Në qoftë se kjo krizë nuk zgjidhet, shpërbërja e Bosnje-Hercegovinës është e mundur dhe Republika Sërpska do të shkojë drejt daljes, askush nuk duhet të dyshojë në këtë, ka thënë Millorad Dodik, anëtar i Presidencës trepalëshe të Bosnje-Hercegovinës në një konferencë për media, më 23 dhjetor, në Sarajevën Lindore.
Dodik vlerësoi se situata në Bosnje-Hercegovinë “ka shkuar deri në absurditet” dhe i bëri thirrje Bashkimit Evropian “që të ndalojë së konsideruari Bosnje-Hercegovinën si një eksperiment”.
“Dy nga tre popujt konstituivë nuk e mbështesin rrugën kah po shkon Bosnje-Hercegovina, në mënyrën sesi myslimanët e paramenduan Bosnje-Hercegovinën, në të cilën kroatëve do t’ua zgjidhnin përfaqësuesit ‘e tyre', ndërkaq serbëve do t’ua merrnin pyjet, do t'ua merrnin tokat dhe më pas do të kërkonin që ne t’i të duartrokasim. Bosnje-Hercegovina e tillë nuk është e mundshme”, tha Dodik
Ai theksoi se dy vendet më të rëndësishme për Bosnjën dhe Hercegovinën janë Serbia dhe Kroacia dhe shtoi se “marrëdhëniet e lidershipit mysliman nuk kanë qenë kurrë më të këqija me Kroacinë, ndërkaq që as me Serbinë nuk janë të shkëlqyera”.
“Kur i shtoni kësaj se ata u përfshinë edhe në konflikte me Hungarinë, krejtësisht pa nevojë. Veçanërisht të orkestruar me shumë urrejtje, ata po krijojnë një histori sesi një ndikim i dëmshëm rus po përhapet vazhdimisht këtu. Ata po përpiqen të shkatërrojnë palën serbe dhe kroate. Një Bosnje-Hercegovinë e tillë është e pamundur të ekzistojë. Është e nevojshme që sa më shpejtë t’i normalizojmë marrëdhëniet me Serbinë, Hungarinë, Kroacinë, Kinën”, theksoi Dodik.
Ai tha gjithashtu se brezi aktual “ka një shans për të ruajtur Bosnje-Hercegovinën dhe se brezi i ardhshëm nuk e ka atë shans”.
I pyetur nga gazetarët se pse boshnjakët po i quan myslimanë, ai tha se me këtë nuk po e ofendon askënd, sepse “deri në vitin 1993 kanë qenë myslimanë”.
“Ata nuk pushuan të na ofendojnë me ‘serbët e Bosnjës’. Besoj që të gjithë boshnjakët janë myslimanë, shumica dërmuese. Në kuptimin e identitetit nuk po gabohem shumë”, tha Dodik.
Ai njoftoi se përfaqësuesit e entitetit Republika Sërpska do të kthehen në institucionet e Bosnje-Hercegovinës nëse tërhiqet vendimi për ndalimin e mohimit të gjenocidit, i vendosur nga ish-Përfaqësuesi i Lartë, Valentin Inzko.
Dodik foli pas seancës së Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, në të cilën votoi kundër të gjitha pikave të rendit të ditës.
Përfaqësuesit politikë nga Republikën Sërpska kanë bllokuar punën e institucioneve shtetërore që nga fundi i korrikut, kur ish-Përfaqësuesi i Lartë në Bosnjë e Hercegovinë, Valentin Inzko imponoi ndryshimet në Kodin Penal të Bosnje- Hercegovinës, me të cilat ndalohet mohimi i gjenocidit dhe krimeve të luftës.
Republika Sërpska së bashku me Federatën Myslimane-Kroate janë dy entitetet që përbëjnë Bosnje e Hercegovinën.
Organizimi i tillë është bërë me të ashtuquajturën Marrëveshje të Dejtonit, e cila i ka dhënë fund luftës në Bosnje, në vitet 1990./REL