Padagogë dhe studentë artistë të Uniiversitetit të Arteve mbrëmjen e kaluar organizuan një koncert të veçantë.
Në qendër ishte kompozitori durrsak Haig Zacharian dhe krijimtaria e tij ndër vite.
Në 70-vjetorin e lindjes së autorit të dhjetra veprave në gjini të ndryshme muzikore organizatorët ftuan në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave artistë të njohur dhe familjarë të kompozitorit.
I gjithë programi mbante firmën e krijimtarisë së kompozitorit të shquar, dhe duke cituar pianisten Ardita Bufaj që drejtoi programin “e kishim të vështirë nëse duke iu referuar prof. Haigut duhet ta titullonim koncertin “Njeriu i mirë” apo “Dora e ngrohtë”, dy nga 30 kolonat zanore të filmografisë që ai ka krijuar”.
Një vlerësim më shumë ky i kolegëve artistë, të cilët e dallojnë Haigun edhe për vlerat e veçanta njerëzore.
Instrumentistët Fatos Bardulla, Orjeta Nishani, Xhovana Marku, Dorina Laro dhe Ardita Bufaj, së bashku me sopranon Ulpiana Aliaj dhe baritonin Armando Likaj, rikthyen në sallë fragmente muzikore të 11 prej filmave me muzikë nga Haig Zacharian, si dhe romancat e tij me poezi nga Xhevahir Spahiu dhe Stefan Çapaliku.
E më pas shumë duartrokitje edhe për pedagogët Holta Sina Kilica, Klodian Qafoku dhe Endri Sina, që organizuan koncertin.
I befasuar nga kujdesi i kolegëve, kompozitori Haig Zacharian i përshëndeti të pranishmit me fjalët “ndoshta duhet të japim e të marrim më shumë mirësi për të shpresuar në ditë më të mira”.
Haig Zacharian ka krijuar vepra të shumta në gjini të ndryshme të muzikës. Ato janë interpretuar në të gjitha ngjarjet e rëndësishme të jetës muzikore shqiptare, si dhe në Kosovë, Maqedoni, Zvicër, Italli, Austri e Spanjë.
Zacharian ka kompozuar gjithashtu këngë për fëmijë, korale dhe muzikë filmash.
Stili i muzikës së tij është i dallueshëm, me ngjyra të holla dhe me një sens komunikimi të drejtpërdrejtë.
Një intervistë e hershme
Haig Zacharian vjen nga një familje me origjinë armene, por siç shprehet edhe vetë ky fakt nuk i ka krijuar asnjëherë problem mes moshatarëve apo bashkëqytetarëve.
Duke folur për mjedisin ku është rritur Haigu shprehet se prindët Agopi dhe Lusia kanë ndikuar në mënyrën e jetesës dhe të marrjes së përgjegjësive; në qëndrimet përballë artit, fesë dhe shtetit, si dhe në dëshirën për të jetuar mes njerëzve dhe i lidhur me ta.
”Lexonin shumë edhe falë gjuhëve që njihnin dhe unë vazhdoj ti kujtoj kështu-thotë mjeshtri i muzikës, i cili së bashku me bashkëshorten, Anën, e kanë quajtur djalin Kyd, çka do të thotë “i ditur”.
Zacharian është një nga kompozitorët e mirënjohur shqiptarë.
Në afro 50 vjet krijimtari ai ka shkruar mbi 50 vepra të gjinive vokale, instrumentale e sinfonike, vepra skenike dhe muzikë dhome.
Ai kujton dy veprat e para, të cilat u interpretuan gjatë Dekadës së Majit 1972. “Isha student i vitit të dytë dhe modeli im ishte profesor Tonin Harapi, i cili më mësonte kompozicionin.
Ndërsa ata që kanë ndikuar në formimin tim artistik janë të pafund, nga kompozitorët paraklasikë e deri te kolegët e mij të vjetër e të rinj në moshë”-thekson prof. Zacharian, i cili për shumë vite ka kryer detyrën e shefit të katedrës së kompozicionit në Akademinë e Arteve në Tiranë.
Elektronika, pengu i kthyer në shlodhje
Por rruga pa kthim në botën e muzikës për shumë vite ka mbajtur brenda një peng të madh, i cili me kalimin e kohës është kthyer në një hobi që vlen si shlodhje dhe mbështetje profesionale.
“Ëndrra ime ka qenë inxhinjeria elektronike-tregon Haigu për pasionin që ia njohin të gjithë miqtë.
Gaz Delvina, njëri prej shokëve të tij teknikë të elektronikës diskuton me kompozitorin për të gjitha riparimet e mundshme të televizorëve apo impianteve stereofonikë.
“Po të jetë për Haigun duhet të mbetemi gjithë kohën në dyqan duke punuar-qesh Gazi, i cili gjithashtu ndjek me shumë dëshirë koncertet ku interpretohen veprat e mikut të tij artist.
“Ka qenë një kohë kur si fëmijë vraponim pas kufjeve të sajuara me gur galene-i kthehet Haigu dhjetëvjeçarëve të shkuar-dhe duhet të pranoj se në Institutin e Lartë të Arteve shkova pasi “elektronika” u jepej vetëm të “zgjedhurve”.
Tani impiantet moderne e ndihmojnë shumë për të dëgjuar muzikë të mirë, por edhe për të përshtatur programe të veçanta për punën e tij si pedagog.
“Është kënaqësi ta përdorësh shkencën si instrument- e mbyll Haigu këtë syth të bisedës.
30 filma artistikë me tingujt e tij
Njeriu që ka emrin e një mbreti armen, Haig, u bë veçanërisht i njohur në vitet 1970-1980 kur kompozoi në pak kohë kolonat zanore të 20 filmave artistikë të Kinostudios.
Specialistët por edhe shikuesit kujtojnë muzikën e filmit “Dollia e dasmës sime”, kur ndër të tjera një togë e pushtuesve gjermanë futej në fshat me notat e një gajdeje, apo filmin “Kohë e largët” ku atmosfera e shekullit të 18-të ndjehej nga tingujt mesjetarë të shkruar nga Haig Zacharian.
“Dora e ngrohtë”, “Taulanti kërkon një motër”, “Flutura në kabinën time”, “Një natë pa dritë”, “Yje mbi Drin”, apo “Ilegalët” janë filma të tjerë të cilët i kujtojnë mjeshtrit të muzikës së kinemasë regjisorët Ljarja, Pecani, Kumbaro, Çashku, Erebara, Mitro, Muça, Zhabjaku, Keko, etj. etj. me të cilët ka punuar dhe për të cilët flet me respekt të thellë, ashtu siç po punon tani me regjisorin durrsak Pluton Vasi.
Ndoshta kjo është një nga arsyet për të cilat Haigu për 11 vite radhazi (1998-2009) ka formuar dhe drejtoi shoqatën e të drejtave të autorëve në fushën e muzikës dhe audiovizive “Albautor”,
Një artist me A të madhe kompozitori Haig Zacharian, një profesor që ka fituar zemrat e kolegëve dhe studentëve, falë cilësive profesionale dhe njerëzore.
Foto nga Tristan SHERIFI