Kosova & Rajoni

Donald Tusk: Tani është rradha e Europës, Maqedonia e Veriut e bëri të vetën

17 Shtator 2019, 13:54| Përditesimi: 17 Shtator 2019, 15:19

  • Share

“Republika e Maqedonisë së Veriut e bëri të veten, tani radhën e ka Evropa që të përfundoj pjesën e saj”, kështu u shpreh kreu i Këshillit të Evropës, Donald Tusk gjatë qëndrimit të tij në Shkup.

Tusk me këtë raste përkujtoi në Marrëveshjen e Prespës, ballafaqimin me krizën e migrantëve dhe tejkalimin e krizës politike në vend.

“Mbetem në qëndrimin që kam shprehur edhe në qershor, se vendi i juaj gjatë dy viteve të fundit bëri gjithçka që Europa priste nga ju për t’i filluar negociatat, në pajtim me rekomandimet e Komisionit Evropian. Kjo është edhe më tej bindja ime, vendi i juaj bëri çmos…Shkupi është vendi më i mirë nga ku dua të apeloj deri tek liderët e BE-së, tani ju duhet ta përmbushni pjesën tuaj, sepse Republika e Maqedonisë së Veriut tanimë ka mbaruar pjesën e saj”, tha Tusk.

Kryetari i Këshillit Europian Donald Tusk aktualisht në një vizitë zyrtare në Shkup është takuar me kreun e shtetit Stevo Pendarovski. Të dy kanë biseduar për gjendjen e përgjithshme në Maqedoninë e Veriut dhe rajon, si dhe për aspiratat e shtetit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Presidenti Pendarovski theksoi se vendi në dy vitet e fundit ka marrë vendime të vështira për çështje shumë të ndjeshme, përfshi edhe Marrëveshjen e Prespës me republikën e Greqisë dhe Marrëveshjen për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Republikën e Bullgarisë.

Mandati i presidentit aktual të Këshillit Evropian skadon më 1 dhjetor, ndërsa në vend të tij do të jetë kryeministri i Belgjikës, Sharl Mishel.

Në 18 tetor, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut presin përgjigje përfundimtare nga Europa e Bashkuar për negociatat me BE-në.

Në një intervistë të mëhershme për të përditshmen malazeze “Vijesti”, komisioneri europian për zgjerimin në largim, Johanes Hahn, shprehet se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e meritojnë hapjen e negociatave të anëtarësimit.

Për Shqipërinë, Hahn vlerësoi veçanërisht përparimin që është bërë me Reformën në Drejtësi, të cilën sipas tij, Brukseli duhet ta shpërblejë. Ndërsa për Maqedoninë e Veriut, Hahn vlerëson marrëveshjen e Prespës që u dha fund mosmarrëveshjeve disadekadëshe me Greqinë.

/B.K./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e gjykoni etiketimin në Kuvend të Flamur Nokës ’media vari Kar-lo’?