U thërrasim arixhinj, romë, kurbatë, pa e ndjerë nevojën të zbulojmë misterin se nga cili vend kanë ardhur apo të dimë më tepër se kush janë, sepse ata kurrë nuk qëndrojnë në një vend. I kemi parë të jetojnë krenarë e të lirë, të patrazuar nga ligjet e rregullat e një shteti anës lumenjve, por edhe të lumtur për aq kohë sa bashkësia e tyre nomade nuk kishte nisur të shpërbëhej.
Misteri i romëve, i këtij fisi njerëzor, që ka zgjedhur prej qindra jetësh të bëjë jetë nomade, duke marrë me vete gjuhën, e duke mbartur djepet e foshnjave në supet e grave të tyre, ka tërhequr që në fëmijëri edhe shkrimtarin e madh Dritëro Agolli.
Një tjetër dorëshkrim i zbuluar në bibliotekën e shkrimtarit të madh vjen për “Shqiptarja.com” nga e bija e shkrimtarit Elona Agolli. Ky dorëshkrim është përgatitur për një intervistë në revistën “Ylli i karvanit” më 17 shkurt të vitit 1998. Bëhet fjalë për një rrëfim prekës, të thjeshtë e të sinqertë, me mesazhe të qarta, të cilat kanë edhe më shumë vlerë, pasi ka kaluar më shumë se një vit nga largimi i shkrimtarit nga jeta.
Njëzet vjet më parë, shkrimtari i madh përmes kësaj interviste ka dhënë dhjetëra ide e këshilla se ç’duhet të bëjë bashkia për integrimin e komunitetit rom në shoqërinë qytetare. Shkrimtari shprehet se romët nuk mund të jetojnë më në kushtet e kohës si nomadë, sepse komuniteti i tyre dalëngadalë është shpërbërë dhe ata nuk jetojnë dot më si 100 apo 50 vjet më parë, kur Dritëroi ishte fëmijë dhe i ndezur nga kërshëria shkonte ne çadrat e tyre buzë lumit për të parë sesi thurnin shporta, kosha e kanistra me shelgjishtet e mbira buzë lumit të Devollit.
Dritëro Agolli zbulon kujtimet e tij me romët që nga fëmijëria deri në moshë të vonë. Admirimi që Dritëro Agolli ka për lirinë e romëve, shkathtësinë për të thurur shportat, koshat apo kanistrat, për këngët dhe për personazhet që janë integruar në jetën qytetare, si dhe për vendin që kanë zënë në poezinë, letërsinë apo muzikën botërore, duke na kujtuar edhe “Karmenin” është një shprehje e vërtetë dashurie për këta nomadë të njerëzimit.
“Romët i kam dashur shumë”, thotë Dritëro Agolli. E ndërsa flet për ta, në këtë intervistë, jep edhe ide e këshilla të çmuara për shkollimin e tyre dhe integrimin e mëtejshëm në jetën qytetare. Shqiptarja.com boton të plotë intervistën e zbardhur nga dorëshkrimet e vitit 1998 të shkrimtarit të madh shqiptar Dritëro Agolli:
“Ç’kujtime ruani nga fëmijëria për romët?
Dritëro Agolli: Fshati im, Menkulasi, është thuajse në breg të lumit të Devollit. Buzë lumit ka pasur ormane me shelgje dhe plepa, ku rritej bari dhe tërfili i freskët dhe i ëmbël. Atje kishte edhe kaçube shelgu me shufra të holla dhe të gjata, që ne u thoshim shelgjishte. Në pranverë dhe në verë, ky ishte këndi më i dashur i fëmijëve dhe djemve të fshatit për t’u çlodhur dhe për t’u larë në lumë. Po atje, ishte edhe këndi më i mirë i romëve që u thoshin arixhinj. Sa vinte maji ata ngjiteshin pas lumit me kuaj të ngarkuar me plaçka, kusi, tepsi e sahanë, me çadra të mbledhura, me shosha dhe kanistra, me fëmijë e me gra e me pleq. Vinin me zhurmë e me këngë. Flisnin me zë të lartë sikur të donin t’ua kalonin valëve zhurmuese të lumit. Në mes të shelgjeve e plepave ata ngrinin çadrat dhe ndiznin zjarret. Pastaj me ato shufrat e holla të kaçubave të shelgut thurnin shporta, kanistra, sepete e kosha te vegjël. Me thurjen e kanistrave dhe shportave të vogla merreshin gratë dhe vajzat dhe me koshat e sepetet burrat. Ne fëmijët zbrisnin nga fshati dhe kishim qejf t’i shikonim sesi ata i thurnin shportat dhe gjërat e tjera. Ata flisnin me gjuhën e tyre dhe ne asgjë nuk kuptonim.
-Flasin me këtë gjuhë se nuk duan t’i marrim vesh se çfarë thonë. -shpjegonte ndonjëri nga më të mëdhenjtë.
