Kombëtarja është sot në ditën e dytë të grumbullimit të saj në Barcelonë të Spanjës ku me ekipin janë bashkuar të gjithë lojtarët. Kuqezinjtë po zhvillojnë përgatitjet për tre ndeshjet e para eliminatore të Botërorit ku e para është me Andorën në datë 25. Në prag të të takimit kanë folur dy futbollistë kuqezinj, me Cikalleshin, i cili është shprehur se Andora është thikë me dy presa.
“Objektivi ynë i radhës, është si në aspektin personal dhe për ekipin, që ta nisim me këmbën e parë. Objektivi është të marrim një rezultat pozitiv në ndeshjen e parë. Është një ndeshje që duhet të vlerësohet shumë. Është një ekip më i dobët se ne, por nga historia, kemi pasur shumë situata që kemi pasur vështirësi,”-u shpreh Cikalleshi.
Më tej Cikalleshi foli për objektivin përfundimtar të kësaj fushate kualifikuese të Botërorit për të cilat deklaroi se do synohet vendi i dytë.
“Ne do të synojmë maksimumin, por duke parë Anglinë, ajo që na mbetet ne është që të shfaqim gjithçka në fushë. Ne do të provojmë gjithçka për 2 vendet e para, por edhe po të lëmë pas Hungarinë do jetë gjithashtu një hap i rëndësishëm,”-tha ai.
Ndërkohë pas shumë kohësh është rikthyer në kombëtare mbrojtësi i Reggiana-s Arlind Ajeti, i cili është shprehur se i kishte munguar mjaft grumbullimi me kuqezinjtë.
“Më ka munguar Kombëtarja. Në Serinë B, jemi të gjithë lojtarët që kemi luajtur rregullisht. Kemi besim se do dalim mirë në ndeshjen e ardhshme. Mua më duket se ka kaluar një kohë e gjatë që nuk luaj për Kombëtaren. Jam shumë i lumtur që jam rikthyer Kombëtarja ka qenë një grup i mirë, njëjtë si tani,”-u shpreh Ajeti.