‘Serbia do të shkojë në zgjedhje të reja’, kështu ka deklaruar diplomati Lufti Bilalli, teksa komentoi dorëheqjen e kryeministrit të Serbisë, Millosh Vuçeviç ditën e sotme, mes protestave masive që po zhvillohen atje.
I ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin 'Studio Live’, në Report Tv me gazetarin Arbër Hitaj, ai u shpreh se presidenti Vuçiç është në karrierën e tij politike më kritike.
’Kryeministri serb ka dhënë dorëheqjen dhe sipas ligjeve të tyre dorëheqja do të thotë edhe heqjen e gjithë kabinetit qeveritar. Mendoj se qeveria do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja. Vuçiç është në karrierën e tij politike më kritike. Pastaj ata që do vijnë në pushtet nuk do të kenë një qasje më të mirë ndaj Kosovës’, tha ai.
Lidhur me fushatën në Kosovë për zgjedhjet e 9 shkurtit, ai tha se fushata ka hyrë në fazë të nxehtë.
‘Fushata ka hyrë tani në një fazë më të nxehtë, pasi partitë garën e bëjnë me aq sa i mbushin sallatë me njerëz. Ekziston rreziku sepse zgjedhja e presidentit të shkaktojë prap zgjedhje. Mund të kemi edhe krizë në qeveri brenda 4 muaj, në këtë drejtim situata nuk është e qartë’, tha ai.
Sa i takon luftës Rusi- Ukrainë, diplomati tha se Trump ka bërë 3 oferta ndaj Rusisë, por nuk dihen nëse do të pranohen.
‘Kemi një ofertë nga Trump. Rusisë i janë bërë 3 oferta që janë interesante, që të arrihet një armëpushim, zbutje të sanksioneve ndaj Rusisë dhe nëse Ukraina refuzon atëherë furnizimi me armatim do të jetë zero. Trump ka paraqitur këtë plan dhe nuk mendoj se do të arrihet shpejt’, tha ai.