Ishte viti 1951. Sipërmarrësin Mit’hat Vorpsi, pasi i kishin konfiskuar pronën e çdo pasuri në ’48-ën, komunistët e marin nga shtëpia me dhunë. Prej asaj dite askush nuk e pa më. Kjo është vetëm një nga historitë e persekutimit komunist që gazetarja Adirmina Peçi solli përmes dokumentarit, pjesë e ciklit 'Dosja K', “Tirona e zotnive të papërkulun” që mbushi këtë të premte sallën e “Millenium”.
Alisa Kaltroshi, sopranoja që po thur sukses në skenat ndërkombëtare, ishte e pranishme për të treguar se historia e dhimbshme e diktaturës komuniste, duhet kujtuar, e ata personalitete që rezistuan si stërgjyshi i saj, Mit’hati, duhet të nderohen nga brezat.
“Kam dëgjuar gjyshen time gjithmonë duke folur për babain e saj me dashurinë më të madhe. Frazat më të bukura që ajo thoshte, lidheshin gjithmonë me kohërat e bukura që kish kaluar me të atin. Dhe kjo kohë ishte aq e shkurtër, vetëm 16 vjet. Dhe kjo më ka prekur shumë, më emociononte”, thotë ajo.
Peçi, vendosi publikun përballë dhunës diktatoriale, që nuk u kursye as tek vajzat 15-vjeçare e të moshuarit e familjeve të figurave të shquara tironse, duke i dhunuar deri edhe në shtëpitë e tyre... Por pse, elita e Tiranës, duhet të vuante krimet më ç'njerëzore të këtij sistemi?
“Plus anës ekonomike ishte intelekti i këtyre njerëzve, dituria dhe edukimi që ata kishin marrë në Evropë. Dhe kjo kulturë mund tëçonte në një kryengritje në regjimin komunist, ndaj këta njerëz duhet të shfaroseshin. Edhe jo vetëm ata, por edhe familjet e tyre, sepse edukimin e inteligjencën e kishin trashëguar, dhe do të vijonin të tregonin të njëjtin karakter këmbëngulës për drejtësi. Dhe përmes shtypjes dhe persekutimit komunistët do të sundonin për 45 vjet sikurse ndodhi”.
E megjithatë siç thotë Marsida Najdeni, tironsit nuk u përkulën jo vetëm në diktaturë, por as ndaj persekutimitit të pronave që vijoi në 3 dekada demokraci. Pasardhësit e tyre , si Alisa edhe jashtë nuk i harrojnë rrënjët. Në skena ndërkombëtare sopranoja këndon edhe shqip... Këndon edhe këngë tironse duke i shpalosur publikut kulturën e një vendi, që diktatura nuk ia doli ta deformojë, edhe falë “zotnive të papërkulun”....