Po neve na bënte përshtypje heshtja e tyre, kur thurnin shporta. Dëgjonin vetëm trokitjen dhe fërfëritjen e purtekave të holla dhe shikonim gishtërinjtë e shpejtë që lëviznin majtas e djathtas shportës dhe që ngriheshin e uleshin si hijet në murin e bardhë të dhomës.
Në mbrëmje ata këndonin e pinin raki pranë zjarreve, pranë çadrave. Edhe pse nuk na linin prindërit, ne zbrisnim në lumë që t’i shikonim e t’i dëgjonim kur këndonin. Por pa u errësuar mbrëmjeve ata dilnin edhe në fshat për të shitur shporta e kanistra, shosha e sita.
Ndërsa gëzimi ynë më i madh ishte kur vinte ndonjë tabor arixhinjsh me ndonjë ari të madh kuqalash. Ne çmendeshim kur ariu luante valle në sheshin e fshatit dhe kur bënte kotollumba. Pleqtë e plakat thoshin: -Breh, tamam si njeri!
Shpesh në fshatin tonë vinin edhe arixhinj për të shitur kuaj. Këtyre arixhinjve u thoshim xhambazë. Im atë thoshte se këta janë dinakë të mëdhenj, se i fryjnë kuajt për t’u dukur të shëndetshëm dhe për t’i shitur më lehtë. Por pastaj kuajt shfryheshin dhe u dilnin kockat.
Ima atë tregonte edhe historinë sesi një xhambaz arixhi i kishte shitur një pelë të fryrë Beqos nga Babani dhe pastaj ky Beqoja në mëngjes kur hyri në qilar, nuk e njohu pelën dhe i tha së shoqes:
-Na e kanë marrë pelën që blemë dhe në vend të saja na kanë sjellë një pelë tjetër!
Por e shoqja, që ishte më e mençme, kishte thënë se ishte po ajo pelë, por xhambazi i kishte bërë magji dhe tani ajo ishte e sëmurë.
-Ne duhet ta gjemë xhambazin të prishë magjinë se pela do të na ngordh!- kishte thënë e shoqja, dhe Bequa u nis për të kërkuar xhambazin. “-Edhe sot e kësaj dite Bequa kërkon xhambazin !...”, -thoshte im atë.
Këto janë kujtimet e mia të para për romët, që i kam dashur shumë.
Për romët kanë shkruar poetë dhe shkrimtarët e muzikantë e famë botërore. Ku qëndron sekreti i frymëzimit të tyre?
-D.Agolli: vërtet shumë poetë dhe kompozitorë kanë shkruar dhe kompozuar. Prosper Merimeja ka shkruar novelën e famshme “Karmen”, Pushkini poemën ciganët, Lorka me dhjetëra vjersha e me radhë. Veçanërisht për romët kanë shkruar shkrimtarët dhe poetët e periudhës së romantizmit. Romantikët kërkonin lirinë e individit. Ata këtë liri e gjenin më shumë tek ciganët, domethënë tek romët, tek shpirti i tyre pa prangat e paragjykimeve, një shpirt i lidhur me natyrën dhe gjithnjë në lëvizje, i panënshtruar nga rregullat dhe ligjet e familjes e të shoqërisë. Jeta e ciganëve nuk është e mbyllur brenda mureve të një shtëpie, brenda zyrave dhe rrugëve të një qyteti apo brenda arave të një fshati. Ciganët sot janë këtu, nesër janë atje. Natyra është shteti i tyre. Ata nuk janë ushtarët të shtetit, por ushtarë të natyrës. Shteti përpiqet t’i bëjë për vete, ata largohen. Por edhe pa shtetin dhe shoqërinë nuk bëjnë dot. Duhen ushqime dhe veshje, mbi të gjitha para. Atëherë dashur-padashur edhe ata në një farë mënyre janë të nënshtruar. Dhe këtu qëndron edhe tragjedia e këtij fisi. Kjo i ka tërhequr dhe joshur poetët dhe kompozitorët.
Ju keni shkruar poezi për Romët, po për jetën e tyre Çfarë keni shkruar?
D.Agolli: Edhe mua më ka joshur tema e romëve. Që në rini kam shkruar poezi për ta dhe reportazhe për jetën e tyre. Një nga vjeshta e mia për romët është balada “Kurbatka”, e botuar më 1960 në revistën “Nëntori” e pastaj në librin “Hapat e mia mbi asfalt”, të shkruar në vitin 1961. Ka qenë i njohur reportazhi im “Unë arixhiu i Levanit”, i botuar në vitet ’60 në gazetën “Zëri i Popullit”, ku përshkruhej jeta e një arixhiu. Në këtë reportazh flitet edhe për zakonet e arixhinjve. Në këtë intervistë mund t’ju jap ndonjë strofë nga balada “Kurbatka”, ku tregohet sesi iku i biri i kurbatkës në estradë dhe sesi ajo trishtohej:
Ti me djep në krah brodhe shumë
Kur korriku gurët përvëlonte,
Kur dhjetori derdhte shiun lumë,
Kur në mal lauresha këndonte.
