Në një intervistë në emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’ me gazetarin Nertil Agalliu, Dyrnjaja thotë se më shumë se gjysma e qeverisë është në hetim për procedurat e bëra në 10 vite qeverisje. Ai thotë se nëse SPAK do tregohet profesional dhe jo emotiv, do kemi një tronditje të klasës politike shqiptare.
“Në dijeninë time më shumë se gjysma e qeverisë janë nën hetim, pasi kanë marrë vendime sepse janë 10 vite qeverisje dhe në këtë kohë kanë ndodhur privatizime dhe prokurime nga më të ndryshmet. Në qoftë se SPAK do të tregohet profesional, jo emotiv dhe jo selektiv do të kemi vërtetë një tronditje të klasës politike shqiptare dhe kjo është e nevojshme. Drejtësia nuk ka as radhë as kohë dhe as numra, drejtësia ka fakte. Nëse do të ketë prova dhe fakte çdo gjë do të jetë korrekte”, u shpreh Dyrnjaja.
Ai komentoi edhe reagimin e Kryeministrit Edi Rama për Ahmetajn, duke e konsideruar si një reagim të paprecedentë, që kishte si qëllim shfokusimin e përgjegjësisë së tij politike.
“Reagimi i kryeministrit është reagim i paprecedentë, jo për keq por se ka gjetur një formë shumë sepse ka penetruar në një hapësirë bosh ku thotë se unë e bëra reformë në drejtësi dhe ja ku i keni rezultatet dhe mos prisni nga unë të dal dhe të mbroj këta që po dalin me faj. Ndërkohë duke vënën në fokus rezultatet e reformës në drejtësi dhe ngjarjeve që po ndodhin shmang përgjegjësinë politike”, tha ai.
Sipas gazetarit Dyrnjaja Ahmetaj përmes postimit të tij në Facebook, po përpiqet të tregojë se nuk është fajtori i vetëm në këtë çështje.
“Arben Ahmetaj po i thotë të gjithë njerëzve që nuk është koka e turkut sepse nuk mund të bëhet viktimë për të gjithë dhe se ka shumë të tjerë para tij edhe më të rëndësishëm që janë fajtorë.”
Sa i takon lëvizjeve në policinë e shtetit dhe emërimin e Taulant Ballës në krye, si Ministër të Brendshëm, Dyrnjaja tha se mbetët për tu parë nëse Balla do të fokusohet në luftën kundër krimit apo do të qëndrojë në anë të tyre.
“Policia si organizatë është shumë e vështirë të menaxhohet me këtë realitet që ne kemi sot faktik në shoqërinë shqiptare, pasi territorin e kontrollon ose krimi ose policia sipas logjikës por kam frikë se krimi dhe policia janë bashkë dhe kontrollojnë bashkë territorin. Për pasojë ministri ose ministrat kanë qenë persona që ose kanë qenë palë me organizatën ose kanë qenë asnjanës siç ishte Bledi Çuçi ose do jesh një ministër që do krijojë një bërthamë brenda policisë dhe do fillojë të zgjerojë rrethin deri sa të pastrohet e gjithë struktura e policisë”, u shpreh Dyrnjaja.