Kronikë

“Do Zoti është gjallë, e presim në shtëpi”, përloten djemtë e Zyhdi Allushit: E pamë në kamera, ecte si i përhumbur (Reagon live shoku që kishte lënë takim)

6 Shtator 2021, 17:07| Përditesimi: 6 Shtator 2021, 17:28

  • Share

Sot në studio me moderatoren Odeta Dume u trajtua rasti i humbjes së Zyhdi Allushit, 80-vjeçarit i cili u largua nga shtëpia mëngjesin e 2 shtatorit në orën 09:00, me qëllimin për të takuar shokun e tij Dilaver Xhafa. Dilaveri po e ndihmonte prej kohësh Zyhdi Allushin që të plotësonte disa dokumente për të kaluar tokën në emër të djemve. 

Mirëpo mëngjesin e 2 shtatorit, ai nuk shkoi drejt Kavajës, por mori rrugën e kundërt. Pamjet e regjistruara nga kamerat e sigurisë e kapën atë në urën e Draxhit në dalje të Kavajës me biçikletën e tij, ndërsa të shumtë kanë qenë qytetarët që kanë dhënë informacione si për familjarët dhe për emisionin “Pa Gjurmë”. Të prekur nga largimi në drejtim të paditur të babait të tyre, djemtë Artan dhe Seit Allushi treguan më shumë detaje për 80-vjeçarin, i cili kohët e fundit mund të ketë pasur dhe probleme me humbjen e kujtesës. 

"Kishte lënë takim me Dilaverin në Kavajë, por nuk e takoi atë. Dilaveri do ta ndihmonte për legalizimin e pronës. Kishte 2 vite që e njihte. Është larguar për të shkuar te zotëria në fjalë, por nuk arriti të shkonte te ai. Ne jemi lidhur me të në orën 10. Zotëria pas orës 10 me merrte në telefon dhe thoshte ku ka shkuar, ku ka shkuar? U interesua zoteria në telefon i thamë nuk dimë gjë"- u shpreh djali i madh i Zyhdiut, Artan Allushi. 

"Kemi 4 ditë që kërkojmë, s’kemi lënë ferrë, kanal, rezervuar pa kërkuar. Ishte 80 vjeç, kishte forcë dhe ishte energjik. 3-4 herë shkonte në Kavajë me biçikletë, rreth 3 kilometra. Vetem nga tensioni ka vuajtur pak. Babai ynë ka ikur në krah të kundërt në drejtim të Rrogozhinës. Kemi video të tjera para se të shkonte te bizneset qe kanë kamerat, ata janë njerëzit tanë. Babi ynë ecte si i përhumbur. Biçikletën për dore ecte rrugës. Biçikleta u gjet në mes të ferrave e sistemuar me dorë dhe është në polici”, shtoi djali i tretë i Zyhdiut, Seit Allushi. 

Odeta Dume: Mund të ketë vuajtur nga skleroza? 
Seit Allushi: Nuk e dimë, pleqëri ai, harronte ndonjëherë. Do Zoti është gjallë, e presim në shtëpi. 


Kaluan vetëm pak minuta dhe shoku i Zyhdiut, Dilaver Xhafa u lidh me studion e “Pa Gjurmë”, duke thënë se një ditë para zhdukjes së tij, vendosën që të takoheshin për punë dokumentesh. Ai tha se kohët e fundit kishte vënë re disa paqendrueshmëri te miku i tij, por që nuk ishin serioze. 

“Ne u takuam një ditë më parë, në 1 shtator. Ai më datë 1 nuk përfundoi punë se do të linte një akt testament për djalin e tij. Takimi ishte për çështje pronësie. Më tha mua “të prish punë ta lëmë për nesër?”, edhe e lamë për nesër se kishte urgjencë për të ikur. Ikëm dhe e lamë për të nesërmen në orën 10:00 në 2 shtator dhe meqënëse deri në 10:35 ai nuk erdhi të më takonte, atëherë mora në telefon Artanin. Edhe një herë pas pres 10:35 e mora dhe i thashë “s’ka ardhur”. “Mirë” më tha, “kur të vijë flasim se as në shtëpi s’ka ardhur”, derisa në darkë djemtë bënë denoncim në polici”, tregoi Dilaver Xhafa. 

Odeta Dume: Nëse ke ndonjë informacion që s’e ke komunikuar me fëmijët mund ta komunikoni. Si ka qenë gjendja e tij. Ka qenë i kthjellët kur e takuat në 1 shtator? 
Dilaver Xhafa: Kishte shenja të pastabilizuara, por jo për të paraqitur shqetësim. Ai ka gëzuar respekt në komunitet. Njerëzit e respektojnë. Inshalla do jetë gjallë që të jetojë në mes të njerëzve që e duan aq shumë. Unë jam i gatshëm t’ju shërbej për gjithçka. 

Për rreth 90 minuta transmetimi, perveç rrëfimit të dy djemëve në studio mbërritën shumë informacione nga qytetarë të ndryshëm, ku një prej telefonuesve pretendonte se e kishte parë të humburin dhe dispononte foto, duke mbajtur në ankth për minuta të tëra dy djemtë e të moshuarit, por edhe stafin e emisionit.

Nëse keni informacion jeni të lutur të kontaktoni në:
Në cel: 069 99 55 698 si dhe në aplikacionet: WhatsApp dhe Viber
Në tel: 0444 17 778
Në adresën tonë në Facebook: Pa Gjurmë Report TV
Në kanalin tonë në Youtube: Pa gjurmë Channel

 

Emisioni i plotë

O.D.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?