Dokumenti i qeverisë/ Në 2020 nis konfiskimi i pasurive të zyrtarëve të lartë nga SPAK-u

7 Korrik 2019, 07:19| Përditesimi: 7 Korrik 2019, 07:21

  • Share

Në vitin 2020 do të nisë goditja e korrupsionit në nivele të larta nga SPAK, përmes sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurive. Kështu parashikon plani i veprimit 2019-2023, për zbatim të strategjisë ndërsektoriale kundër korrupsionit, hartuar nga Ministria e Drejtësisë, ndërsa pritet të miratohet nga qeveria. Në planin e ri, për herë të parë, është përfshirë objektivi për goditjen e korrupsionit në nivele të larta, goditje e cila do të nisë në vitin 2020 nga Byroja Kombëtare e Hetimit, Prokuroria e Posaçme dhe Gjykata Speciale. Sipas dokumentit, ndëshkueshmëria e paligjshmërisë do të fokusohet drejt niveleve të larta drejtuese. “Një nën-tregues shtesë do të përfshihet, që nga viti 2020, për të vlerësuar performancën në kontekstin e veçantë të të ashtuquajturve "raste të korrupsionit në nivel të lartë".

Në këtë kuadër, "rastet e nivelit të lartë" përcaktohen si ato që lidhen me nenet 245 dhe 260 të Kodit Penal (që parashikojnë një dënim minimal prej 1 dhe 4 vjet). Krijimi dhe funksionimi me eficencë i Prokurorie se Posaçme (SPAK-ut) dhe i strukturave kundër krimit ekonomik. Forcimi i kapaciteteve në logjistikë dhe burime njerëzore i strukturave të hetimit të korrupsionit dhe krimit ekonomik. Rritja sasiore dhe cilësore e referimeve për vepra penale kundër korrupsionit nga agjencitë ligjzbatuese bazuar në përdorimin e mjeteve të posaçme të hetimeve si për regjistrimin e hetimeve proaktive, ashtu dhe për rritjen e eficencës në luftën kundër tij. Rritje me 5% në çdo vit numri i hetimeve proaktive në fushën kundër korrupsionit dhe krimeve në detyrë. Ndëshkueshmëria e paligjshmërisë, e fokusuar drejt niveleve të larta drejtuese”, thuhet në planin e veprimit. Drafti i Planit të Veprimit, 2019-2023, përmban 95 masa konkrete antikorrupsion të ngritura mbi bazë rezultati, performance, impakti, në funksion të 18 objektivave të Strategjisë Ndërsektoriale kundër Korrupsionit.

Në fokus konfiskimi i pasurive  
Sipas planit të qeverisë, goditja e korrupsionit në nivele të larta, do të bëhet përmes sekuestrimit të pasurive të paligjshme. “Numri i kërkesave për sekuestrim të pasurisë në rastet e korrupsionit. Në vitin 2018 është parashikuar të krijohet mekanizmi i raportimit të kërkesave për sekuestrim dhe indikatori është arritur. Objektivat për tu arritur në 2019, 2020, 2021, 2022 dhe 2023 janë: Në vitin 2019 sistemi i raportimit do të jetë funksional dhe të dhënat do të raportohen. Në vitin 2019 do të arrihet rritja e kërkesave për sekuestrim me 5 % krahasuar me vitin 2018; do të sigurohet raportim periodik gjatë viteve në vijim.

Sekuestrimi dhe konfiskimi i të ardhurave nga krimi paraqesin një mjet kritik represiv për korrupsionin, duke hequr stimujt financiarë për veprimtarinë kriminale. Rritja e efektivitetit të hetimeve (të cilat ndër të tjera mund të përfshijnë hetime më të mira financiare dhe procedura të gjetjes së aseteve) pritet, ndër të tjera, të rritet numri i kërkesave për sekuestrim të paraqitura nga prokuroria në gjykatë. Treguesi do të vlerësohet duke matur së pari përmirësimin e sistemit të ndjekjes (procesit) dhe më pas rritjen e numrit të përgjithshëm të kërkesave për sekuestrim në rastet e korrupsionit (performanca). Treguesi do të matet si nga numri i rasteve dhe numri i personave të përfshirë në akuza”, parashikon plani i veprimit.

Kusht për integrimin
Në dokument thuhet se lufta kundër korrupsionit përbën një nga 5 prioritetet kyçe që Bashkimi Evropian ka vendosur për Shqipërinë në rrugëtimin e saj të integrimit. “Korrupsioni është një kërcënim për demokracinë, mirëqeverisjen, konkurrencën e ndershme, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, shoqëror dhe politik të një vendi. Ai pengon rëndë zhvillimin ekonomik, duke krijuar një sistem pabarazie, paragjykimi e nepotizmi, duke shkatërruar besimin e njerëzve tek shteti i tyre, prandaj lufta kundër korrupsionit është sot një nga sfidat parësore të çdo shteti me kulturë demokratike, vizion dhe integritet të lartë.

Kjo problematikë e bartur ndër vite e mjaft komplekse, është kthyer në një nga çështjet më sensitive për shoqërinë tonë, dhe si e tillë lufta kundër korrupsionit nuk përbën vetëm një prioritet për Qeverinë Shqiptare, por përbën një nga 5 prioritetet kyçe që Bashkimi Evropian ka vendosur për Shqipërinë në rrugëtimin e saj të integrimit në familjen evropiane. Qeveria ka dhe do vazhdojë në mënyrë të pandalur të ketë një vullnet të palëkundur në luftën kundër korrupsionit, përmes aksioneve parandaluese, masave ndëshkuese dhe aktiviteteve ndërgjegjësuese”, thuhet në dokument.

Komento

Komente

  • Llafi sigurt: 07/07/2019 09:04

    Aman se mos heton njeri pasurin e Fatos Nanos. Jo per gje po ai i ka len dhe bixhoz.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?