Foto nga dokumenti

Dosje

DOKUMENTI/ Kur nëna e Donika Gërvallës i lutej Enver Hoxhës ta pranonte anëtare partie

3 Qershor, 12:30| Përditesimi: 3 Qershor, 14:19

  • Share

Suzana Gërvalla, gruaja e Jusuf Gërvallës, i ka kërkuar Enver Hoxhës në vitin 1982, sapo ishte vendosur në Shqipëri, që të bëhej anëtare e Partisë së Punës së Shqipërisë, pasi, siç theksonte ajo, ishte e brumosur me mësimet e Enver Hoxhës prej burrit të saj.

Në letrën e saj përgjëruese drejtuar Enver Hoxhës dhe Nexhmije Hoxhës, ajo dërgon edhe përshëndetjet e fëmijëve të saj, mes të cilëve edhe të Donika Gërvallës, sot ministre e Jashtme e Kosovës.

Në letër thuhet:

“Kemi jetuar me bukë e pa bukë, emri Juaj na ka dhënë forcë, mësimet Tuaja na kanë ndriçuar rrugën. Zërin Tuaj e kemi përcjellë tek zemrat e kosovarëve. Im shoq, Jusufi, ishte publicist, poet, kompozitor, piktor; por nuk mburrej me asgjë, përveç me fjalët: ‘JEMI ENVERISTË’.”

Në fund të letrës ajo shkruan:
“Si Jusufi, ashtu edhe unë, ëndrrën më të madhe të jetës e kemi pasur të pranoheshim si komunistë në gjirin e PPSH. Jusufi ra, unë shpreh dëshirën e zjarrtë të bëhem komuniste, duke qenë në gjendje të përmbush të gjitha kushtet që parashikon Statuti!”

Letra e plote

I DASHUR SHOKU ENVER,
E DASHUR SHOQJA NEXHMIJE,

Përpara se të shpreh mirënjohjen e thellë për tërheqjen time në Atdhe dhe kushtet e shkëlqyera që më janë krijuar (pa përmendur ngazëllimin dhe nderin që na shkaktoi mua dhe fëmijëve vizita e shoqes Nexhmije); përpara se të shënoj falënderimet nga thellësia e zemrave të të tre fëmijëve, që UDB-ja jugosllave u përpoq t’i linte jetimë, duke vrarë tim shoq, Jusufin, por harruan se për bijtë e vërtetë të Shqipërisë është prindja kurrë e pavdekshme – Partia, e kam amanet, Shoku Enver, t’Ju përcjell dashurinë, respektin dhe mirënjohjen e pakufishme të burrit tim, Jusuf Gërvalla! Kemi jetuar me bukë e pa bukë, emri Juaj na ka dhënë forcë, mësimet Tuaja na kanë ndriçuar rrugën. Zërin Tuaj e kemi përcjellë tek zemrat e kosovarëve. Im shoq, Jusufi, ishte publicist, poet, kompozitor, piktor; por nuk mburrej me asgjë, përveç me fjalët: “JEMI ENVERISTË”.

Ai dinte përmendësh pasazhe të tëra nga të gjitha veprat Tuaja. Sa herë në hall, brenga e mjerime në botën e betejshme perëndimore, ne kemi folur gojë më gojë, duke u ruajtur mos na përgjonin edhe muret, përmendnim PPSH-në e na rrehte zemra. Kemi ëndërruar për të ardhmen e Kosovës. Në çdo episod të bisedave, dëshirave dhe ëndërrimeve të ndezura, strumbullar ka qenë emri Juaj, i cili sa është i dashur dhe i shtrenjtë për kosovarët, aq është bërë i njohur në tërë botën. Kemi hequr kafshatën prej goje për të botuar gazeta e revista, ku kemi asimiluar mësimet dhe bindjet Tuaja patriotike-politike-filozofike dhe i kemi shpërndarë, duke përbiruar përmes hordhive të agjenturës jugosllave dhe të të gjitha ngjyrave reaksionare.

Jam krenare që im shoq, Jusuf Gërvalla, vërtet ra në frontin më tragjik të ideologjisë dhe të patriotizmit, por mund të them me thjeshtësi se ai arriti të krijojë një bërthamë revolucionarësh sipas mësimeve të PPSH-së, që do të vazhdojë luftën deri në fitore! Janë revolucionarë, patriotë të tillë që kanë vetëm një alternativë: “Me vdekë ose me fitue!” Prandaj nuk mund t’ua tronditë asgjë qëllimin e fitores!

Im shoq, me dy plumba të UDB-së në shpatull, me të tretin në bark, kur e ndanin disa sekonda nga jeta, porositi:
“Fëmijët të m’i rritësh trima! Dhe kur të uleni, edhe kur të ngriheni, emrin e shokut Enver do ta keni në gojë!”

Amanetin e Jusufit e kryejmë ne, edhe Ergoni katërvjeçar përdor si himn vargjet që ia ka mësuar i ati:

“Jam i vogël, kurrgjë s’di,
Veç dy fjalë për Shqipëri,
Për flamurin kuq e zi,
Për ENVERIN, për PARTI”

Ditën që jemi nisur për në Atdhe, jam betuar përpara varrit të Jusufit, betohem edhe përpara Jush, shoku Enver, se rrugën e Jusufit do ta ndjek, do të jem gati të jap gjithçka prej vetes ku e lyp interesi i Atdheut dhe i Partisë, do t’i edukoj fëmijët edhe më tej me frymën e lartë të partishmërisë proletare, do të ndjek fakultetin për t’u bërë sa më e aftë.

Së fundi, s’di si t’Ju falënderoj që, midis gjithë atyre punëve që keni, si Ju, ashtu edhe shoqja Nexhmije, gjeni rastin të na kujtoni me dhurata që na rrisin krenarinë mua dhe fëmijëve të mi. Kam një kërkesë, ndoshta të tepërt: do të doja një shënim nga dora Juaj, shoku Enver, qoftë edhe në një nga librat që më keni dhuruar, asisoj, më bëhet se do t’i bëhej qejfi e do të krenohej edhe Jusufi në varr, atje larg, në dhe të huaj!

Ju përqafojmë me mall dhe ju urojmë jetë të gjatë.
Unë, Suzana
Fëmijët: Premtimi, Donika, Ergo
Tiranë, më 28-6-1982

SHËNIM:
Si Jusufi, ashtu edhe unë, ëndrrën më të madhe të jetës e kemi pasur të pranoheshim si komunistë në gjirin e PPSH. Jusufi ra, unë shpreh dëshirën e zjarrtë të bëhem komuniste, duke qenë në gjendje të përmbush të gjitha kushtet që parashikon Statuti!/TEMA

H.K/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Bëri mirë Berisha që akuzoi Shqipërinë si narkoshtet në samitin e PPE?