Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vijuar procesi gjyqësor ndaj ish-drejtueseve të Bashkisë Tiranë, Redi Molla, Mariglen Qato dhe Taulant Tusha për dosjen 5D. Një nga dëshmitarët të thirrur në këtë proces ishte ministri Arbjan Mazniku, i cili është thirrur në këtë proces si ish-nënkryetari i Bashkisë Tiranë dhe gjatë viteve 2019–2020 ka mbajtur edhe rolin e titullarit të autoritetit kontraktor.
“Më pyetën si tituallar i autoritetit kontraktor, dhashë shpjegime”, tha Maziku shkurt për gazetarët, pasi përfundoi marrjen në pyetje.
Ndërsa në sallën e gjyqit, Report Tv mëson se Mazniku ka dëshmuar për prokurorët se ka firmosur tenderat me autorizim të kryetarit Erion Veliaj për autoritetin kontraktor, Bashkia Tiranë, siç ndodhte në procese të ndryshme si ish-nënkryetar. Ai deklaroi se përgjegjësia e tij ishte kryesisht formale, duke nënshkruar procedurat e tenderimit që kalonin nga strukturat përkatëse.
“Në vitin 2019-2020 kam qenë nënkryetar i bashksië Tiranë. Kam qenen i autorizuar nga kryetari për Autoritetin Kontraktor. Unë firmosja hallka të ndryshme të procesit. Sa i takon tenderit të ndërtimit të pedonales dhe korsisë së biçikletave nuk e kujtoj me saktësi. Unë thjesht e certifikoja si proces. Miratimi është certifikimi i faktit tek veprimet që vinin nga fusha e inxhinierisë apo juridike”, dëshmoi Mazniku.
Në vijim të dëshmisë, Mazniku foli edhe për marrëdhëniet që ka pasur me ish-drejtuesit e bashkisë të përfshira në proces.
“Me Qaton, Molla dhe Tushe i njoh dhe kam pasur mardhenie shume te mira me to. Nestorin Muhametllarin nuk e njoh. Gjate kohës që kam qenë më detyre kam pasur kontakte me Mollen dhe Qaton. Nuk kam pasur dijeni nëse Qato dhe Molla të kenë pasur interesa financiare te kompania 5D. Ka edhe projekte qe kanë zgjatur edhe me vite të gjatë pasi ka pasur probleme me shpronësime. Gjatë ushtrimit të detyrës nuk kam pasur asnjë ndërhyrje për tenderë”, tha Mazniku.
Mazniku nënvizoi gjithashtu se disa projekte të Bashkisë janë zgjatur për vite me radhë për shkak të problemeve me shpronësime, ndërsa mohoi kategorikisht çdo ndikim apo presion në procedurat e tenderimit.
Ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë u arrestuan në muajin mars të vitit 2024 me urdhër të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, në kuadër të hetimeve për dosjen “5D”. Sipas SPAK, Qato dhe Molla janë pronarë de facto të kompanisë “5D”, e cila sipas hetimeve ka rezultuar fituese në disa tendera pranë bashkisë. Bëhet fjalë për 11 procedura tenderimi në harkun kohorë të 6 viteve, nga 2016 deri në 2022. Kompania njihet dhe me dy emra të ndryshëm “Igor Electric” dhe “Vas construcion”.
Komente
