Hajdarmataj dhe moment nga gjykimi në KPA

Kronikë

Dokumenti/ Hetimi i pazakontë që ‘fundosi’ Hajdarmatajn, njeriu i krimit të cilit i dërgonte mesazhe me numër të fshehtë, i mbylli dosjen dhe ‘fluturuan’ bashkë! Si ra prokurori i 'kauzave' të PD

6 Gusht 2021, 17:07| Përditesimi: 6 Gusht 2021, 17:48

  • Share

Prokurori Besim Hajdarmataj, këtë të mërkurë, mbylli në mënyrë të palavdishme karrierën 22-vjeçare në sistemin e drejtësisë. Prokurori i ‘dosjeve të nxehta’, të cilat përplasën kampet politike në Shqipëri, u shkarkuar me vendim të formës së prerë nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, për ‘cenim të besimit te drejtësia’.

Jo rastësisht Partia Demokratike u ‘pezmatua’ nga shkarkimi i Besim Hajdarmatajt. Ky i fundit në rrethet politike, mediatike dhe të gjyqësorit është etiketuar edhe si prokurori i PD-së. Besim Hajdarmatajt është akuzuar se është investuar politikisht për përgjimin e socialistëve në Dibër me porosi të Sali Berishës. Më pas, kasetën me përgjime akuzohet se ia dorëzoi Lulzim Bashës dhe disa gazetarëve të opozitës. Përgjimet më pas përfunduan në gazetën gjermane BILD, mbi të cilat opozita tentoi të krijonte një kauzë, për rrëzimin e qeverisë dhe për të ardhur vetë në pushtet.

Çuditërisht, Besim Hajdarmatajt del në skenë edhe tek dosja ‘Babale’, në vitin 2018. Edhe kjo dosje, që përfundoi me dënimin e Ervin Salianjit për sajimin e çështjes, u kthye në kauzë nga Sali Berisha dhe Lulzim Basha.

Sipas dosjes hetimore prokurori Hajdarmataj dhe dy oficerët e SHISH, kanë qenë njerëzit që patën kontaktin e parë me “Babalen” e Vlorës, Albert Veliu, ku nga ky i fundit, u vunë në dijeni se gjoja Geron ose Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm të asaj kohe Fatmir Xhafaj, drejtonte një grup kriminal në qytetin e Vlorës, ku aktiviteti i tij ishte trafiku i drogës nga Shqipëria në drejtim të Italisë.

Më pas, në pranverën e 2018-ës, PD botoi 2 audioregjistrime, përmes së cilave supozonte se vëllai i ministrit të Brendshëm aso kohe, Fatmir Xhafaj, Agroni ishte i përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike. Çështja rezultoi inskenim, ndërsa u dënuan Ervin Salianji, ‘babalja’ Albert Veliu, Fredi Alizoti dhe gazetari Jetmir Olldashi. Besim Hajdarmatajt ishte gjithashtu një nga prokurorët e çështjes ‘Tahiri’, edhe kjo e kthyer në kauzë nga Berisha dhe Basha.

Prova vendimtare

Një provë e paraqitur ditët e fundit, para vendimit të Kolegjit të Apelimit, konsiderohet si kthesa vendimtare që i dha fund karrierës së Besim Hajdarmatajt, ish drejtues i Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Prova konsiston në zbulimin e një numri telefoni të fshehtë, i cili përdorej nga Hajdarmataj për të komunikuar me njerëzit e krimit, disa prej të cilëve u kishte mbyllur dosjet.

Publikimi i provës në seancën e 3 gushtit 2021 zuri në befasi ish-prokurorin, i cili ndoshta për herë të parë mbeti pa asnjë alibi. Po cili është personazhi i botës së krimit, të cilit i dërgonte mesazhe prokurori dhe si u zbuluar numri i fshehtë i tij? Bëhet fjalë për një personazh i skeduar për aktivitet të theksuar kriminal në Laç, i njohur edhe për ushtrimin e veprimtarisë në fushën e bixhozit, të cilit Besim Hajdarmataj i mbylli një dosje kur drejtonte Prokurorinë e Kurbinit.

Historia e dosjes

Në vitin 2010, 5 punonjës të Njësisë së Mbikëqyrjes të Lojërave të Fatit sekuestruan në Dibër disa makineri kompjuteri APEX, pasi ushtrimi i aktivitetit të lojërave të fatit ishte i paligjshëm. Duke udhëtuar nga Dibra në Tiranë, në Laç, një grup prej 15 vetash ka ndaluar dhe kërcënuar 5 punonjësit të Njësisë së Mbikëqyrjes të Lojërave të Fatit, duke u marrë me forcë makineritë APEX, të cilat siç duhet ishin pjesë e aktivitetit të personazhit që 11 vite më vonë do të bëhej një nga shkaqet për të ndërprerjen e karrierës së Besim Hajdarmatajt si prokuror.

