Rreth 260 mijë euro i janë ofruar bashkëpunëtorit të SPAK-ut Luftar Reçi në këmbim të tërheqjes së dëshmisë për implikimin e Emiljano Shullazit në vrasjen me bombë të Vajdin Lamajt dhe mikut të tij Artan Arsi në vitin 2005. I indinjuar nga braktisja e ish shokëve në krime të rënda dhe për të dalë sa më parë nga burgu ku vuan dënimin për vrasjen e Maks Lalës, Luftar Reçi rrëfeu për SPAK në tetor-nëntor 2020 veprimtarinë kriminale që ka pasur me Lulzim Berishën dhe anëtarët e tjerë të bandës së tij, duke implikuar edhe Emiljano Shullazin.
Rrëfimi ka alarmuar dhe vënë në lëvizje Shullazin dhe persona të tjerë të implikuar nga Reçi. Për të korruptuar , Luftar Reçin, me qëllim për të ndryshuar dëshminë, janë aktivizuar Elton Goskova, i njohur si Reqi i Korçës, bashkë me Ervis Kosovën. Lëvizjet kanë nisur që në qershor të vitit 2021 deri në fillim të shtatorit. Reqi i Korçës ka hyrë në lidhje me Luftar Reçin përmes Luçiano Memos, duke i ofruar 260 mijë euro në këmbim të tërheqjes së dëshmisë që implikonte Shullazin.
Sipas dosjes penale që ka parë Report Tv, Luftar Reçi do të merre paraprakisht 40 mijë euro dhe 10 milionë lekë të vjetra, për të krijuar besim. Pasi të ndryshonte dëshminë, Reçi do të merrte edhe 210 mijë euro të tjera. Kjo lëvizje ka ardhur pas kërcënimeve me jetë dhe ofertave ndaj gruas së Luftar Reçit, Kristina Kosta, për të bindur bashkëshortin e saj të ndryshonte dëshminë. Kristina Kostës i kanë ofruar blerjen e një shtëpie dhe shlyerjen e kredive. Ajo është kërcënuar me zhdukje bashkë me fëmijët nëse tregonte dhe nuk bashkëpunonte.
Ndërkaq, pasi ka marrë ofertën prej 260 mijë euro, Luftar Reçi, me sa duket i zhgënjyer thellë nga ish shokët e tij të vjetër, ka vendosur të sinjalizojë SPAK. Prokurorët, për të fituar kohë për të kryer veprimet hetimore, e kanë instruktuar Luftar Reçin që të kërkonte dy javë kohë për t’u menduar për ofertën. Kjo përgjigje ka nervozuar të implikuari dhe njerëzit e tyre, pasi ata kërkonin që dëshmia të ndryshohej sa më shpejt për shkak të frikës së mbylljes së hetimeve nga SPAK dhe referimin e dosjes për gjykim në gjykatë.
Në këto rrethana, ka nisur të aplikohet plani B, që parashikonte eliminimin fizik të bashkëpunëtorit të SPAK-ut, Luftar Reçi në burg, me anë të helmimit të ushqimit. Edhe ky plan është zbuluar dhe ndjekur nga SPAK. Tashmë, të gjithë të implikuarit nga dëshmia e Luftar Reçit: Viktor Bajraktari (Imeraj), Emiljano Shullazi, Indrit Taullai, Lulzim Berisha, Plarent Dervishaj dhe Indrit Rusi do të përballen me akuza të rënda nga SPAK.
Pjesë nga rrëfimi i Luftar Reçit
“Reqi është person i njohur në qytetin e Korçës, i cili i ka kërkuar bashkëshortes time Kristina Kosta, që unë duhet ndryshoj dëshminë e dhënë për implikimin e shtetasit Emiljano Shullazi në vrasjen e Vajdin Lames dhe ata do më paguajnë një shumë parash ose në të kundërt do merreshin me familjen time. Në këtë rast Reqi nuk i ka thënë as Emiljano Peleshkos as Kristinës, shumën që do paguanin. Unë, në momentin e parë që më është ofruar ky kërcenim ju kam njoftuar ju për ngjarjen dhe për personat që ishin të implikuar në ketë ngjarje. Gjatë gjithë kësaj kohe Reqi me persona të ndryshëm me ka dërguar fjalë se si po vepron dhe a do na ndihmosh apo jo. Reqi, para rreth 2-3 javësh, më ka thënë me një person tjetër si ndërmjetës, i cili quhet Luciano Memo, a do bashkëpunosh me ne, duke më ofruar një shumë parash prej 10 milionë lekë të vjetra dhe 40.000 Euro si paradhënie për të krijuar besimin se do mi jepnin, edhe një pjesë tjetër pas ndryshimit të deklarimit nga ana ime. Pjesën tjetër prej 210.000 (dyqind e dhjetë) mijë Euro do mi jepnin pasi unë të kem dëshmuar publikisht me deklaratë se Emiljano Shullazi nuk ka qenë pjesë e grupit që ka vrarë shtetasin Vajdin Lame me bombë në ashensorin kur po ngjitej për në banesën e tij. Gjatë kësaj kohe Reqi (Gentian Goskova) me numër telefoni...ka kontaktuar me persona ndërmjetës me bashkëshorten time Kristina Kosta, por jo vetë drejtpërdrejt. Personi që ka kontaktuar me Kristinën është shtetasi Luçiano Memo, i cili ka qenë më parë polic në IEVP Drenovë”.