Tirana ka arritur të fitojë duelin jetik për mbijetesën kundër Skënderbeut. Edhe pse vinin me 9 mungesa, kryesisht për shkak të kartonëve në derbi, bardheblutë ia dolën 1-0 në Elbasan Arena me një penallti të realizuar në minutën e 85 nga Bajroviç, pasi e fitoi 16-vjeçari Serxho Vogli, i aktivizuar si zëvendësues në pjesën e dytë.
“Një fitore që na jep qetësinë. Një fitore e vuajtur ku erdhën 3 pikë duke mos bërë lojën tonë më të mirë. Kishim mundësi për më mirë. Skënderbeut pati momentet e veta kur mund të shënonte, por për fatin tonë të mirë sot futbolli na ktheu atë që ndoshta na ka munguar në ndonjë ndeshje të mëparshme,”-u shpreh Bledi Shkëmbi, trajner i Tiranës.
Me këtë fitore, pas shumë javësh, Tirana doli nga zona e ftohtë, duke u ngjitur në vendin e 7 me 26 pikë, ndërsa Skënderbeu zhytet akoma më shumë në vendin e fundit, teksa pas 25 javësh ka vetëm 20 pikë.
“Humbjet gjithmonë janë të vështira dhe jo të mira. Për momentin Skënderbeu po e vuan këtë punën e humbjes edhe të vendit ku jemi. Kështu është futbolli. Sot ndeshja u nda me një penallti. Ndoshta mund të kishte penallti edhe për ne në momentin e Mihës, por nuk u vlerësua nga VAR. Vlerësoi tjetër penallti. Kjo ishte ndeshje shumë e vështirë dhe shumë e rëndësishme për të dyja skuadrat. Edhe presioni e tensioni ndihet nga të dy kahët,”-tha Ernest Gjoka, trajner i Skënderbeut.
Po të dielën Laçi fitoi 3-0 kundër Teutës, duke i lënë durrsakët në vendin e parafundit, ndërsa të shtunën Bylisi barazoi 1-1 me Elbasanin, Dinamo e mbylli pa gola me Vllazninë dhe Egnatia mposhti 2-0 Partizanin në supersfidën e javës. Për rrogozhinasit kjo ishte fitorja e 6 radhazi në Superligë, duke bërë që të shkëputen në krye me 4 pikë më shumë se Vllaznia e vendit të dytë.
Komente
