Dorëheqjet e drejtorëve në bashkitë Vlorë, Fier dhe Durrës janë minim i autonomisë vendore dhe demokracisë lokale', sipas anëtares së kryesisë së Partisë së Lirisë, Miranda Rira.
Në një deklaratë për shtyp, Rira tha se ligji për vetëqeverisjen vendore, përbën kuadrin më të plotë ligjor për funksionimin dhe organizimin e njësive të qeverisjes vendore, ku flitet për një raport të qartë normativ të marrëdhënieve midis qeverisjes qendrore dhe vendore.
“Thelbi apo parimi kardinal i këtij ligji është ai i decentralizimit apo i ndarjes vertikale të pushteteve që nënkupton ngushtimin e pushteteve të qeverisjes qendrore, pra qeveria bëhet më e dobët dhe zgjerimin e kompetencave dhe pushteteve të njësive të vetëqeverisjes vendore, pra bashkitë bëhen më të forta. Pushteti rrjedh nga lart poshtë, duke synuar një qeverisje sa më efikase, sa më pranë qytetarëve, ku këta të fundit edhe marrin pjesë në qeverisje dhe vendimmarrje, me fjalë të tjera ata vetëqeverisen”.
Kjo tregon për një rritje të demokracisë lokale, dhe sa më e shëndoshë demokracia lokale aq më e shëndoshë është demokracia në tërësi. Decentralizimi është parimi sipas të cilit përgjegjësia dhe autoriteti transferohen nga kabineti qeveritar drejt njësive të qeverisjes vendore. Në ligjin për qeverisjen vendore përcaktohet qartë në Nenin 1 se kush janë funksionet dhe kompetencat e njësive të qeverisjes vendore, se ç’është administrimi i njësive vendore, ç’është autonomia vendore”, vijoi ajo.
Rira ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për ndërhyrje në kompetencat e pushtetit vendor, duke e cilësuar këtë si një shkelje të hapur të Kushtetutës dhe ligjit për vetëqeverisjen vendore.
'Duket se veprimet e kryeministrit Rama për të ndërhyrë në funksionimin të njësive të vetëqeverisjes vendore, për të shkarkuar administratën, qofshin ata drejtorë apo punonjës të thjeshtë, është një shkelje e hapur e ligjit të qeverisjes vendore dhe Kushtetutën e Shqipërisë lidhur me parimin e decentralizimit dhe autonomisë vendore. Shkarkimi i drejtorëve bashkiakë është atribut i kryetarit të bashkisë, i cili është edhe organi ekzekutiv në kuptimin e Kushtetutës dhe të ligjit 139/2015. I vetmi atribut që ka Kryeministri (kryetari i këshillit të ministrave) është ai i shkarkimit të kryetarit të Bashkisë në rastet kur ai kryen shkelje të rënda, kur dënohet për kryerjen e një vepre penale nga gjykata ose kur ka një propozim nga këshilli bashkiak përkatës për një periudhë 3 mujore.
Njësitë e vetëqeverisjes vendore kanë të drejtën dhe përgjegjësinë e mbledhjes së të ardhurave dhe bërjes së shpenzimeve, të vendosin taksa vendore e tarifa si edhe të hartojnë, miratojnë dhe zbatojnë buxhetin e tyre”, tha Rira, ndërsa shtoi se reforma territoriale, kushtoi miliona euro, me qëllimin shkrirjen se 360 komunave dhe bashkive në vetëm 61 njësi të vetëqeverisjes vendore, për të patur një ndarje përfundimtare midis pushtetit vendor dhe atij qendror, për të rritur demokracinë lokale, për te sjellë shërbimet sa më pranë qytetarit', tha ajo.
Komente
