TIRANË- Dorian Koçi nuk është më drejtor i Muzeut Historik Kombëtar ndërsa institucioni që do t’u nënshtrohet ndërhyrjeve restauruese do të menaxhohet nga Entela Çipa, si drejtore e komanduar.
Me mandat të përfunduar prej shkurtit të vitit 2022, studiuesi ka dhënë dorëheqjen e parevokueshme dhe siç mësojmë është emëruar Shef i Marrëdhënieve me Jashtë në Akademinë e Shkencave.
Pas pesë vitesh në krye të Muzeut më me peshë në vend, historiani ishte një nga aplikantët që rikandidoi në thirrjen e hapur nga Ministria e Kulturës. Ndonëse thirrja u mbyll në 26 janar, asnjë nga kandidatët nuk ka plotësuar kriteret e nevojshme për të qenë në krye të Muzeut.
Ndër kriteret e kërkuara për kandidatët ishin “5 vite përvojë pune në drejtim dhe eksperiencë në fushën e trashëgimisë kulturore, master shkencor në shkenca shoqërore si dhe të njihte problematikat e muzeologjisë. Ndërsa ndër objektivat e kërkuara sa i përket administrimit, krahas koordinimit të veprimtarive dhe stafit, ishte edhe ndërtimi i një plani të qartë buxhetor dhe rritja e të ardhurave.
Aktualisht nuk ka një plan të afërt për rihapjen e thirrjes për drejtor Muzeu.