Harta e tre territoreve ukrainase

Bota

Donbasi, Zaporizhia dhe Khersoni: Territoret e kontestuara ukrainase dhe situata në terren! Cila është rëndësia e tyre strategjike e simbolike?

19 Gusht, 13:02| Përditesimi: 19 Gusht, 13:09

  • Share

Tre zona të Ukrainës të pushtuara pjesërisht ose plotësisht nga rusët janë objekt negociatash. Ukrainasit vendosin në tryezë edhe Krimenë, të humbur në vitin 2014, por në fakt administrata amerikane pothuajse nuk e përmend. Rusët kanë trupa edhe në 1 për qind të rajonit të Sumy-t dhe në 5 për qind të Kharkivit.

Donbasi

Donbasi është ish-qendra minerare dhe industriale e Bashkimit Sovjetik. Moska e konsideron prioritet dhe pikërisht për këtë arsye Putini kërkon sovranitetin e plotë mbi të, megjithëse trupat e tij e kontrollojnë rreth 80 për qind. Ai ndahet në dy rajone, të sulmuara nga milicitë lokale proruse që në vitin 2014 me mbështetjen e plotë ushtarake të Moskës: Lugansk, sot i pushtuar për 99 për qind, dhe Donetsk për 79 për qind. Në shkurt të vitit 2022 komandat ruse ishin të bindura se mund t’i merrnin brenda pak orësh. Por rezistenca ukrainase u tregua menjëherë e fortë. Që atëherë, sidomos në Donetsk janë zhvilluar betejat më të ashpra, që kanë marrë dhjetëra mijëra jetë, duke nisur nga ajo për marrjen e qytetit portual Mariupol mes marsit dhe majit 2022. Më pas pasuan rrethimet e Bakhmutit, Chasiv Yar, Avdiivkës e deri te luftimet për kontrollin e Pokrovskut, që vazhdojnë ende sot. Vlerësohet se në Donbasin nën kontrollin ukrainas jetojnë rreth 242.700 persona.

Khersoni

Në pranverën e vitit 2022 kolonat ruse përparuan me shpejtësi drejt Perëndimit nga gadishulli i Krimesë dhe arritën të kalonin urat mbi Dnipro për të pushtuar kryeqendrën. Khersoni ra në fillim të marsit, por tashmë në nëntor kundërofensiva ukrainase arriti t’i shtyjë rusët në lindje të lumit. Që prej asaj kohe ushtria ruse bombardon vazhdimisht kryeqendrën, që ka mbetur një qytet fantazmë. Llogaritet se sot rusët kontrollojnë 71 për qind të rajonit të Khersonit dhe ukrainasit druajnë se prej këtej Putini përpiqet ende të organizojë një ofensivë drejt Odesës.

Zaporizhzhia

Edhe rajoni i Zaporizhzhias u pushtua shpejt nga rusët në mars të vitit 2022. Sot ata mbajnë nën kontroll 74 për qind të tij, përfshirë centralin bërthamor përgjatë Dnipros. Ukrainasit mbajnë kryeqendrën dhe zonat bujqësore në veri, të cilat kërcënohen nga bombardime të shpeshta./Corriere della sera

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se takimet e Trump me Putin e Zelenskyn do sjellin paqen në Ukrainë?