Dobësohet familja, sociologët: Duhet reflektim! 8 marsi ditë proteste! KMSH: ‘Sekreti’ te arsimimi, gruaja të trajtohet me dinjitet

8 Mars, 18:11| Përditesimi: 10 Mars, 16:49

  • Share

Ky 8 mars e gjen jo vetëm gruan, por edhe familjen shqiptare më të pafuqishme e të përçarë se kurrë më parë”, thotë sociologu Gëzim Tushi. Në një aktivitet dedikuar gruas, ai sugjeroi protesta në vend të festës.

“Unë gjykoj se një nga problemet e mëdha që ka sot shoqëria  shqiptare është dobësimi i familjes. Pjesa më e madhe e dhunës mbi gratë, mbi vajzat, mbi fëmijët dhe të moshuarit ushtrohet në familje. Pra shëndeti i familjes është dobësuar.  Në kohët vitet e  fundit ku kemi pasur krime makabre vrasje të vajzave dhe grave me shumicë,  do ishte më e nevojshme që në vend të këtyre takimeve nëpër klube e lokale për të festuar do ishte mirë të protestohej, sepse kam përshtypjen që politika shqiptare me këtë çështje merret në mënyrë periferike dhe data të caktuara”, tha sociologu Gëzim Tushi.

Edhe për Fatma Karajn, përgjegjëse e Zyrës së Gruas në Komunitetin Mysliman Shqiptar, 8 marsi duhet të shërbejë për të kërkuar të drejtat e grave dhe vajzave. 

“Ne si shoqëri duhet ta vendosim gruan në pozicionin e saj të duhur ashtu siç Islami e ka vendosur. 8 marsi jo vetëm festë, por të ngrejmë zërin për të drejtat tona, të vajzave dhe grave”, tha Fatma Karaj, përgjegjëse e zyrës së gruas në KMSH.

Prof.Dr. Gjergji Sinani, situatën e vështirë me të cilën po përballet familja shqiptare e lidh me edukimin dhe arsimimin jo vetëm të gruas, por të gjithë shoqërisë.

“Nëse duam të krijojmë  një shoqëri demokratike duhet të krijojmë qytetarin. Kjo është detyrë e edukimit, dhe edukimi  është një çështje tërësore, ku nuk i përket vetëm gruas, por të gjithëve. Ne kemi harruar të duam njëri-tjetrin. Përse shoqëria jonë është bërë kaq e egër?  Sigurisht që ka vetëm një rrugë, dhe kjo është  arsimimi dhe solidariteti me tjetrin”.

Raporti i fundit që është publikuar nga INSTAT për dhunën në familje është ai për vitin 2022, ku evidentohen 2003 raste. Nga këto, 1824 raste dhune kanë autorë burrat.

B.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?