Elidon Skëndaj dhe Erion Alibej

Kronikë

DOSJA/ 250 kg kokainë drejt Anglisë, Hoxhosmani i mërzitur pas sekuestros: U shkatërrova, 1.5 mln euro dëm për 1 muaj! Alibej garantori: ‘Paninet’ 100% të sigurta

30 Korrik, 10:37| Përditesimi: 30 Korrik, 12:40

  • Share

TIRANË- Erion Alibej në bashkëpunim me biznesmenët Artur Hoxhosmani dhe Elidon Skëndaj bashkë me Ilir Lloshin kishin porositur 250 kg kokainë që përmes kanalit të La Manshit në Francë do ta kalonin për trafik në Britaninë e Madhe në prill 2020, por droga u sekuestrua. Për këtë dërgesë janë ndihmuar edhe nga persona të tjerë, të cilët deri më tani në dosjen e GJKKO për masat e sigurisë, dalin ende të paidentifikuar.

Nga kjo dërgesë, 30 kg kokainë ishin ‘pjesa’ e biznesmenit Artur Hoxhosmani, i cili në një komunikim në SkyECC me një prej anëtarëve të grupit, thotë se droga iu sekuestrua, ndërsa shfaqet i mërzitur edhe për dërgesa të tjera që kishin pasur të njëjtin fat. 1.5 mln euro, thotë Hoxhosmani, se ka humbur brenda një muaji për shkak të drogës që i është sekuestruar.

Artur Hoxhosmani: Dhe dje humba 30 copë, vëlla.

Anëtar i grupit i paidentifikuar: Ku i humbe?

Artur Hoxhosmani: Kamioni më doli në rrugë, për dreq motrës – të gjitha gjërat në Holandë ishin aty. 237 copë gjithsej. Vetëm unë humba 30 copë. Më ka shkatërruar. 1.5 milionë për një muaj.

Në bisedat më tej, Hoxhosmani flet me anëtarin e grupit për tu siguruar që droga po kalon e sigurt në kamionin e fshehur mes paletave të drurit, por aty kupton që kokaina i është sekuestruar. Hoxhosmani habitet për sekuestron, duke thënë se në lajme ende nuk ka dalë njoftimi.

“Se në lajme nuk ka dalë ende asgjë. Çfarë thua? Ka shoferi se kanë kap”, shkruan Hoxhosmani.

Sekuestro e kësaj sasie kokaine shkaktoi një përplasje mes Hoxhosmanit dhe biznesmenit në kërkim, Elidon Skëndaj, i njohur edhe me dy emra të tjerë si Devid Patrut dhe Devid Boraj. Skëndaj i kujton biznesmenit Hoxhosmani se kjo punë nuk ka siguri.

“Nuk erdha un te ty, erdhe ti te mu. Siguri në këtë punë s’ka. Kaq din me thënë unë. Dhe bën gabim që shkruan këto sms pa lidhje”, i thotë Skëndaj- Hoxhosmanit.

I penduari i drejtësisë, Erion Alibej ishte personi që garantonte kalimin e drogës përmes kamionit, fakt ky i konfirmuar nga një bisedë që ai bën në SkyECC me një prej anëtarëve të grupit, ende i paidentifikuar.

Në ngarkesë ndodhej e fshehur sasia prej 237 pako "panine", që Alibej i referohej kokainës, ndërsa anëtarit të grupit i dërgon foton e targës së kamionit që po transportonte kokainën dhe të shoferit rumun. Kushdo që dëshiron të marrë pjesën e tij, thotë Alibej, të shkojë në ambientet e doganës dhe ta tërheqë pasi e ka 100% të sigurt. Por, më pas lajmi mbërriti edhe tek Alibej për sekuestron.

“Kush i do paninet e veta vlla tiki ti marri në doganë, atje i ka 100%”, thotë Alibej.

Edhe Ilir Lloshi ka lexuar lajmin për sekuestron e drogës dhe një foto të artikullit që ka shkruar për kapjen e kokainës ia dërgon edhe një prej anëtarit të grupit, i cili është i paidentifikuar. Por, pavarësisht se i tregon atij se është mërzitur për sekuestron e kokainës, 15 kg prej të cilave ishin pjesa e tij, Ilir Lloshi thotë se nuk do të heqë dorë nga trafiku i drogës. “Jo, s’mërzitem se do punojmë fort”, i thotë Lloshi anëtarit të grupit.

Ishte hetimi që SPAK kishte nisur për grupin kriminal që kishte planifikuar atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja që çoi në zbulimin e grupit që mbushi me kokainë gjithë Europën. Emra të njohur të botës së krimit, si Palurent Dervishaj, i penduari Erion Alibej, por edhe biznesmenët Artur dhe Klevis Hoxhosmani, bosi i ‘Cincos’, Ermir Ndreaj, ishin pjesë e grupit me 16 anëtarë në total që trafikuan të paktën 6 ton kokainë, me vlerë tregu 411 milionë Euro.

Nga operacioni u sekuestruan 43,470 euro dhe 5,000 franga zvicerane, si dhe 3 makina, përfshirë një luksoze, Mercedes Benz AMG G63. U bllokua gjithashtu një skaf luksoz, prodhim i vitit 2025. Nga kontrollet u gjetën edhe 2 orë luksi, Rolex dhe Richard Mille, 16 celularë, 19 karta bankare ndërkombëtare dhe të dhëna llogarish të huaja bankare në Dubai, Gjermani, Itali dhe Panama. U sekuestrua gjithashtu një dron profesional, 8 hard disqe dhe pajisje të tjera elektronike të sofistikuara. Në shtëpinë e Artur Hoxhosmanit u gjetën 3 pistoleta pa leje.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Prokuroria, GJL e Dhoma Avokatisë kundër draftit të Kodit Penal, si iu duket?