanderwitz, thekson se Gjermania duhet të jetë më e pavarur në menaxhimin e pasurisë së saj kombëtare.

Nga ana tjetër, eurodeputeti Markus Ferber (CSU) kërkon kontrolle më të rrepta: “Përfaqësuesit e Bundesbank duhet të shkojnë fizikisht në SHBA, të numërojnë shufrat e arit dhe të dokumentojnë gjithçka”.

Edhe eksperti ekonomik Björn Brey nga Shkolla Norvegjeze e Ekonomisë, sugjeron se ruajtja e gjithë arit në SHBA është një risk i panevojshëm.

“Do të ishte më e mençur që Gjermania të shiste gradualisht një pjesë të arit, veçanërisht tani që çmimi i tij është i lartë,” tha ai, duke kujtuar se Norvegjia shiti arin e saj në vitin 2003 për të forcuar rezervat valutore.

Megjithatë, guvernatori i Bankës Qendrore Gjermane, Joachim Nagel, ka hedhur poshtë çdo shqetësim. “Kemi besim të plotë te partnerët tanë në Nju-Jork. Nuk ka asnjë arsye për alarm,” tha ai.

Pas Luftës së Dytë Botërore, Gjermania filloi të rindërtojë rezervat e saj të arit, të cilat u ruajtën në vende të ndryshme për arsye strategjike dhe historike.

Një pjesë e konsiderueshme e këtyre rezervave u depozitua në Bankën Federale të Rezervave në Nju Jork. Kjo praktikë kishte disa arsye kryesore:​

Siguria gjatë Luftës së Ftohtë: Gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, ekzistonte frika se Bashkimi Sovjetik mund të pushtonte Gjermaninë Perëndimore.

Për të mbrojtur pasuritë kombëtare nga një skenar i tillë, Gjermania vendosi të ruante një pjesë të madhe të arit të saj në vende të sigurta jashtë vendit, si SHBA-ja.

Lehtësia e transaksioneve ndërkombëtare: Nju Jorku është një nga qendrat kryesore të tregtisë së arit dhe valutave. Duke pasur arin e saj të ruajtur atje, Gjermania mund të kryente më lehtë dhe më shpejt transaksione ndërkombëtare, duke e kthyer arin në valutë të huaj sipas nevojës. ​

Në vitin 2013, Banka Qendrore Gjermane (Bundesbank) nisi një plan për të rikthyer një pjesë të rezervave të arit në Frankfurt, me synimin që deri në vitin 2020, gjysma e rezervave të ruhej brenda vendit. Ky proces u përfundua me sukses tre vjet para afatit, në vitin 2017.

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Diaspora po vendos, sa përcaktuese do jetë vota nga jashtë më 11 maj?