Zoti na ka vendosur si popull në një kontinent shumë të veçantë. Në këtë kontinent, që ne e quajmë Evropë, u ngjizën ata që sot janë themelet e zhvillimit të botës, sidomos e Drejta, Filozofia dhe Shkencat. Edhe sot e kësaj dite ky mbetet, sipas mendimit tim, vokacioni thelbësor i Evropës: të çojë përpara kërkimin rreth këtyre aspekteve, që qëndrojnë në themelet e zhvillimit të botës moderne, pa harruar reflektimin mbi çka qëndron përtej tyre. Evropa o bën këtë, ose bie!
Në këtë kuptim, Evropa, duke nisur nga agimi i saj, është paradigmë për çdo shoqëri tjetër jashtë-evropiane. Është një model tashmë i dëshirueshëm prej shumë anëve e shoqërive të planetit. Ajo mbetet ende e lakmueshme. Nuk ka se si të kuptohet ndryshe fakti që vazhdimisht “bregu i shpresës”, për valët e shumta migruese e jo vetëm ekonomike, por edhe të përmasës kulturore e akademike, mbetet bregu evropian. Ajo Evropë, që ne kemi sot, është rezultat i një procesi të gjatë historik edhe pse një proces i cili nuk e dimë ende se ku do ta çojë kontinentin e vjetër. “Të pyesësh se çfarë do të jetë Evropa nesër apo se çfarë është ajo sot do të thotë para së gjithash të pyesësh si u bë Evropa ajo që është” (Gadamer). Evropa që kemi sot është një bashkim rrjedhash historike, ndërthurje sistemesh mendimi dhe ngjarjesh të shumta përgjatë historisë.
Edhe nga ana kulturore apo religjioze sot Evropa është “kontinenti i kulturave” dhe “i feve”. Jo pa qëllim edhe në kurorëzimin e Mbretit Karli III i Anglisë u fol për “faiths” e jo vetëm thjesht për “faith”. Pluraliteti kulturor dhe ai fetar, që për GJERGJ META Evropa nuk mund të vdesë tërësisht hir të së vërtetës e ka karakterizuar gjithmonë Evropën, është një fakt i pamohueshëm, madje një vlerë e shtuar e saj atëherë kur ato, kulturat dhe fetë, jetojnë në paqe me njëra-tjetrën dhe me shoqërinë ku janë të shartuara e ku përjetohen nga individë dhe grupe.
Evropa nuk është vetëm një fakt gjeografik. Po çfarë është tjetër ajo? Po e them me fjalët e filozofit çek Jan Patocka (1907-1977): “Flitet pa fund për Evropën në kuptimin politik, por anashkalohet çështja për të ditur se çfarë realisht ajo është dhe ku ka lindur. Ne duam të flasim për bashkimin e Evropës. Po a është Evropa diçka që mund të bashkohet? Bëhet fjalë për një koncept gjeografik apo tërësisht politik? Jo! Nëse duam të përballemi me çështjen e situatës tonë aktuale, duhet të kuptojmë se Evropa është një koncept që bazohet mbi themele shpirtërore e kështu mund të marrim vesh se çfarë kuptimi ka pyetja”. Kjo gjë na thotë akoma sot një të vërtetë tjetër: Evropa nuk përkon tout-court me Bashkimin Evropian, që, për sa i rëndësishëm është, mbetet gjithmonë një marrëveshje, një kontratë, midis një pjesë të vendeve evropiane, por që ende nuk përqafon të gjithë Evropën dhe të gjitha vlerat e saj. Madje, kontrata nuk thotë gjithçka rreth thelbit të saj.
Po ne shqiptarët, që gjeografikisht i përkasim këtij kontinenti, në ç’status jemi në krahasim me të? Është fakt që qysh me fillimin e kohës moderne, aty ku ndahet mesjeta me të, këta vise, që më vonë do të merrnin emrin Shqipëri, duke u formësuar në vitin 1912 si komb më vete, mbetën jashtë proceseve që çuan drejt Evropës që ne kemi sot. Nuk u zhvillua as mendimi, as industrializimi, as shkencat e as procese të tjera sikurse revolucioni iluminist, zhvillimi i shkencave, reflektimi metafizik rreth tyre, apo të tjera të ngjashme. Ne mbetëm jashtë atyre proceseve edhe pse përjetuam procese të tjera. U orvat Monarkia të krijonte një shtet modern dhe laik, por nuk u arrit, për shkak se trashëgimia perandorake i kishte rrënjët e thella dhe Lufta e Dytë Botërore, në mbarimin e saj, solli regjimin komunist duke e shkëputur edhe një herë Shqipërinë nga proceset evropiane. Këtë proces rilidhjeje me Evropën, shoqëria jonë e nisi me rënien e regjimit komunist. Me siguri që 30 e pak vite nuk janë të mjaftueshme për të rindërtuar ato ura të domosdoshme me Evropën që, më shumë se sa detaje teknike, janë dimensione shpirtërore dhe kulturore, sikurse arsimi, demokracia, kultura e drejtësisë dhe e shtetbërjes apo ajo civile e qytetarëve të saj. Përafrimi i disa standardeve me BE nuk do të thotë patjetër që Shqipëria ka kapur orën e mbetur mbrapa të shpirtit evropian. Sipas mendimet tim aktualisht tri janë problemet më të mëdha që Shqipërinë nuk e bëjnë ende Evropë në kuptimin më të thellë të saj: drejtësia, arsimi dhe funksionimi i demokracisë. Në të tria këto përmasa jemi shkëputur shumë nga Evropa e universiteteve, e institucioneve të drejtësisë dhe e funksionimit të demokracisë e duhet ende rrugë e gjatë dhe shumë mund për të arritur aty.
Në Ditën e Evropës uroj që të mos ketë kthim mbrapa, por që Reforma në drejtësi, kërkimi shkencor dhe ndërtimi i demokracisë të jenë përparësi të çdo qeverie e qytetari të Shqipërisë.
Përkundër zërave që flasin për fundin e Evropës më pëlqen të citoj filozofen spanjolle Maria Zambrano (1904-1991) e cila thoshte: “Evropa nuk ka vdekur, Evropa nuk mund të vdesë; ajo është në agoni. Pasi Evropa është ndoshta e vetmja gjë – në histori – që nuk mund të vdesë e gjitha, e vetmja gjë që mund të ringjallet. Ky parim ringjalljeje do të jetë edhe ai i jetës së saj dhe i vdekjes së saj të përkohshme”.