ANGLI - Bota e sportit është tronditur nga lajmi tragjik i ndarjes nga jeta të legjendës së boksit britanik, Ricky Hatton, vetëm disa javë përpara rikthimit të tij të shumëpritur në ring. Lajmin e konfirmoi policia e Greater në Manchester.
“Mund të konfirmojmë se kemi gjetur një trup në një adresë në 'Boulacre Road' në Gee Cross në orën 06:45 të mëngjesit të sotëm, të dielën, 14 shtator. Vdekja nuk po trajtohet si e dyshimtë.”
Vdekja e 46-vjeçarit ka shkaktuar një valë reagimesh emocionale në rrjetet sociale dhe komunitetin sportiv në mbarë botën. Me nofkën “Hitman”, Hatton ishte një nga figurat më të dashura dhe më të ndjekura në historinë e boksit britanik.
“RIP Hitman,” shkruajtën fansat në rrjet, ndërsa figura të njohura publike si Piers Morgan thanë: “RIP Ricky ‘The Hitman’ Hatton, 46 vjeç. U gjet i vdekur në shtëpinë e tij në Manchester. Policia thotë se nuk ka rrethana të dyshimta. Një lajm jashtëzakonisht i trishtuar.”
Karriera e jashtëzakonshme në ring
Hatton hyri në boksin profesionist në vitin 1997 dhe e mbylli karrierën në 2012 me një rekord mbresëlënës; 45 fitore dhe vetëm 2 humbje, përballë emrave të mëdhenj si Floyd Mayweather Jr., Manny Pacquiao, Kostya Tszyu dhe Paulie Malignaggi. Ai ishte një kampion botëror në dy kategori peshash dhe një hero në Britani.
I lindur dhe rritur në Manchester, Ricky Hatton ishte një tifoz i flaktë i Manchester Cityt, shpesh i shoqëruar në ring me këngën “Blue Moon”. Nuk ishte e rrallë ta shihje të mbështetur nga figura të njohura si Noel dhe Liam Gallagher, David Beckham, Tom Jones dhe madje edhe yje të Hollywoodit si Brad Pitt dhe Angelina Jolie.
Beteja me errësirën dhe rikthimi në jetë
Pas tërheqjes nga boksi, Hatton përjetoi një periudhë të errët me depresion, abuzim me alkool dhe substanca të ndaluara , madje tentativa për vetëvrasje. Ai u trajtua në klinikën The Priory dhe më pas u bë një zë i fuqishëm për shëndetin mendor në sport.
Në vitin 2022, ai u rikthye për një ndeshje ekspozuese me legjendën meksikane Marco Antonio Barrera, që u konsiderua si një rikthim emocional dhe motivues për fansat.
Vetëm pak javë më parë, Hatton kishte shpallur një tjetër ndeshje ekspozuese, këtë herë në Dubai, më 2 dhjetor 2025, përballë boksierit Eisa Aldah.
“E di çfarë ndeshjesh mund të përballoj. Nuk jam aq budalla sa dukem,” kishte deklaruar me humor.
Një trashëgimi që do të jetojë gjatë
Ricky Hatton ishte baba i tre fëmijëve dhe së fundmi në një lidhje me aktoren Claire Sueeney, me të cilën kishte marrë pjesë në spektaklin “Dancing On Ice” në vitin 2024. Djali i tij, Campbell Hatton, tashmë ka nisur karrierën si boksier profesionist, duke ndjekur gjurmët e të atit.
Trashëgimia e Ricky Hatton do të jetojë jo vetëm në arritjet e tij në ring, por edhe në zemrat e miliona fansave që e panë më shumë se një kampion, por si një njeri të vërtetë, të fortë dhe të ndershëm, që luftoi brenda dhe jashtë ringut.
Ricky Hatton ka ndërruar jetë në moshën 46 vjeçare
Komente
