Politikë

Dorëheqjet e drejtorëve në disa bashki, Ergys Mërtiri: Ndryshime të tilla mund të bëhen edhe në qeveri! Xhani: Ndërhyrja e Ramës anti-ligjore, nuk i takon

14 Korrik, 19:00| Përditesimi: 14 Korrik, 20:32

  • Share

Ndërhyrje e kryeministrit Edi Rama në pushtetin lokal, e ka cilësuar analisti Ergys Mërtiri, urdhërin e kryeministrit se drejtuesit në bashkitë e vendit duhet të japin dorëheqjen nga posti.

I ftuar ditën e sotme në emisionin ‘Studio Live’, me gazetarin Arbër Hitaj, ai tha se ndryshime të tilla ai do ti bëjë edhe në qeveri.

‘Ndërhyrja e Ramës në pushtetin lokal është diçka që atij nuk i takon. Po kemi dy ndërhyrje, në pushtetin vendore dhe atë gjyqësor, sepse ai akuzon një prokurore si ajo në rastin e Thethit, pra ai mendon se i ka në varësinë e tij të gjitha pushtetet. Por dorëheqja kolektive është jashtë normës. Kur ti i shkarkon të gjithë tregon se bashkia është e tëra për t’u shkarkuar. Pse nuk kërkon edhe dorëheqjet e kryetarëve të bashkisë. Fajet i kanë ata që janë vartës dhe jo kryetarët sipas kryeministrit. Unë besoj se ndryshime të tilla ai do ti bëjë edhe në qeveri. Ata duan që të prodhojnë idenë se këtu po ndryshojnë gjërat’, tha ai.

Aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje në Theth, Mërtiri e sheh si aksion që është bërë në momentin jo të duhur.

‘E ka bërë këtë edhe vjet edhe këtë vit. Ka turistë që kanë prenotuar sepse do të shkojnë aty dhe do ta gjejnë të prishur. A mendon se ai do të kthehet më? Problemi më i madh është që ata kanë ndërtuar pa leje sepse kishin qejf apo kanë qenë kushtet e tilla. Në një vend ku nuk jepet leje ndërtimi do të ndërtojnë pa leje. Këtu e dimë se si jepen lejet e ndërtimit. Po pse i kanë lejuar që të ndërtojnë pa leje ata. Shteti nuk bëhet me polic por me ligje dhe me rregulla’, tha ai.

Një koment e pati edhe për daljen nga burgu të Ervin Salianjit.

‘Salianjin e përcollën si hero dhe e pritën si askush kur doli nga burgu, kur pritej që të ishte e kundërta. Heshtja e Berishës do të tregojë se nuk e ka në listën e tij Salianjin. Po Salianji me sa kam vënë re nuk është politikan që mund të ngopet kollaj me pak, por do kërkoj rol me rëndësi në PD, të paktën numrin 2 pas Berishës’, tha ai.

Qamil Xhani, kryeredaktor Euronews Albania, teksa u ndal tek aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje në Theth, ai tha se ato ndërtime nuk duhet që të ishin lejuar që të bëheshin.  

‘Askush nga ne nuk mbështet shkeljen e ligjit, por rasti i Thethit duket sikur qeveria i ka promovuar vetë ato ndërtime aty, sepse sa herë që mund të shkonin atje për takime, ata i kanë promovuar si një model që duhet zhvilluar. Ata e kanë lejuar atë gjë dhe janë bashkëfajtor. E njëjta gjë duhet të ishte bërë edhe në zona të tjera për ndërtime që janë bërë në këtë lloj mënyre’, tha ai.

Një koment e pati edhe për dorëheqjet e drejtorëve në disa bashki në vend, ku tha se nuk i takon kryeministrit që të ndërhyjë në pushtetin lokal. 

‘PS ka hyrë në fushatë për zgjedhjet e ardhshme lokale dhe po largohen disa drejtore që kanë vite në ato poste. Ata kanë vite në atë detyrë dhe të zgjedhurit e rinj mendoj se do sigurojnë edhe votat për zgjedhjet lokale. Po ndërhyrja është anti-ligjore, nuk i takon atij’, tha ai.

S.B/A.A/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Nga sot sekuestro bulmetit pa faturë, si e vlerësoni?