Ish-kryetari i Kuvendit, Namik Dokle ka ironizuar situatën në “shtëpinë e Partisë Demokratike”, duke e krahasuar atë me shtëpinë e “Big Brother-it”.
Ai ka thumbuar ngjarjet e fundit politike në vend, duke paralelizuar banorët e shtëpisë së njohur Ilir Shaqiri dhe Donald Veshaj me Sali Berishën dhe Lulzim Bashën. Po cili është Iliri dhe cili Donaldi?! Këtë ish-kryetari i Kuvendit e ka lënë një mister që do të zbulohet “në finalen e madhe” që në jetën politike duket se do të jenë zgjedhjet e pjesshme vendore më 6 mars.
Dokle përmes tregimit të tij, kaloi mesazhin se pavarësisht përplasjeve dhe intrigave, nga loja e “Big Brother-it”nuk vuan askush, ndërsa nga ajo politike të gjithë.
“Poltikane dhe Big brotherësi
Një politikan i ditës takoi njërin nga “bigbradhërsat” që sapo kishte dalë nga loja, pa arritur dot në finale...
-Po ç’bëhet në atë “shtëpinë” tuaj?- u gërrduf politikani,- Një herë me Ilirin, pastaj kundër Ilirit; një herë me Donaldin, pastaj kundër!
Bigbradhërsi qeshi dhe pastaj ia ngjeshi:
-Euuu, kush po na flet!!! A nuk jeni ju politikanët një herë me Ilirin, pastaj kundër Ilirit, një herë me Berishën pastaj kundër tij, një herë me Lulin, pastaj kundër Lulit, një herë me Edin, pastaj kundër...?! Nga “loja ” jonë nuk vuan askush, nga e juaja të gjithë!”, shkruan ai.