Dokumenti i Kuvendit/ 7 arsye pse Berisha dhe Ruçi nuk do përjashtohen nga politika, si ra nisma për pastërtinë e figurës

30 Maj 2020, 15:00| Përditesimi: 30 Maj 2020, 16:56

  • Share

Komisioni i Ligjeve, përmes një dokumenti prej 12 faqesh, i kërkon Parlamentit rrëzimin e projektligjit për dekomunistizimin e politikës dhe shtetit shqiptar. Nisma ligjore për lustracionin u propozuar nga 20 deputetë të opozitës parlamentare, ndërsa parashikonte edhe përjashtimin nga politike të ish-kryeministrit Sali Berisha, kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi, deputetëve Spartak Braho, Fatmir Xhafaj etj., të cilët përfshiheshin në kategoritë ndaluese të projektligjit. Nisma ligjore parashikonte largimin nga politika dhe postet publike të të gjithë personave që kanë qenë anëtar të Partisë Komuniste dhe Partisë Punës, kanë qenë funksionarë të sistemit komunist, të shkolluar në shkollat e partisë, gjyqtarëve, prokurorëve, oficerëve të Sigurimit, bashkëpunëtorëve të Sigurimit etj. 

Në raportin e Komisionit të Ligjeve renditen 7 argumente se për projektligji për pastërtinë e figurës duhet të rrëzohet në parlament. Në raport thuhet se deputetët propozues nuk sqarojnë nevojë për hartimin e një nisme të tillë për lustracion, duke shtuar se personat me të kaluar komuniste nuk janë kërcënim për demokracinë. Sipas Komisionit të Ligjeve nisma është e njëjtët me ligjit e vitit 2008, i rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese dhe se nuk parashikohet një mekanizëm për vërtetimin e fajit të personave që janë objekt i projektligjit. Në dokument thuhet se nisma ligjore parashikon përjashtimin nga zgjedhja në kundërshtim me standardet ndërkombëtare dhe se nuk përcakton afate  lidhur me kohëzgjatjen e masës së lustracionit. 

Sipas Komisionit të Ligjeve, nisma ligjore për pastërtinë e figurës ose lustracionin kufizon të drejtën për t´u zgjedhur dhe për të punuar. Nisma ligjore është kundërshtuar edhe nga Ministria e Drejtësisë, përmes përfaqësuesit të saj Ilir Bejko, drejtor i Drejtorisë për Oponencën Ligjore pranë kësaj ministrie. Raporti që propozon rrëzimin e projektligjit pritet të hidhet në votim seancën e ardhshme të Parlamentit. Gjashtë vite më parë pati një tjetër përpjekje nga ish-deputetët Mesila Doda dhe Shpëtim Idrizi për miratimin e një ligji për lustracionin, ligj i cili u rrëzua gjithashtu nga Komisioni i Ligjeve si antikushtetues. 

7 arsyet sipas Komisionit të Ligjeve pse nisma e lustracionit duhet të rrëzohet 

1.    Së pari, projektligji dhe relacioni shoqërues nuk shpjegojnë nevojën që përcaktoi hartimin e kësaj nisme ligjore. Sipas udhëzimeve të KiE-së, lustracioni mund të përdoret vetëm për të eliminuar apo për të pakësuar në mënyrë domethënëse kërcënimin që vjen nga objekti i lustracionit për krijimin e një demokracie të lirë dhe të suksesshme përmes përdorimit nga ana e subjektit të një pozicioni të veçantë për t’u angazhuar në shkelje të të drejtave të njeriut apo për të bllokuar procesin e demokratizimit.

2.    Së dyti, nuk rezulton që në relacionin e projektligjit të jenë parashtruar shkaqe të shtuara nga ato që janë paraqitur në vitin 2008, për ligjin nr. 10034/2008, sikundër nuk është bërë ndonjë analizë në lidhje me ndryshimin e rrethanave kushtetuese, ligjore dhe të faktit, që mund të legjitimonin ndërmarrjen e kësaj nisme, për sa kohë rezulton se dispozitat e Kushtetutës, që u gjetën të shkelura nga ligji nr. 10034/2008, vijojnë të jenë të njëjta me ato që ishin në fuqi kur u morr vendimi përkatës i Gjykatës Kushtetuese nr. 9/2010.

3.    Së treti, projektligji nuk parashikon një mekanizëm të përshtatshëm, që vërteton fajin në baza individuale, ashtu siç rekomandohet nga Rezoluta e KiE-së. Projektligji nuk është i qartë dhe nuk parashikon në asnjë dispozitë të tij procedurën e verifikimit dhe organin kompetent për verifikimin dhe ndalimet.

4.    Së katërti, projektligji parashikon përjashtimin nga zgjedhja në kundërshtim me standardet ndërkombëtare, sipas të cilave lustracioni nuk duhet të zbatohet për funksionet e zgjidhshme përveçse kur kjo gjë kërkohet nga vetë kandidati — votuesit kanë të drejtë të zgjedhin këdo që ata dëshirojnë. 

5.    Së pesti, dispozitat e projektligjit nuk përcaktojnë një afat kohor lidhur me kohëzgjatjen e masës së lustracionit. Kjo nuk është në përputhje me udhëzimet e KiE-së, të cilat parashikojnë se “skualifikimi për pozicione zyrtare bazuar tek lustracioni nuk duhet të zgjasë më shumë se pesë vjet, pasi nuk duhet nënvlerësuar aftësia për ndryshim pozitiv në qëndrimin dhe zakonet e një individi”.

6.    Së gjashti, projektligji kufizon të drejtën për t´u zgjedhur, të sanksionuar në nenin 45 të Kushtetutës dhe nuk përputhet me rastet përjashtimore të përcaktuara në këtë dispozitë.

7.    Së shtati, projektligji kufizon të drejtën e punës dhe të drejtën e aksesit në shërbimet publike, pa respektuar kërkesat e nenit 17 të Kushtetutës dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e komisionmit të ligjeve)

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Alb: 30/05/2020 15:26

    Parlamenti eshte amanet i komunistave qe te jet dhe drejtohet ne kete form ketu dihet fare mir qe ashtu sikurse ne shume shtete te bashkimit sovjetik ardhja e demokracis u be nepermjet figurave komuniste dhe u vendosen po ata per te rruajtur zinxhirin mafioz drejtues dokumentat qe rruajn sherbimet sekrete perendimore kur te hapen me vone do flasin qart pse ndodhi keshtu dhe pse dhe ata ishin dakort te ndodhte keshtu sepse popuj te pa arsimuar dhe me nje potencial te fort terrori vtm ky lloj sistemi do ti kenaqte dhe mbante ne kontroll

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?