SHKODËR- Një 47-vjeçar ka rënë në pranga në Vaun e Dejës në Shkodër, pasi i janë gjetur 2 mijë fara kanabisi.
Në pranga ka rënë Ton allias Tonin Marku banues në Gjirokastër. Gjatë kontrollit fizik atij i janë gjetur 2 mijë fara kanabisi me qëllim shitjen për kultivim.
“Si rezultat i një hetimi proaktiv, të ndjekur për disa javë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës, pas informacioneve nga inteligjenca policore, për goditjen e një rasti të posedimit të farave të cannabisit që do të shiteshin me qëllim kultivimin, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës finalizuan operacionin policor të koduar "First step".
Gjatë operacionit u kap në flagrancë dhe u vu në pranga shtetasi Ton allias Tonin Marku, 47 vjeç, banues në Gjirokastër. Nga kontrolli fizik, shërbimet e Policisë i gjetën këtij shtetasi, 2000 fara cannabisi, të cilat synonte t’i shiste me qëllim kultivimin”, njofton policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.