Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të presidentit rus, Vladimir Putin duke thënë se nuk ishte aspak dakord me pohimin e këtij të fundit, sipas së cilit idetë progresiste të demokracive perëndimore ishin ”të vjetëruara”.
Duke prekur çështjen e pritjes së migrantëve në Europë, Putin në një intervistë të publikuar në ”Financial Times” vlerësoi se ‘’progresivizmi ka ekzistuar vërtet’’.
”Por, progresistët nuk munden më tani t’u diktojnë qytetarëve se çfarë duhet të bëjnë, siç janë përpjekur të bëjnë këto dekadat e fundit’’, deklaroi ai për të përditshmen ekonomike, ndërsa populistët në Europë dhe në SHBA po mirëpozicionohen.
Vladimir Putin kritikoi vendimin e kancelares gjermane, Angela Merkel për t’i hapur dyert një milion refugjatëve në Gjermani, me arsyetimin se ky ishte një gabim i madh.
Nga ana tjetër, ai lavdëroi politikën e mbylljes së kufijve për migrantët e paligjshëm, të ndjekur nga presidenti amerikan Donald Trump.
Duke ironizuar përpara shtypit Tusk kaloi në kundërsulm.
”Unë pohoj se jam plotësisht kundër argumentit, sipas së cilit progresizmi është i vjetëruar. Si europianë që jemi, ne e mbrojmë me këmbëngulje dhe hapur demokracinë progresiste”, pohoi ish-kryeministri polak gjatë një konference shtypi të organizuar në Osaka.
”Cilido që pohon se demokracia progresiste është e vjetëruar, thotë për rrjedhojë se liritë janë demode, që shteti i së drejtës është i vjetëruar dhe se të drejtat e njeriut janë të vjetëruara”, replikoi Donald Tusk.
Komente
