Përfundon epoka “Gjici” në klubin e Kukësit. Verilindorët kanë ndërruar pronësi, teksa tashmë të gjitha aksionet janë shitur. Sipas “Supersport”, blerësit e klubit verilindor janë dy persona, një shtetas i huaj nga Letonia dhe një shqiptar, identiteti i të cilëve nuk është zbuluar ende.
Marrëveshja për shitjen e aksioneve është arritur këtë të martë dhe tashmë klubi verilindor është gati të nisë një epokë të re, këtë herë pa familjen Gjici.
Pronarët e rinj kanë tashmë 100% të aksioneve, teksa zyrtarizimi i marrëveshjes së kalimit të pronësisë pritet të bëhet më 10 gusht.
Kujtojmë se Kukësi këtë sezon luan në Kategorinë e Parë, pas 12 sezonesh në elitën e futbollit shqiptar, aty ku mori pjesë edhe në Kupat e Evropës. Pas më shumë se 10 vitesh investimi, familja Gjici nuk është më pronare e klubit, kjo edhe pas arrestimit të ish-presidentit Safet Gjici, i dënuar me 2 vite burg.
Në më shumë se një dekadë sukses, Kukësi siguroi katër trofe në futbollin shqiptar. Titullin kampion në 2016-17, Superkupën e vendit në 2015-16 dhe dy herë Kupën e Shqipërisë, në sezonet 2015-16 dhe 2018-19.