FIER- Disa naftëtarë janë shoqëruar në polici mesditën e sotme, pas protestave të organizuar një ditë më parë para rafinerisë. Report TV mëson se naftëtarët akuzohen për shkatërrim të pronës publike, pasi tentuan të futen më forcë në rafineri, si edhe kundërshtim të forcave të policisë. U shoqëruan në Polici G. M., 60 vjeç; N. L., 58 vjeç; B. H., 54 vjeç; J. H., 54 vjeç; K. J., 46 vjeç; R. H., 53 vjeç; L. H., 54 vjeç; A. I., 48 vjeç dhe A. N., 56 vjeç, ndërsa u liruan pas 5 orësh marrje në pyetje në Komisariatin e Fierit, ato janë liruar.
Ata po procedohen në gjendje të lirë të akuzuar për veprat penale"Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme", "Prishja e qetësisë publike" dhe "Shkatërrimi i pronës" pasi u grumbulluan përpara uzinës dhe tentuan të hyjnë me forcë në ambientet e brendshme të saj, duke dëmtuar derën kryesore.
Naftëtarët dolën një ditë më parë në protestë ku kërkuan rifillimin e punës në rafineri si dhe likuidimin e pagave të prapambetura. Naftëtarët kërkuan që të bëhet transparencë mbi punimet që po kryhen nga një kompani private e cila ka futur disa automjeteve dhe një autobus me punëtore në orët e para të mëngjesit të djeshëm që i nxiti naftëtarët të mblidhen para rafinerisë. Ata kërkojnë të mos kryhet asnjë veprim pa u bërë likuidimi i plotë i rrogave te prapambetura.
Prej ditësh, ata theksojnë se kanë informacione se uzina do të shitet për skrap duke theksuar se nuk do ta lejojnë një gjë të tillë duke paralajmëruar për përshkallëzim të protestës në rast se do të tentohet të nxirren objekte nga rafineria. Pavarësisht protestave të njëpasnjëshme, nuk ka ende një reagim zyrtar nga autoritetet nëse uzina do të shkojë vërtetë për skrap, ndërsa për naftëtarët është përcaktuar një pagë prej 30 mijë lekësh në muaj për 2 vitet në vijim. Megjithatë kjo zgjidhje nuk i ka kënaqur ata, teksa theksojnë se nuk kërkojnë lëmoshë, por atë që i takon për të gjitha vitet që kanë punuar në uzinën e Ballshit.