Policia e Tiranës ka zbardhur ngjarjen e ndodhur dy ditë më parë, ku u dogj një automjet në pronësi të një 43-vjeçareje. Në pranga është vënë një 34-vjeçari Danjel Bushka, i cili akuzohet se mbrëmjen e 3 shtatorit ka djegur automjetin tip “Citroen” në rrugën “Frang Bardhi” për motive të dobëta.
Policia ka publikuar videon që tregon momentin kur i riu afrohet pranë makinës dhe i vë flakën. Ndaj tij rëndon akuza për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”. Daniel Bushka nuk është një emër i panjohur për policinë, pasi rezulton se në vitin 2016, të jetë arrestuar për një sërë vjedhjesh në Tiranë.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “The Arsonist”.
Zbardhet djegia e qëllimshme e një automjeti.
Identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 34-vjeçari që dyshohet se dogji automjetin e një 43-vjeçare, për motive të dobëta.
Menjëherë pas njoftimit se me datë 03.09.2025, rreth orës 23:50, në rrugën “Frang Bardhi” ishte djegur automjeti tip “Citroen” në pronësi të një 43-vjeçareje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 organizuan punën për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale autorin dhe për të zbardhur rrethanat e rastit.
Si rezultat, në kuadër të operacionit “The Arsonist”, u identifikua dhe u vu në pranga autori i dyshuar i rastit, shtetasi D. B., 34 vjeç, banues në Tiranë, i cili nga hetimet dyshohet se e ka kryer këtë krim, për motive të dobëta.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Komente