Dhe mbi djep agimet –trëndafila
E shikuan flokëkaçurrelë,
Hijeve të lisave bilbilat
I kënduan dhe e përkëdhelë.
Pa mësoi çunaku të këndojë
Këngën mbushur mall,
e mbushur shpresë
Pa mësoi çunaku të vallëzojë,
Kur i binte nënëza dajresë.
Vjersha si tregon për peripecitë e kurbatkës dhe të birit, mbyllet me këtë strofë:
Lodhesh dhe pas rrugëve zë vend,
Zjarrin ndez, ngre çadrën kur vjen nata
Dhe mendon, mendon për birin tënd…
Eh Kurbatkë, ç’të punoi Estrada!
Edhe tani në një moshë të kaluar ndonjëherë unë i jam kthyer temës së arixhinjve. Në librat me poezi të viteve të fundit, si “Lypësi i kohës” e të tjerë, kam nja dy-tri vjersha për arixhinjtë.
Pjesë nga dorëshkrimet e Dritëro Agollit për Romët
Një bashki ku ka shumë romë, ç’duhet të bëjë?
-D.Agolli: Unë e thashë pak më lart se romët janë të veçantë në jetën, sjelljen dhe zakonet e tyre. Një ndër këto zakone, që përbenë edhe elementin themelor të konstitucionit të tyre shpirtëror, është jetesa në udhëtim, në endje, nga një vend në tjetrin. Kjo nga njëra anë i ka penguar ata për t’u arsimuar ose për të kryer një shkollë të rregullt e për të marrë një profesion në jetën qytetare, por nga na tjetër i ka emancipuar dhe ia ka bërë më të mirë në sjellje dhe në moral në përgjithësi. Kështu në kohën kur gruaja shqiptare ishte e kufizuar në lëvizje, kur ishte e mbyllur brenda mureve të shtëpisë, kur martohej me mblesëri dhe kur nuk mund të bënte një dashuri të lirë, arixhofka dilte lirshëm në botë, takohej e bënte dashuri e martohej sipas dëshirës. Pastaj në udhëtim të përhershëm arixhinjtë takoheshin me shumë njerëz dhe merrnin një informacion të gjerë për jetën dhe botën. Librat dhe gazetat e tyre ishin njerëzit. Kafenetë klubet dhe rrugët. Ata vërtet nuk lexonin librin prej letre, por lexonin librin prej guri dhe asfalti, që ishte libri i rrugës.
Megjithatë zhvillimi i vendit, i industrisë, i bujqësisë, tregtisë, arsimit dhe kulturës bashkë me lëvizjen politike, e reduktoi bashkësinë e romëve. Shumë romë u integruan në jetën qytetare, u bënë specialistë, mësues, mjekë, inxhinierë, artistë, shkrimtarë e piktorë. Romët nuk janë më ata të 100 apo 50 vjetëve të mëparshëm. Doemos, ka mjaft prej tyre që vazhdojnë të jetojnë si nomadë, duke u endur këtej dhe andej. Për këta shoqëria duhet të kujdeset, veçanërisht për arsimin e fëmijëve, ose duke i marrë nëpër konvikte, ose duke krijuar shkolla ambulante me mësues arixhinj. Fjala vjen, është një fis nomad; në këtë fis të ketë një shkollë me mësues arixhi. Ose mund të krijohet një ansambël me këngë e vallë cigane. Në rusi ky lloj ansambli është me famë botërore dhe ka një traditë shekullore. Por arixhinjtë mund të bëhen edhe tregtarë të zotë. Ata mund të tërhiqen në shkolla dhe kurse tregtare. Shoqëria ka plot mundësi për t’i integruar romët në jetën e saj, pa u humbur identitetin. Ka mundësi të gjenden rrugë edhe për t’ua mësuar gjuhën e tyre me shkrim e këndim, siç bëjnë në Poloni fjala vjen.
Cili është opinioni dhe mesazhi juaj për romët?
D.Agolli: Mua romët më duken njerëz të fortë dhe vitalë. Dhe këtë qëndresë dhe vitalitet e tregon ruajtja e gjuhës. Kanë kaluar qindra vjet që janë shkëputur nga toka dhe populli i tyre dhe e ruajnë gjuhën. Dhe gjuha e tyre ka nxjerrë poetin gjigant të orientit Xhaledin Ruminë. Ai është rom. Edhe emri Rumi do të thotë rom. Kjo ma rrit respektin për romët. Prandaj unë u uroj atyre të përmirësojnë jetesën dhe veçanërisht dëshiroj që t’i dërgojnë fëmijët në shkollë për t’u bërë njerëz të qytetëruar pa kompleksin e inferioritetit.
“Ylli i Karvanit” 17 shkurt 1998.