Gjykata e Posaçme

Kronikë

Dosja ‘5D’/ GJKKO kalon për proces fraksionin e dytë, të pandehur 9 anëtarët e Komisionit të Ofertave në Bashkinë e Tiranës! Pranohet gjykimi i shkurtuar, ja për çfarë akuzohen (EMRAT)

18 Mars, 14:02| Përditesimi: 18 Mars, 14:15

  • Share

Tiranë- Gjykata e Posaçme ka kaluar për gjykim fraksionin e dytë të dosjes “5D”, teksa në të parin ndodhen ish-drejtorët e pandehur të Bashkisë Tiranë.

Në këtë fashikull nën akuzë janë ish-anëtarët e Komisionit të Ofertave, zyrtarët;

Eglantina Zëre, Deborah Keçi, Teuta Guri, Jetjon Mera, Reinaldo Gjerazi, Enekleida Qyta, Bruno Koçi, Riviola Baxha dhe Kristo Zhulati.

Të gjithë të pandehurit kanë kërkuar gjykim të shkurtuar, kërkesë e cila është pranuar nga togat e zeza.

Sipas SPAK, është provuar se anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, nuk kanë ushtruar në përputhje me ligjin detyrën e tyre për vlerësimin dhe klasifikimin e ofertave, por kanë vlerësuar dhe klasifikuar në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik bashkimin e operatorëve ekonomikë “V.A.S Konstruksion” sh.p.k dhe “Rroku Guest”, të cilët kanë qenë të paracaktuar për t'u shpallur fitues nga e pandehura Eglantina Zëre, ku përfitues të tenderave ishin drejtorët e bashkisë, njëherësh pronarë faktikë të kompanisë “5D”.

SPAK përfundoi hetimet paraprake më 8 janar të këtij viti për fraksionin e dytë të dosjes ‘5D’, duke marrë të pandehur 9 zyrtarë të bashkisë së Tiranës të akuzuar për  “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryer në bashkëpunim.

Dosja, shkon në gjykatë, dy javë pasi SPAK dërgoi për gjyq në seancë paraprake, fraksionin e parë të dosjes 5D, ku janë të pandehur ish drejtorët e Bashkisë së Tiranës, Mariglen Qato dhe Redi Molla nën akuzë për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A e keni vendosur se për kë do të votoni më 11 maj?