Alban Hoxha, gardiani dhe kapiteni 36-vjeçar i Partizanit numëron më shumë se 400 ndeshje në karrierën profesioniste. Ish-portieri i Kombëtares ka treguar për podcastin zyrtar të klubit se fillimet e tij nuk i ka nisur në portë, përkundrazi, ishte një lojtar i lirë në fushë dhe ka shënuar gola.
"Që i vogël, shumë nuk e dinë, por im atë ka qenë portier. Si fëmijë doja t'i ngjaja atij dhe më pas kalova te moshat e Cërrikut. Janë disa trajnerë që më dhanë shtysë, por në fillim nuk e kam nisur në portë. Kam qenë lojtar, kam bërë shumë gola. Pastaj ishte pjesa që babi ka qenë porteri edhe unë doja të isha si ai dhe e ndërrova. Ngela në portë, por nuk është se e kam pasur qejf atëherë. Asnjë fëmijë nuk e ka qejf", tha Alban Hoxha mes të tjerash.
I lindur në Cërrik, Hoxha e nisi karrierën te Dinamo në 2004 për të luajtur më pas me Turbinën, Apoloninë, Dinamon, Kastriotin, Besën dhe prej vitit 2013 është pjesë e Partizanit si një legjendë e klubit.