Pallati në rrezik shembjeje

Dokumenti/ Instituti i Ndërtimit rikonfirmon ekspertizën dhe vendimin e tij për prishjen e Pallatit nr.4 në rr. “Myslym Keta”: “Është i rrezikshëm”

17 Dhjetor 2022, 13:08| Përditesimi: 17 Dhjetor 2022, 13:19

  • Share

14 familje të pallatit në rrugën ‘Myslym Keta’ në Tiranë vijojnë të kundërshtojnë të lënë banesat e tyre nga godina që është shpallur e dëmtuar rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Sipas procedurave, banorët janë njoftuar prej kohësh se pallati do të shembet më 19 dhjetor, ndaj të enjten autoritetet ndërprenë energjinë elektrike dhe rreth orës 4 të mëngjesit të së premtes ndërprenë edhe ujin.

Ditën e sotme ka qenë Instituti i Ndërtimit, i cili është institucioni që bën vlerësimin dhe ekspertizën teknike për sigurinë e një ndërtese që konsiderohet e dëmtuar, dhe që ka vlerësuar të gjithë pallatet pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, i cili ka rikonfirmuar nëpërmjet një shkrese që mban datën 15 dhjetor 2022, se Pallati Nr.4 në rrugën “Myslym Keta” në Tiranë, paraqet rrezik të lartë për banorët dhe duhet shembur.

Përmjes një njoftimi Bashkia Tiranë bën me dije se nisur nga pretendimet e disa familjeve që banojnë në pallatin në fjalë, në një shkresë drejtuar së fundi kreut të Institutit të Ndërtimit, Artan Shkreli, i është kërkuar një rikonfirmim të Oponencës Teknike, të kryer nga ky institucion që në vitin 2020, e cila ka dalë në përfundimin se pallati është i pabanueshëm për shkak të dëmtimeve të rënda në strukturë.

Në përgjigje të shkresës, Instituti i Ndërtimit që sot drejtohet nga ish zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë në qeverisjen socialiste dhe ish këshilltari i Kryeministrit, Edi Rama, Artan Shkreli, e rikonfirmon oponencën e vitit 2020.

“Në bazë të kërkesës suaj, Nr. 44366 Prot, datë.15.12.2022, protokolluar me tonën me Nr.2212 Prot, datë.16.12.2022, "Kërkesë për rikonfirmim të Oponencës Teknike", për objektin: "Pallati Nr.4", Rruga "Myslym Keta", Njësia Administrative Nr.4, Tiranë, ju vëmë në dijeni se: Në mungesë të dokumentacioneve të reja, për këtë objekt, rikonfirmojmë oponencën teknike me Nr. 1924/2 Prot , datë.05.08.2020, të bërë mbi bazën e materialeve të paraqitura nga ana juaj”, thuhet në përgjigjen e Artan Shkrelit.

Në vitin 2020, pas analizave të kryera nga inxhinierët dhe ekspertët, Inspektoriati Ndërtimor ka dalë në përfundimin se “Pallati 4, rruga ‘Mylsym Keta”, Tiranë duhet të prishet dhe të ndërtohet e re”.

Është pikërisht kjo ekspertizë e Institutit të Ndërtimit i cili vë në lëvizje, sipas ligjit, Bashkinë e Tiranës, që ka për detyrë ta zbatojë atë, duke marrë masat për shembjen e pallatit dhe strehimin e familjeve në apartamente të reja. Në këtë rast, Bashkia e Tiranës ka dhënë zgjidhjen se familjet të strehohen në pallatet e reja të ndërtuara në lagjen “5 Maji”. 30 familje e kanë pranuar këtë zgjidhje dhe jetojnë tashmë në shtëpitë e reja.

Bashkia e Tiranës akuzon Belind Këlliçin, i cili do të jetë kandidati i Berishës përballë Erion Veliajt në garën e 14 majit, se po nxit disa familje të Pallatit nr.4 në rr. Myslym Keta, që të mos e pranojnë zgjidhjen e bashkisë, por të qëndrojnë në pallatin e dëmtuar, duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre dhe të fëmijëve të tyre. Nuk dihet pse Belind Këlliçi në këtë rast akuzon vetëm Bashkinë e Tiranës, duke lënë qëllimisht jashtë akuzave Institutin e Ndërtimit dhe drejtorin e tij, Artan Shkrelin, hartuesin e ekspertizës që legjitimon shembjen e pallatit.

Gjithashtu, nuk dihet pse Belind Këlliçi ka kallëzuar sot në SPAK vetëm Bashkinë e Tiranës për këtë proces, dhe ka lënë jashtë padisë Institutin e Ndërtimit, edhe pse ky është institucioni që ka iniciuar zinxhirin e vendimeve që pasojnë prishjen e Pallatit Nr. 4 në rr. Myslym Keta. Ndoshta përgjigjen për këto dy dyshime mund ta japë vetëm Belind Këlliçi.

Për Report Tv bashkia e Tiranës ka sqaruar dje se banorët marrin bonus qiraje prej 2 vitesh, por se ka qenë zgjedhje e disa prej tyre të qëndrojnë në pallatin e dëmtuar. Sipas Bashkisë, banorët e tjerë të këtij pallati janë bërë pjesë e shortit dhe kanë përfituar apartamente në lagjen e re të rindërtuar te “5 maji”.

