Dodiku refuzon të deklarohet para gjykatës së Bosnjës

16 Tetor 2023, 14:57| Përditesimi: 16 Tetor 2023, 14:59

  • Share

Presidenti i entitetit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, dhe ushtruesi i detyrës i drejtorit të gazetës zyrtare të Republikës Sërpska, Millosh Lukiç, nuk kanë pranuar të deklarohen para gjykatës së Bosnjës e Hercegovinës për aktakuzën e cila i ngarkon me veprën penale për moszbatimin e vendimeve të përfaqësuesit të lartë në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt.

“Nuk e di pse është ngritur aktakuza ndaj meje, nuk e kuptoj aktakuzën”, tha Dodik në seancën e mbajtur të hënën më 16 tetor.

Dodik nuk pranoi as të ngrihej në këmbë kur iu kërkua një gjë e tillë nga gjykatësja për t’i ofruar të dhënat personale dhe për t’u deklaruar për aktakuzën që i ngarkohet, duke u ankuar në “dhimbje shpine”.

Gjyqtarja Jasmine Dedoviq Qosiç, sipas detyrës zyrtare, vendosi se Dodik dhe Lukiç u deklaruan të pafajshëm për aktakuzën.

Pas seancës, Dodiku u tha mediave se Gjykata dhe Prokuroria e Bosnjës e Hercegovinës janë "jokushtetuese, të paligjshme dhe të imponuara", duke e cilësuar si "politik" procesin gjyqësor ndaj tij.

Ai tha se ligjet që ai nënshkroi, të cilat nxitën ngritjen e aktakuzës kundër tij dhe Lukiqit, kaluan “nëpër të gjitha procedurat kushtetuese” në Kuvendin Kombëtar të Republikës Sërpska.

Dodiku theksoi se do ta mbrojë veten si “president i Republikës Sërpska" dhe se "në këtë mënyrë do të shpërbëhet Bosnja e Hercegovina".

Ai, po ashtu, u ankua se aktakuza i ishte dorëzuar në cirilik, një gjuhë që ai e kupton.

Në gusht, Prokuroria e Bosnjës e Hercegovinës ngriti aktakuzë kundër Dodikut Lukiçit, për moszbatimin e vendimeve të përfaqësuesit të lartë në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt. Aktakuza ndaj tyre u ndryshua dhe u konfirmua pastaj më 11 shtator.

Në qershor, Asambleja Kombëtare e Republikës Sërpska miratoi ligje në lidhje me mospublikimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë dhe moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe Hercegovinës.

Përfaqësuesi i Lartë Schmidt më pas vendosi t'i shfuqizojë ato.

Dodik nënshkroi dekretin për hyrjen në fuqi të këtyre ligjeve dhe Lukiq i publikoi ato në Gazetën Zyrtare të Republikën Sërpska.

Kur e shfuqizoi ligjin e Republikës Sërpska, Schmidti vendosi ndryshime në Kodin Penal të Bosnjë dhe Hercegovinës, sipas të cilit mosrespektimi i vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë është vepër penale./REL

 

S.S/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?