Pas denoncimit të ngjarjes nga punonjësit e Njësisë së Mbikëqyrjes të Lojërave të Fatit, në 7 maj 2010, Besim Hajdarmatajt, si drejtues i Prokurorisë së Kurbinit, regjistroi çështjen për  “kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik” dhe “vetëgjyqësia”, parashikuar nga nenet 235/1 dhe 277 të Kodit Penal. Për gati 1 vit e 3 muaj, Hajdarmataj nuk ka krye asnjë hetim dhe në fund ka mbyllur dosjen, me arsyetimin se “në rastin konkret, pasi janë bërë hetime, nuk është bërë e mundur të provohet ekzistenca e faktit dhe, për këto arsye, procedimi penal nuk mund të vazhdojë më tej, por çështja duhet të pushohet”.

Duke mos u thelluar mbi arsyet e mbylljes së dosjes, Komisioni i Vetingut i shkallës vendosi dërgimin e çështjes për inspektim në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, meqenëse nuk ishte ngritur ende institucioni i Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë. Sipas KPK-së nga çështje penale të analizuara nuk rezultuan të dhëna/prova që të provonin se veprimet e drejtuesit ishin të paramenduara, nuk janë të mjaftueshme për ta vlerësuar me mangësi profesionale etj. Kështu, në 16 tetor 2019, Komisioni i Vetingut vendosi konfirmimin e Besim Hajdarmatajt në detyrë. Procesi i verifikimit kishte nisur që në maj 2018.

ONM kundërshton vendimin  

Vendimi i konfirmimit në detyrë i Hajdarmatajt u kundërshtua nga përfaqësuesit e SHBA-BE në Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit, të cilët në 4 dhjetor 2019, përmes një raporti të detajuar, i rekomanduan Komisionerit Publik që të ankimonte vendimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, duke kërkuar shkarkimin nga detyra të prokurorit. Në 20 dhjetor 2019, Komisioneri Publik Darjel Sina pranoi rekomandimin e ONM-së, duke i kërkuar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit shkarkimin nga detyra të Hajdarmatajt, kryesisht për mbylljen e dosjeve të drogës dhe bixhozit.

ONM zbulon lidhjet mes prokurorit dhe bosit të bixhozit 

Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit u thellua në arsyet se pse Besim Hajdarmatajt mbylli dosjen e bixhozit, duke i hedhur ‘hi syve’ KPK-së. Sipas ONM, Besim Hajdarmataj, ka bërë cilësim të gabuar në regjistrimin e veprës penale, nuk ka kryer veprime hetimore të mjaftueshme, nuk është pyetur i kallëzuari, nuk ka bërë verifikime për veprimtari të tjera të kokës së grupit, nuk janë verifikuar tabulatet telefonike etj. ONM ka hedhur dyshimte të forta se Besim Hajdarmatajt nuk ka kryer hetime dhe ka mbyllur dosjen, pasi kishte lidhje me kokën e grupit prej 15 vetash që ushtonte aktivitet të paligjshëm në fushën e lojërave të fatit si dhe që u mori me fortë makineritë APEX punonjësve të Njësisë së Mbikëqyrjes të Lojërave të Fatit. Vëzhguesit ndërkombëtarë sollën si prova një mesazh që bosi i bixhozit i kishte nisur prokurorit si dhe të dhëna nga sistemi TIMS, që konfirmonin që Hajdarmatajn dhe bosi i bixhozit kishin udhëtuar bashkë me avion.

Hajdarmataj gjen alibi

Shqyrtimi i çështjet se Besim Hajdarmatajt në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit është ndjekur nga vëzhguesi i famshëm ndërkombëtarë Theo Jacobs, i cili në një moment tensioni i dha këtë mesazh prokurorit: “Kjo nuk është lojë”. Besim Hajdarmataj paraqiti alibi të forta për të dyja gjetjet e ONM për lidhje me personazhin që i mbylli dosje e bixhozit.  Ai tha se nuk ia kishte kthye kurrë mesazhin njeriut që i kishe mbyllur dosjen dhe fakti se kishin udhëtuar në të njëjtin avion dhe nuk provonte lidhjen, pasi ishte thjeshtë një rastësi. Hajdarmataj ka pohuar se “...u sqaroj se me këtë shtetas nuk kam asnjë lidhje, nuk kam ndonjë raport shoqëror dhe nuk kam pasur marrëdhënie familjare apo të tjera, thjesht e njoh si person”.

