Pranë kinema “Millenium” këtë mesjavë, një karvan i gjatë njerëzish është mbledhur për të parë një nga historitë më dramatike që shkaktoi regjimi komunist... Studiuesja dhe gazetarja Luljeta Progni, pas shumë dilemash, e shkruan vetë dhimbjen e rezistencën e nënës së saj ‘Zojë’
“Ka momente që vetëm kur i shikoja lotët të binin në tastierë dhe unë vazhdoja të shkruaja”, shprehet gazetarja dhe studiuesja Luljeta Progni, skenariste e dokumentarit.
Historitë i ka dëgjuar gjatë gjithë jetës së saj, një pjesë të tyre Progni tenton ta rikrijojë me rrëfimin e nënës, në një intervistë të fundit....
“Nuk ka qenë e lehtë, shpesh herë më është dashur dhe të shkëputem për shkak të këtyre ndjesive”, shton Progni.
Nga njëra anë mizoria e një sistemi që nuk kursen as një nënë të re lehonë, e Sofinë e moshuar. U marrin gjithçka, i internojnë e çojnë drejt vdekjes foshnjën e sapo lindur...
"Ka përjetuar shumë vuajtje! Humbjen e babait të saj kur ishte fëmijë për vete, humbjen e fëmijës së vet të parë, humbjen e bashkëshortit për shumë vite...", tregon
Nga ana tjetër forca e ‘Zojës’ për të mbrojtur ç’ka i është më e shtrenjtë... familjen! Për të pritur bashkëshortin mësues, Gjeloshin... Nga burgjet e diktaturës ku u tortura për 16 vjet, gjasat ishin të pakta për të dalë i gjallë... Luljeta bëhet përmes këtij dokumentari zëri i saj, në gjuhën e ‘Zojës’, ndërsa Pandeli Çeço në regji, rindërton historinë..
“Pata mbështetjen e madhe të regjisorit Pandeli Çeço, që më inkurajoi për t’i shkuar deri në fund”, shton ajo.
Në kampin e Tepelenës, ku foshnjet nuk i mbijetonin urisë, e ‘shpirti’ mbahej gjallë me një kore bukë, ‘Zoja’ kapej pas shpresës së ritakimit me djalin Nikën e Gjeloshin e saj... Progni tregon përjetimet ndërsa shkel në kampin famëkeq, apo burgun e Burrelit, ku i ati kreu një pjesë të dënimit...
“I kam prekur të gjitha gjurmët e dhimbjes së nënës sime! I kam gjetur dhe i kam shkelur me këmbë, nga kampi i Tepelenës në burgun e Burrelit”, thotë më tej.
Kjo është vetëm një pjesë e dramës së ‘Zojës’, shumëçka Luljeta e ka përjetuar bashkë me nënën e saj...
“Dhimbja më e madhe përveç humbjes së fëmijëve të saj, ka qenë në shtator, kur një nga ne, fëmijët e saj do të duhej të shkonte në shkollë dhe nuk na lejohej... Çdo shtator ajo qante”, thotë Progni.
Pavarësisht tragjizmit e provokuar, Zojë dhe Gjelosh Progni, zgjodhën të mos i ushqenin fëmijët me urrejtje... Nuk i përmendën asnjëherë emrat e persekutorëve.
“Im atë na i ka lënë porosi, që mos të merreshim me atë pjesë të së shkuarës, ndryshe nuk do të ecnim përpara. Asnjëherë nuk ka i tha emrat e persekuturëve, të prindërve, gjyshërve, xhaxhait tim...”, tregon skenaristja.
Publiku është i përlotur, ndërsa ‘Zoja’ e Gjeloshi, si dhe familjarët e tyre që diktatura i vrau pa mëshirë, do të ishin krenar...
“Shpresoj t’i kem bërë krenar! Shpresoj vërtetë t’ia kem dalë”, shprehet ajo.