Kryeministri Edi Rama ka ironizuar sërish Tomor Alizotin, drejtuesin politik të PD në Elbasan, pas deklaratës së këtij të fundit të bërë një ditë më parë se ‘do t’iu hamë të gjallë’.
“Një mesazh për ju që jeni cepave dhe u shkoni njerëzve nëpër shpia për t’ju marrë votat. Mos harroni që ne kemi mundur baballarët tuaj, që kishin tanke, polici dhe ushtri. Juve do t’ju hamë të gjallë! Ju maskarenj, do t’ju hamë të gjallë.”, dëgjohet të thotë Alizoti.
Rama ka ndarë një video me një bretkosa, insekte dhe majmun, teksa ka shkruar: “Vajmedet vajmedet… Mirë lajthitën e rrëshqitën po pse të tërë menjëherë, do thoshte Shvejku”.
Një ditë më parë, Rama komentoi këtë deklaratë nga Kuçova, teksa tha se kur dëgjon fjalë të tilla, kujton se për çfarë e përdorte fjalën “çyryk”.
“Po shihnim, kur po vinim me Ervinin, një video dhe po qeshnim. Mua ai më kujton Ludovikun, një personazh të filmave shqiptarë. Të kujtohet, me xhaketë me kuadrata? Edhe kështu i them unë atij Alizotit, edhe shikoj unë Ludovikun që bërtiste: ‘Do t’ju hamë të gjallë’. Tani, çfarë quhet ky? Ky quhet çyryk. Ishte një tjetër që thoshte se nën këtë qeveri kanë ikur 1 milion lekë. Donte të thoshte 1 milion njerëz. Ata thonë se janë njisha, po janë vërtet, por në atë sensin që po diskutojmë këtu. Njëri më jashtë loje se tjetri, njëri më i lodhur se tjetri. Çohen në mëngjes dhe pinë ujë kënete dhe nxjerrin stërkala kundër nesh. Kjo nuk është personale, kjo është politike. Kush nuk i thotë vetes çyryk, le të vijë të na e tregojë dhe të votojë pesën.” tha Rama.
Komente
