Drejtuesi politik i PD për qarkun e Elbasanit në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, Tomor Alizoti, të cilit Sali Berisha ia ngatërroi pozicionin e detyrës elektorale gjatë fjalës së tij në nisje, kërcënoi mazhorancën nga podiumi në mitingun përmbyllës në Librazhd-Prrenjas, se “do i hanin të gjallë”.
Teksa tha se zakonisht flet gjatë, por “meqë është doktori, do flas shkurt”, ai iu drejtua kundërshtarëve, duke i paralajmëruar që të mos preknin votën, pasi PD kishte mundur baballarët e tyre që kishin tanke dhe ushtri, e jo më socialistët e sotëm.
“Unë kam shumë qejf të flas, por kur është doktori, flas shumë shkurt. Më vjen mirë që Librazhdi dhe Prrenjasi është në shesh dhe ka vrarë frikën. Çdo e vërtetë ka nevojë për guximtarë dhe PD është partia e guximtarëve. Një mesazh për ju që jeni cepave dhe u shkoni njerëzve nëpër shpia për t’ju marrë votat. Mos harroni që ne kemi mundur baballarët tuaj, që kishin tanke, polici dhe ushtri! Juve do t’ju hamë të gjallë! Mos guxoni t’ju shkoni njerëzve natën në shtëpi, mos guxoni t’i prekni dhe kërcënoni, sepse liria e njerëzve është e shenjtë”, tha ai.
Dhe në fund, teksa i tha Berishës që të merrte fjalën pasi atë e kishin frikë më shumë, Alizoti përsëriti kërcënimin e tij, duke i quajtur kundërshtarët “analfabetë dhe maskarenj”:
“Nëse prekni demokratët, nëse vini mina, do ju ndjekim, s’do t’ju ndahemi kudo që të jeni. Do t’ju hamë të gjallë! Ju që doni të shkatërroni Shqipërinë, ju analfabetë, ju maskarenj! Doktor jepi sepse ty të kanë më shumë frikë!”, tha Alizoti, duke ia lënë radhën e fjalimit kreut të partisë, Sali Berisha.
Lajmi kryesor:
Berisha nga Elbasani: Denoncova Ramën në PPE, regjimi i tij armik i egër i votës së lirë! ‘Patronazhistët’ terroristë kriminalë
A.Q/SI.E./ReportTv.al
