Donald Trump

Bota

Donald Trump: SHBA në bisedime të drejtpërdrejta me Iranin mbi një marrëveshje bërthamore

8 Prill, 08:09| Përditesimi: 8 Prill, 08:16

  • Share

SHBA dhe Irani do të zhvillojnë “bisedime të drejtpërdrejta” mbi një marrëveshje të mundshme bërthamore të shtunën, ka thënë presidenti amerikan Donald Trump.

Takimi është konfirmuar gjithashtu nga ministri i jashtëm i Iranit, i cili tha se bisedimet do të ishin "të tërthorta", por mund të jenë "po aq një mundësi aq edhe një provë".

"Është sa një mundësi aq edhe një provë. Topi është në fushën e Amerikës", shkroi në X Abbas Araqchi.

Trump tha të hënën se diskutimet midis Uashingtonit dhe Teheranit do të ishin në "nivel shumë të lartë" dhe paralajmëroi se do të ishte një "ditë shumë e keqe për Iranin" nëse nuk arrihet marrëveshje, shkroi BBC.

Muajin e kaluar, Trump ngriti perspektivën e veprimit ushtarak kundër Iranit pasi udhëheqësi i tij suprem Ayatollah Ali Khamenei refuzoi publikisht ofertën për bisedime të drejtpërdrejta .

Trump zbuloi bisedimet pas një takimi në Shtëpinë e Bardhë me Benjamin Netanyahun e Izraelit, i cili gjithashtu ka ngritur më parë mundësinë e sulmit ndaj Iranit për ta ndaluar atë nga marrja e armëve bërthamore.

"Ne kemi një takim shumë të madh të shtunën [me Iranin] dhe po merremi me ta drejtpërdrejt... Dhe ndoshta do të arrihet një marrëveshje, kjo do të ishte mirë”, deklaroi Trump nga Zyra Ovale.

Trump më vonë tha se Irani do të ishte në "rrezik të madh" nëse bisedimet nuk do të ishin të suksesshme, duke shtuar: "Irani nuk mund të ketë një armë bërthamore dhe nëse bisedimet nuk janë të suksesshme, unë në fakt mendoj se do të jetë një ditë shumë e keqe për Iranin".

Në mars, Trump i dërgoi një letër liderit të Iranit nëpërmjet një ndërmjetësi nga Emiratet e Bashkuara Arabe, duke treguar gatishmërinë e tij për të negociuar. Kjo ofertë u refuzua nga Irani, megjithëse udhëheqja e tij sinjalizoi një gatishmëri për të diskutuar një marrëveshje të mundshme me SHBA-në nëpërmjet një pale të tretë. Kufizimi i aftësisë së Iranit për të ndërtuar armë bërthamore ka qenë një objektiv kyç i politikës së jashtme për SHBA-në dhe aleatët e saj për dekada.

Në vitin 2015, presidenti i atëhershëm Barack Obama bëri një marrëveshje me Iranin, sipas së cilës ai do të kufizonte aktivitetet e tij bërthamore dhe do të lejonte inspektorët ndërkombëtarë të hynin në vend për të siguruar që objektet të përdoreshin vetëm për qëllime civile dhe jo për prodhimin e armëve.

Në këmbim, Iranit do t'i ofrohej lehtësim nga sanksionet, të cilat kanë gjymtuar ekonominë e tij. Kjo marrëveshje u bashkënënshkrua nga Kina, Franca, Gjermania, Rusia dhe Britania e Madhe.

Megjithatë, në vitin 2018, Trump në mënyrë të njëanshme tërhoqi SHBA-në nga marrëveshja, të cilën ai e kishte kritikuar ashpër gjatë fushatës së tij të parë zgjedhore presidenciale. Në vitet që pasuan, Irani ka shkelur gjithnjë e më shumë kushtet e tij. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike ka paralajmëruar se Teherani ka krijuar rezerva të mëdha të uraniumit të pasuruar, i cili mund të përdoret për të prodhuar bomba bërthamore.

Në muajt e fundit, Trump ka ngritur në mënyrë të përsëritur perspektivën e negocimit të një marrëveshjeje të re me Iranin, ndërsa kërcënoi me veprime ushtarake nëse nuk mund të arrihet.

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet t’u jepet mundësia prokurorëve të SPAK të rikandidojnë?