Tiranë - Gjykata e Posaçme i ka rrëzuar kërkesën ish-drejtorit të bashkisë së Tiranës Redi Molla - ku ky i fundit ka kërkuar t’i ndryshohet masa e sigurisë nga burg në arrest shtëpie.
Dosja ndaj Mollës ndodhet në fazën e gjykimit ku Prokuroria po pyet dëshmitarët mbi skemën e korrupsionit 5D.
Ndaj Redi Mollës rëndon akuza e korrupsionit, pastrim parash dhe mosdeklarim i parave.
Në këtë proces ndodhen edhe dy ish-drejtorët Mariglen Qato dhe Taulant Tushe së bashku me administrator dhe punonjës të kompanisë 5D.
Më 17 qershor GJKKO dha 4 vite burg gjithsej për 5 të pandehur për një prej fraksioneve të dosjes ‘5D’, që nisi si hetim ndaj 3 ish-drejtorëve të bashkisë së Tiranës.
Në fraksionin për shkelje në tendera për rastin “Tirana Parking”, u dënua me 1 vit burg Eglantina Zere, e cila paracaktoi fatin e procesit tenderues.
Zere, në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor “Tirana Parking” në bashkëpunim, Enkelejda Qyta, Bruno Koçi, Rivjola Baxha dhe Kristo Zhulati, anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, kanë avantazhuar 5D për rikonstruksionin e sheshit të parkimit te Selman Stermasi në tetor 2019.
Komente
