ERSEKË - Pas 15 vitesh në hije, futbolli në Ersekë duket se po sheh 'dritë në fundin e tunelit'. Në qytetin e vogël juglindor ka rilindur sërish besimi për të parë ekipin e futbollit Gramozi në elitën e Shqipërisë.
Pas kërkesës së biznesmenit italian Gerardo Masucci për të blerë klubin e Gramozit dhe me propozimin e kryebashkiakut Erion Isai dhe miratimin e Këshillit Bashkiak të Kolonjës, Klubi i Futbolli Gramozi ka tanimë një pronar të ri.
Gerardo Masucci, sipas dokumentave që Shqiptarja.com disponon, do investojë në aktivitetin sportiv, duke ndihmuar në përmirësimin e infrastrukturës dhe mbështetjen financiare të klubit.
Plani është për ndërtimin e një akademie futbolli model, një hoteli me pesë yje dhe fushave që do bënin që edhe klube të tjera të zhvillonin fazën përgatitore në Ersekë gjatë verës, kjo pasi klima e freskët e lejon.
Në prezantimin e presidentit të ri në ambientet e Bashkisë së Kolonjës në Ersekë, ishin prezent disa nga figurat më të spikatura të futbollit kolonjar, mes të cilëve edhe trajneri legjendar i Gramozit, Ilir Qirjako.
Në fjalën e tij, kryebashkiaku Erion Isai tha se për tre sezone ambicia është që Gramozi të luaj në Superligë, ndërsa në gushtin 2026 dëshira është që kampionët aktualë të Serie A, Napoli, të zhvillojë një miqësore në Ersekë.
"E shoh si zhvillim ekonomik dhe të një investimi çka sporti sjell si kontribut në shëndet. Gerardo ishte kërkim dhe vetëofrim, për të parë një investim ku ekonomia, turizmi i sjelljes së ekipeve apo akademive është hap i parë. Do shohim ndërtimim e një hoteli më gjithë facilitetet që ekipet duan dhe kushtet stërvitore, ngritjen e ekipeve të moshave. Për 2-3 vite, se unë nuk kuptoj nga futbolli, duam të jemi në Superligë. Duam që gushtin që vjen në Ersekë të kemi një miqësore me Napolin", tha Isai në fjalën e rastit.
Gjithashtu, pritet që këtë muaj në Ersekë të mbërrijë edhe kreu i FSHF-së, Armand Duka, për të folur për investimin në fusha stërvitore, të nisura prej kohësh në zonën pranë stadiumit 'Gramozi' në Ersekë, në ish-zonën e 'Ushtrisë'.
HISTORIA
Kulmi sportiv i KF Gramozit ishte në sezonin 2009-10, me klubin që siguroi pjesëmarrjen në Superligë për një edicion, si edhe zhvilloi një miqësore kundër Real Madridit në stadiumin 'Qemal Stafa' në Tiranë më 20 janar 2010, fituar 1-2 nga 'Galaktikët'. Veç ndeshjes, të gjithë e mbajnë mend këtë miqësore pasi në stadium për më shumë se 1 orë u ndërpre energjia elektrike.
Prej atij viti, Gramozi për disa sezone luajti në Kategorinë e Parë, për të zbritur më pas në të Dytën. Këtë sezon ekipi militon në Kategorinë e Tretë, por duket se një erë e re zhvillimi ka mbërritur në qytetin e vogël juglindor.
Dokumenti i kalimit të 'KF Gramozit' te presidenti i ri, Gerardo Masucci
Komente

Ti do e shikoj nga 7 penxheret Napolin po ja dhe pak
Përgjigju