Kosova & Rajoni

Dodik non grata u dënua me 1 vit burg, DASH: Kundërshtojmë çdo veprim që do të minonte sigurinë e Bosnje-Hercegovinës

27 Shkurt, 08:35| Përditesimi: 27 Shkurt, 16:00

  • Share

Departamenti amerikan i Shtetit tha se kundërshton çdo veprim të udhëheqësve lokalë në Bosnjë e Hercegovinë që do të minonte sigurinë dhe stabilitetin e shtetit.

Kjo deklaratë u bë nga zëdhënësja e DASH-it, Tammy Bruce, pasi Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës e dënoi presidentin e entitetit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, me një vit burgim dhe gjashtë vjet ndalesë të ushtrimit të detyrës së presidentit.

“Shtetet e Bashkuara kanë investuar për dekada për një Bosnje-Hercegovinë të qëndrushme. Ne kundërshtojmë fortë çdo veprim nga udhëheqësit lokalë që do të minonte sigurinë dhe stabilitetin. Ne mbështesim Marrëveshjen e Dejtonit dhe sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë e Hercegovinës”, shkroi në X, zëdhënësja e DASH-it, Tammy Bruce.

Dodik gjithashtu është i shpallur non grata nga SHBA njëjtë si Sali Berisha. Ai është futur dy herë në listën e zezë amerikane për shkak të aktiviteteve të tij kundër Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit të arritur më 1995.

Më 26 shkurt, Gjykata në Bosnjë e Hercegovinë caktoi dënimin me burg ndaj Dodikut. Ky është dënimi i shkallës së parë, ndaj të cilit Dodik ka mundësi të bëjë ankimim. Dodik akuzohet për nënshkrimin e dekreteve presidenciale, me të cilat shpalli të vlefshme dy ligje jokushtetuese të Republikës Sërpska, të cilat më parë ishin shfuqizuar nga Përfaqësuesi i Lartë.

Bëhet fjalë për ligjet mbi moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnje-Hercegovinës, dhe moszbatimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë në territorin e Republika Sërpskas.

Kodi Penal i Bosnje-Hercegovinës për mosrespektimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë parashikon dënim me burg prej gjashtë muaj deri në pesë vjet, si dhe mundësinë e shkarkimit nga detyra të një individi dhe ndalimin e veprimtarisë politike.

Ndërkaq, i akuzuari i dytë në këtë rast, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Gazetës Zyrtare të Republikës Sërpska, Millosh Llukiç, u lirua nga akuzat.

Pas vendimit, Dodik u tha mbështetësve të tij të mbledhur para Asamblesë Kombëtare të Republikës Sërspka se “nuk ka arsye për shqetësim”.

Ai po ashtu tha se Asambleja e entitetit serb do të ndërmarrë disa vendime, përfshirë atë që të refuzohet procesi në Gjykatën e Bosnjës dhe të “ndalohet puna e Prokurorisë në territorin e Republikës Sërpska”.

“Vendimi i dytë është ndalimi i zbatimit të vendimeve të Gjykatës së Bosnjë dhe Hercegovinës në territorin e Republikës Sërpska", tha Dodiku, duke paralajmëruar po ashtu se do të miratohet një ligj që do të ndalojë veprimtarinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të Bosnjës dhe të formimit të këtyre institucioneve në nivel entiteti.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, e cilësoi dënimin e presidentit një vendim kundër Republikës Sërpska (RS) dhe popullit serb.

“Është një ditë e vështirë për popullin serb në tërësi. Kundër Dodikut, sipas bindjes sonë, është dhënë një dënim i shkallës së parë në një procedurë juridike të çuditshme dhe të pakuptimtë. Kam ardhur në Banjallukë, jo sepse mund të ndikoj në ndonjë mënyrë në vendimet në Republikën Sërpska, por për t’i ofruar mbështetje popullit tonë në RS dhe për të thënë se Serbia është me ta dhe këtë t’ia them Dodikut, pa rrezikuar askënd”, tha Vuçiç.

Reagim për dënimin e Dodik erdhi edhe nga Rusia. Ministria e Jashtme ruse e ka quajtur vendimin katastrofik. Sipas tyre ky vendim do të ketë pasojë të këqija jo vetëm në Bosnje, por në të gjithë Ballkanin. 

Xh.K/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Programi i PS, a ju duken të realizueshme objektivat ekonomikë?