Kultura

Dollia shqiptare, zyrtarisht vlerë kombëtare e trashëgimisë! Studiuesi Sherif Bundo: Të përgatitet dosja për në UNESCO

21 Korrik, 15:33| Përditesimi: 21 Korrik, 18:39

  • Share

Një dukuri zakonore në formën e një rituali familjar që ka të bëjë në radhë të parë me bashkimin e njerëzve në raste familjare ose shoqërore, dollia përfaqëson një shkallë të lartë të mikpritjes shqiptare. Ajo ka si objekt respektimin dhe vëmendjen ndaj mikut, me krijimin e një klime të ngrohtë dhe bujare për të dhe pikërisht për këto vlera, dollia njihet tashmë si vlerë kombëtare e trashëgimisë.

Sherif Bundo, autor i monografisë “Dollia shqiptare, institucioni shqiptar i mikpritjes”, tregon shtrirjen gjeografike të këtij riti, karakteristikë kryesisht e Jugut.

“Dollia, më e përhapur historikisht është në ato zona që në këndvështrimin historik, po t’i referohemi periudhës së Mesjetës, përputhen me hapësirat në të cilat është shtrirë principata e Muzakajve. Dollia më e përhapur është në zonat rurale të Skraparit, të Përmetit (Dishnicë, Dangëlli), të Tepelenës, Kurveleshit, të Mallakastrës, të Beratit, të Gramshit, të Librazhdit, të Pogradecit (Mokra, Gora, Opari), të Devollit, të Kolonjës etj. Por elementë të dollisë gjejmë dhe në zona të Veriut, si në disa fshatra të Pukës",- është shprehur Bundo për Report Tv. 

Çdo sofër më parë kishte një dollibash që diktonte rregullat, ndërsa ky ritual ndryshon sipas zonave.

“Në Skrapar dominon dollia zabërzan, ndërsa në zonën e Gramshit dominon dollia sulovarçe. Në zonën e Mokrës dollia është akoma më e fortë, është më rigorore, me një numër më të madh shëndetesh. Morali e filozofia e dollisë nuk qëndron te sasia e alkoolit që pihet, por lidhet te forca, magjia e fjalës, hierarkia, respekti e dashuria që shpreh",- tha Bundo. 

Studiuesi Bundo, thotë se tashmë është hapur rruga që dollia të njihet si pasuri edhe nga UNESCO.

“Ashtu siç është miratuar kënga polifonike, ashtu siç është miratur xhubleta, ashtu siç janë miratuar elementë të tjerë të pasurisë kombëtare jomateriale e meriton që dhe dollia të miratohet, duhet të fillojë të përgatitet dosja për në UNESCO",- deklaroi Bundo. 

Rituali i Dollisë gjatë shekujve ka marrë trajtën e një kodi moral të respektuar dhe zbatuar në të gjithë hapësirën tonë, në të cilën ndërlidhen shumë elemente të tjerë të trashëgimisë sonë shpirtërore.

K.M/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 22/07/2025 05:22

    Z.Bundo,nuk mund ta quash dolline /institucion shqiptar i mikpritjes/.Si vlere kombetare-O.K.Por ta vesh ne te njejtin nivel me polifonine apo xhubleten,nuk eshte e drejte,nuk ja vlen as per UNESCO,si te mbahemi mend ne kulturen boterore,si pijanece,qe ngreme dolli e gota pa fund?.Dollia me shume se sa shprehje e mikpritjes shqiptare,eshte simbol i pijaneceve e sahrrosheve dhe mos harroni qe ritualin e dollise nuk e kemi vetem ne,por dhe Rusia dhe shumicat e ish-republikave te tjera te BS,edhe ata pine,bile me shume se sa ne.Kam lexuar nje here nje liber per Stalinin e se si u njoh me Berian.Njohja e tyre u be pikerisht nepermjet keti rituali te dollibashit.Thjesht,nuk eshte nje gje per te cilen duhet te mburremi,apo te jemi krenare.Ashtu sic keshillohet qe te mos dalesh foto asnjehere me gote perpara per imazhin e gabuar qe krijon,ashtu eshte dhe dollia ne UNESCO.Nuk duhet te mbahemi mend si popull pijanec e qejfli per rakine.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    9 vite nga reforma në drejtësi, a janë përmbushur pritshmëritë?