Si u zbulua numri i fshehtë

Besim Hajdarmatajt kishte bërë një gabim, i cili e nxori zbuluar, pikërisht në fund të procesit të gjatë gjyqësor për fatin e tij. Numrin e telefonit, me të cilin komunikonte fshehurazi në njerëzit e krimit, e kishte deklaruar në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë kur kishte deklaruan pasurinë në vitin 2016. Duke shqyrtuar me imtësi dokumentet, ndërkombëtarët kanë konstatuar këtë numër telefoni, duke kërkuar më pas tabulatet nga kompania përkatëse e telefonisë. Nga shqyrtimi i tabulateve ka rezultuar se Besim Hajdarmataj, në datën 27 korrik 2017, në orën 22:03 të mbrëmjes, i ka dërguar dy mesazhe një personi të inkriminuar. Ndërkaq, Hajadarmataj insistoi se numri i telefonit ku ishin dërguar dy mesazhet nuk ishte në përdorim të tij. Numri rezultonte në emrin e një zonje nga Fieri. Prokurori kërkoi kohë të njihej me deklaratën e pasurisë së vitit 2016, në cilën kishte deklaruar numrin e telefonit. Por, Kolegji, duke e ditur një lëvizje të tillë, kishte përgatitur një të deklaratës në seancë dhe ia paraqiti.

Si doli në skenë bosi i bixhozit

Prova e numrit të fshehtë krijoi debate dhe befasi të mëdha në seancën e 3 gushtit 2021. Si Hajdarmataj, ashtu edhe Kolegji, kërkuar nga Komisioneri Publik sqarime se në çfarë forme ishte siguruar prova. Prokurori pretendonte se ishte një denoncim anonim. Me këtë dokument, Komisioneri Publik, Dariel Sina, u ka dhënë përgjigje të gjitha pyetjeve të ngritura në seancën e fundit. Komisioneri sqaron se prova është gjetur në dokumentacionin e administruar në Komisionin e Vetingut të shkallës së parë, gjatë procesit të ankimimit të vendimit të konfirmimit të Hajdarmatajt. Për të identifikuar numrin e personit të inkriminuar, të cilit prokurori i shkruan me numër sekret, Komisioneri, sigurisht i asistuar nga ONM, i është referuar dosjes së bixhozit të vitit 2010, e mbyllur nga Hajadarmataj.

(Kliko këtu) Përgjigja e Komisionerit Publik, si u zbulua numri i fshehtë i Hajdarmatajt

 

K.T./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Kasem gahinji: 07/08/2021 05:14

    Num rritet rroga e punonjesve ne bashku,sepse jane keta njerez te korruptuar qe kane grumbulluar parane.Dhe nuk jane pak Hajdar Mataj eshte nje prej tyre.

    Përgjigju
  • Teveqel Dordolec Rexhep Bule Leka [ kepi ]: 06/08/2021 17:27

    Besim Hajdaraga jo Hajdarmata se ky hajdaraga është. Po ku është SPAKU pse se fut brënda ktë malok analfabet edepsëz. E ti meret dhe pasiria që ka vjedhur ky qelbësir kok pa lar.

    Përgjigju
  • Haka Tekizoti: 06/08/2021 16:37

    Ku është ai thuthuqi për ta marrë në mbrojtje shokun e tij?

    Përgjigju
  • Poli: 06/08/2021 16:17

    Atehere i bie eshte per burgim, jo vetem heqje nga detyra

    Përgjigju
  • erini: 06/08/2021 15:29

    Aq te guximshem jemi ju media, sa keni vite e nuk guxoni te thoni emrin e ketij personazhi te botes se krimit. Lexon titullin e lajmit “ja njeriu i krimit…” dhe kur e lexon si lajm, ne asnje rresht nuk e lexon emrin. S’ju ve faj, se dhe ju keni familje, por ta pakten mos vini keto tituj vetem per klikime.

    Përgjigju
  • qytetari: 06/08/2021 15:25

    Nese e keni kapur me shkelje futeni direkt brenda.. Ja ku e keni peshkun pse hezitoni

    Përgjigju
  • Rrodhe: 06/08/2021 15:21

    Akoma me keto pyetje ju te gazetes ??? Pse nuk e beni sa eshte rroga e nje punonjesi ne BASHKI TIRANE ????? Po mereni me idiotesira

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?