Është mbyllur numërimi i votave në shkodër, ku kandidati i koalicioni Berisha-Meta, Bardh Spahia do të jetë kryetari i ri i kësaj bashkie. Ai ka arritur që të marrë 20.125 vota, me një diferencë mbi 1800 vota nga vendi i dytë, kandidatja e PS-së, Majlinda Angoni. Kjo e fundit ka arritur që të marrë 18.120 vota.
Në një deklaratë për mediat, teksa ka falënderuar votuesit, Bardh Spahia i bëri thirrje mbështetësve të Bashës që t'i bashkohen, teksa tha se 'dera do jetë gjithnjë e hapur për ata që humbën rrugën'.
"Në falënderimin e përzemërt ndaj qytetarëve të bashkisë sonë, theksoj se nga nesër unë do jem kryebashkiaku i të gjithë qytetarëve të Shkodrës. Për të gjithë demokratët që për pak momente humbën rrugën, dera e shumicës është e hapur për të gjithë demokratët. Ju siguroj se nga nesër fillon një rrugëtim i ri në Shkodër, një ndryshim i madh. Puna e parë që do bëj është që do komunikoj siç duhet me bashkëqytetarët e mi dhe do i identifikoj prioritete", tha ai.
Drejtuesja e PS në Shkodër, Edona Bilali, falënderoi kandidaten socialiste Majlinda Angoni, teksa tha se qytetarët shkodranë zgjodhën sot me vullnet të lirë individin me të cilin dëshirojnë të përfaqësohen.
"U mbyll gara për Bashkinë Shkodër. Qytetarët me vullnet të lirë caktuan modelin dhe individin me të cilin dëshirojnë të përfaqësohen. Dua ta falënderoj Majlindën që vuri zemrën e tan përkushtimin e saj në dispozicion. Rezultati i arritur nga ajo edhe pse nuk mjaftoi për të fituar garën, është tregues i vlerësimit jo vetëm nga radhët e Partisë Socialiste por edhe nga qytetarët. Faleminderit edhe të gjithë mbështetësve të kësaj fushate, rinisë, strukturave partiake dhe gjithë atyre që ndihmuan në organizimin dhe mbarëvajtjen e qetë të gjithë procesit zgjedhor. Përgëzime për kandidatin fitues. Uroj të vendosë Shkodrën gjithmonë të parën në çdo vendimmarrje", shkruan ajo në Facebook.
Zgjedhjet në Shkodër rrezikoheshin të përsëriteshin, kjo pasi me anulimin e procesit në 3 qendra votimi, 2 në Shosh dhe 1 në Pult, të cilat kanë 1300 votues. Kodi Zgjedhor e përcakton që nëse zgjedhjet shpallen të pavlefshme në një apo disa qendra votimi numri i zgjedhësve në këto qendra votimi është më i madh se diferenca mes kandidatit fitues dhe e kandidatit të dytë atëherë zgjedhjet shpallen të pavlefshme në të gjithë bashkinë. Në rastin konkret, Bardh Spahia e ka kaluar me një diferencë më të madhe.
Ndërkohë në vend të tjerë është renditur kandidati i Lulzim Bashës, me vetëm 7611 vota. Ajo që vihet re krahasuar me zgjedhjet e kaluara, PD ka pësuar një rënie me -28.64%, e ndërsa PS një rritje me 15.75%.
Lajmi kryesor:
PS fiton në 5 Bashki (Durrës, Vorë, Rrogozhinë, Lushnje, Dibër)! Berisha merr Shkodrën, Basha humbje historike, del forcë e tretë! Socialistët rritje krahasuar me 2021
//ReportTv.al