Gjykata Kushtetuese

Dokumenti/ Dosjet e nxehta që do marrë në dorë Gjykata Kushtetuese nga përplasja Rama-Meta për dekretimin e ministrave tek Teatri Kombëtar

22 Dhjetor 2020, 19:28| Përditesimi: 22 Dhjetor 2020, 19:45

  • Share

Gjykata Kushtetuese, falë presionit sistematik të ambasadorëve të SHBA-BE në Tiranë, do të jetë funksionale brenda vitit 2020, duke plotësuar kësisoj një nga kushtet kryesore për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare Shqipëri-Bruksel për nisjen e negociatave për integrimin e vendit në BE.

Sot ka nisur detyrën anëtari i pestë Altin Binaj, ndërsa Këshilli i Emërimeve në Drejtësi do t’i dërgojë Presidentit Meta kandidatët për emërimin e anëtarit të gjashtë. Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë, por kjo gjykatë mund të mblidhet, të shqyrtojë kërkesë-padi dhe të marrë vendime nëse ka të paktën 6 anëtarë.

Gjykata Kushtetuese nuk merr vendime përfundimtare që në 7 maj 2018, për shkak të shkarkimit të anëtarëve nga organet e Vetingut për pasuri të paligjshme dhe për shkak të dorëheqjes së disa të tjerëve nga frika e Vetingut. Ndërkaq, Kushtetuesja nuk kishte kuorumin prej tre anëtarësh që nga data 16 korrik 2018, për të shqyrtuar çështjet në seancat paraprake. Gjykata Kushtetuese e rikrijoi kuorumin prej tre anëtarësh në 2 dhjetor 20219. Nga data 2 dhjetor 2019 dhe deri më sot, Kushtetuesja ka marrë 143 vendime në dhomë këshillimi, duke vendosur të mos kalojë 143 çështje për shqyrtim në seancë plenare.

Por, nga ana tjetër, trupat gjykuese me nga tre anëtarë, ka vendosur në dhomë këshillimi që të kalojnë për shqyrtim në seancat plenare disa çështje të rëndësishme, të cilat kanë qenë objekt dhe shkak i sherreve politike. Është pranuar për t’u shqyrtuar në seancë plenare sapo të emërohet anëtari i gjashtë edhe kërkesa e kryeministrit Edi Rama për mosmarrëveshjet me Presidentin Ilir Meta për emërimin dhe shkarkimin e ministrave.

Rama ka kërkuar interpretimin e pikës 1 të nenit 98 të Kushtetutës, e cila parashikon që ‘ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit, brenda 7 ditëve’. Mosmarrëveshja u krijua pasi presidenti Ilir Meta nuk pranoi të dekretonte Gent Cakaj si ministër të Jashtëm, çka detyroi Ramën të emërohej vetë dhe t’i delegonte detyrën Cakajt.

Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë edhe kërkesën e presidentit Ilir Meta për rrëzimin e ligjit për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e një teatri të ri. Do të shqyrtojë edhe një kërkesë të ndërtuesve për rrëzimin e pjesshëm të ligjit nr. 22/2018 “Për Strehimin Social” si dhe disa kërkesa për shfuqizimin e disa togfjalëshave në Kodin Penal dhe në Kodin e Procedurës Penale.

Kërkesa e tjera që do të shqyrtojë Gjykata Kushtetuese kanë të bëjnë me rrëzimin e vendimeve të gjykatave për disa çështje civile dhe penale. Gjykata Kushtetuese, do të thotë fjalën e fundit për këto çështje sapo të krijojë kuorumin prej 6 anëtarësh.

( Kliko këtu ) Lista e plotë me çështjet që do të shqyrtohej nga Gjykata Kushtetuese

E.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?