Udhëheqësit arabo-islamikë do të mblidhen ditën e nesërme në kryeqytetin e Katarit në Doha për të diskutuar mbi sulmet izraelite të regjistruara javën e kaluar (9 shtator) të cilat, sipas Izraelit, kishin në shënjestër udhëheqjen e Hamasit dhe patën jehonë në të gjithë Lindjen e Mesme dhe më gjerë.
Nga ky sulm me raketa i ndodhur në lagjen Katara pranë selisë së Hamasit, mbetën të vrarë 6 persona, përfshirë një anëtar të shërbimeve të sigurisë së Katarit.
Në përgjigje të kësaj ngjarje, Katari ka thirrur në vend të gjithë udhëheqësit arabo-islamikë për bisedime.
Në samit do të marrë pjesë presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, kryeministri i Pakistanit Shehbaz Sharif, presidenti i autoritetit palestinez Mahmoud Abbas, zëvendëskryetari i Organizatës për Çlirimin e Palestinës Hussein al-Sheikh, kryeministri i Malajzisë Anëar Ibrahim si dhe personalitete të tjera nga Lindja e Mesme.
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Majed bin Mohammed al-Ansari, i tha Agjencisë së Lajmeve të Katarit (QNA) se “samiti do të diskutojë një projekt-rezolutë mbi sulmin izraelit” që nënkupton një tjetër rast të “terrorizmit shtetëror të praktikuar nga Izraeli”.
Kryeministri Sheikh Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al Thani, i cili u takua me Trumpin në Nju Jork të premten (12 shtator), tha se Katari do të ndjekë një përgjigje kolektive ndaj sulmit, i cili e ka vënë në rrezik të gjithë rajonin.
Komente
