Në historinë e tranzicionit shqiptar, një nga temat më të nxehta ka qenë ajo e patriotizmit. Shpesh, ajo është ulëritur në podiume politike, është përdorur si flamur elektoral, por rrallëherë është shndërruar në politikë shtetformuese. Sot, përballë sfidave të mëdha gjeopolitike dhe integrimit europian, është koha të bëjmë dallimin mes patriotizmit të fjalës dhe patriotizmit të veprës. Dhe në këtë dallim, historia i ka rezervuar secilit prej atyre qe e kane qeverisur kete vend vendin qe i takon.
Nga viti 1996 deri më 2000, Shqipëria u bë terren i hapur për kapitalin grek në sektorët më të ndjeshëm për sigurinë kombëtare – bankat dhe telekomunikacioni. Gjatë presidencës së Sali Berishës dhe mandateve të qeverive të Fatos Nanos, Pandeli Majkos dhe Ilir Metës, njëra pas tjetrës hynë Tirana Bank, National Bank of Greece, Alpha Bank, Emporiki Bank dhe më vonë COSMOTE në sektorin e telekomunikacionit.
Në atë periudhë, askush nuk foli për sigurinë kombëtare. Askush nuk pyeti se ç’do të thoshte të kishim paratë, të dhënat dhe komunikimet e shqiptarëve të kontrolluara nga një shtet tjetër. Patriotizmi i fjalës ishte i zhurmshëm, por prapa skenës, sovraniteti kombëtar po copëtohej pa mëshirë.
Nga viti 2018 deri më 2021, gjatë mandatit të kryeministrit Edi Rama, ndodhi një kthesë e heshtur, por historike. Kapitali grek u tërhoq nga Shqipëria – jo me panik ekonomik, por me një qasje të qartë dhe të menaxhuar. NBG u tërhoq në 2018, Piraeus Bank në 2019, Alpha Bank në 2021. Po ashtu, në 2019, OTE shiti Telekom Albania, duke shënuar fundin e pranisë greke në sektorin e komunikimeve.
Këto nuk janë thjesht transaksione tregu. Janë vendime që ndryshojnë arkitekturën e sigurisë kombëtare. Janë akte patriotizmi modern, që nuk bëhen me flamur në dorë, por me strategji në tavolinën e shtetit. Në vitin 2025, Shqipëria është më e sigurt, më e pavarur dhe më e përgatitur për integrimin në Bashkimin Europian, sepse në krye pati një shtetar që e kuptoi se sovraniteti nuk mbrohet me fjalë të mëdha, por me vendime të mëdha. Edi Rama nuk u mjaftua të thoshte “e dua Shqipërinë” – ai e tregoi këtë dashuri me vepra.
Ndryshe nga ai, Sali Berisha hyri në histori si lideri që e dorëzoi sovranitetin ekonomik dhe informacionin e shtetasve të tij në duart e një shteti tjetër, ndërkohë që në publik pozonte si “atdhetar”. Patriotizmi i tij ishte i zbrazët, retorik, dhe në fund, i rrezikshëm për interesat kombëtare.
Shqiptarët kanë përpara një zgjedhje historike. Më 11 maj, ata nuk votojnë vetëm për një qeveri të re. Ata votojnë për të zgjedhur mes dy vizioneve: Një Shqipëri që ruan sovranitetin në një Europë të bashkuar, që forcon shtetin, që mbron të dhënat dhe financat e qytetarëve të vet.
Apo një Shqipëri të kthyer në kohë, të drejtuar nga retorika bosh dhe nostalgjia e rreme për një “atdhetarizëm” që në fakt i ka sjellë vetëm dëm.
Në kohë të turbullta, patriotizmi i vërtetë nuk bërtet. Ai vendos. Ai vepron. Shqipëria nuk ka nevojë për zhurmë. Ka nevojë për guxim. Dhe këtë guxim, shqiptarët duhet ta shpërblejnë më 11 maj – me votë për një Shqipëri europiane, por krenare dhe e zonja në shtëpinë e vet.
Komente

Nje analize qe tregon realitetin , ju uroj suksese Donar ne punen tuaj .Nje popull i mençur duhet te tregoje me vote per te miren e brezave te ardhshem .Fitore Shqiperia 2030 .
Përgjigju