Përgjigja e Institutit të Ndërtimit

Ora 14:43
Belind Këlliçi: Banorët e pallatit në rr. 'Myslym Keta' nuk janë kundër shembjes, por kërkojnë t'u jepet e njëjta sipërfaqe me atë që kanë

 

Kandidati i Sali Berishës për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi në një deklaratë për shtyp, nga selia blu ka thënë se banorët nuk janë kundër shembjes s pallatit në rrugën 'Myslym Keta', por kërkojnë që në ndërtimin e ri t’u jepet e njëjta sipërfaqes me atë që kanë aktualisht, dhe gjithashtu një vend ku të fusin kokën deri kur të ndërtohet pallati i ri.

Sipas Këlliçit, në vend të plotësimit të këtyre kritereve që çdo shtet normal duhet t’i plotësojë, Erion Veliaj i konsideron rebelë dhe kundështarë, dhe u çon pa zbardhur sabahu, Policinë, OSHEE-në dhe Ujësjellësin, me qëllim largimin me forcë të tyre dhe prerjen e dritave dhe të ujit.

Deklarata e plotë:
Së pari, dua t’i shpreh ngushëllimet dhe solidaritetin, në emrin tim dhe të Partisë Demokratike, familjes Bozhiqi, që humbi njeriun e dashur në tensionin e përballjes me rrugeçërit e Policisë, Ujësjellsit dhe OSHEE, në rrugën Myslym Keta. Por, barrën e fajin e ka porositësi, jo mercenarët, dhe i tillë është vetëm Erion Veliaj.

Për Erion Veliajn dhe Edi Ramën kam një pyetje direkte dhe të thjeshtë: a mund t’i linit bashkëqytetarët tanë, nënshtetasit tuaj, taksapaguesit e Republikës, nënat, etërit, motrat dhe vëllezërit e dikujt, që të paktën të kalonin festat në shtëpitë e tyre?

Çfarë ishte ky nxitim për t’i nxjerrë në mes të katër rrugëve 10 ditë para Krishtlindjes dhe 15 ditë para Vitit të ri? Si ka mundësi që, prishjen e ndërtimeve dhe nxjerrjen e njerëzve nga shtëpitë, e bëni ose në fillim të verës, mu në prag të sezonit turistik, ose në prag të festave, kur shqiptarët mblidhen me familjet e tyre?

A jeni të poshtër, të çmendur apo i urreni shqiptarët? Me poshtërsi, çmenduri dhe urrejtje u veprua edhe në rrugën Myslym Keta. Kronologjikisht historia është kjo: Një ditë pas tërmetit të 26 nëntorit shteti leshon një shkresë ku e shpall pallatin të pabanueshëm. 10 ditë më vonë lëshon një shkresë tjetër ku e konsideron të banueshëm, pasi nuk “ka dëme strukturale”.

Dhe jeta vazhdon për banorët e pallatit numër 4 në rrugën Myslym Keta në Tiranë, deri në një tekë të radhës të Erion Veliajt, që merr vendimin e ri për shembjen e pallatit. Banorët nuk janë kundër shembjes, por kërkojnë që në ndërtimin e ri t’u jepet e njëjta sipërfaqe me atë që kanë aktualisht, dhe gjithashtu një vend ku të fusin kokën deri kur të ndërtohet pallati i ri.

Në vend të plotësimit të këtyre kritereve që çdo shtet normal duhet t’i plotësojë, Erion Veliaj i konsideron rebelë dhe kundështarë, dhe u çon pa zbardhur sabahu, Policinë, OSHEE-në dhe Ujësjellësin, me qëllim largimin me forcë të tyre dhe prerjen e dritave dhe të ujit. Kam edhe një pyetje për ju të dashur qytetarë të Tiranës: nëse keni një problem me dritat ose ujin, në orën 4.45 të mëngjesit dhe merrni Bashkinë apo OSHEE, a ju vjen kush? Pse, atëherë për të prerë dritat dhe ujin gjinden njerëz që t’u shkojnë qytetarëve në orën 4.45 të mëngjesit?

Pse kur kërkohen shërbime nga qytetarët nuk jepen, por kur kërkohet krime bashkia i sjell që pa gdhirë? Sepse kjo është fytyra e Veliajt dhe Ramës. Terror kundër qytetarëve, sepse duhet të na kenë frikë. Patronazhistë pas qytetarëve, që të na kenë frikë. Taksa të larta mbi ta, që ta ulin kokën. Të dashur qytetarë të Tiranës: ju ftoj të mos dorëzoheni, ju bëj thirrje të mos kini frikë, ju nxis të ngriheni kundër këtij regjimi dhe ta refuzoni propagandën e tij. Me rezistencë dhe me votë të lire, me 14 maj, do t’i nxjerrim ne këta nga zyrat, që i kanë marrë me patronazhistë dhe me vjedhje dhe i mbajnë me mashtrime dhe krime.

K.T./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Termeti: 17/12/2022 17:39

    O Belind! Ti je djale i zgjuar , i shkolluar dhe e di shume mire se po nuke ke shtepine e siguruar nuk kr c’fare ti kerkosh shtetit. Duhet te presin c’fare ti jape shteti dhe ti ghone faleminderit. Mos e ndro mbiemrin nga Kellic Krric!

    Përgjigju
  • Muzaka i Ri: 17/12/2022 13:54

    Po le te banoj Kerrici atje me gjithe sorollopin e tij qe e mbeshtesin, dhe tu gjej vend tjeter atyre fatkeqve qe u ka rene halli.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?