TIRANË- Gjykata e Lartë nuk ka pranuar rekursin e ish-deputetit Ervin Salianji, kundër dënimit me 1 vit burg nga Gjykata e Apelit të Përgjithshëm për çështjen “Babale’.
Ish-deputeti demokrat kishte kërkuar pafajësi dhe prishjen e vendimit të Apelit që e dënoi me 1 vit burg për kallëzim të rremë. Kështu, me mospranimin e rekursit, Salianji mbetet në fuqi vendimit i Apelit dhe Salianji do të vijojë vuajtjen e dënimit. E njëjta kërkesë ishte bërë edhe gazetari Jetmir Olldashi, por edhe ky rekurs nuk u pranua.
Në një reagim nga burgu i Fierit, postuar në rrjete sociale, Salianji tha se ky vendim është kërkuar nga kryeministri Rama, dhe se ky dënim politik siç ai theksoi bëhet për të më eliminuar nga beteja politike. Ish-deputeti paralajmëron se do e ndjekë çështjen e tij në Gjykatë Kushtetuese, e deri në Strasburg.
"Nuk jam i habitur nga vendimi i Gjykatës së Lartë. Lënia në fuqi e një ndëshkimi të nxitur, kërkuar dhe stisur nga Edi Rama e draftuar prej tij, e lajmëruar prej tij në Parlament, mbrojtur me zjarr prej tij, është rruga e shkurtër dhe komode që Gjykata e Lartë zgjodhi sot. Nuk kanë etikë profesionale dhe as guximin minimal që të japin drejtësi e të hyjnë në konflikt me Edi Ramën.
Kjo është një vijë sjellje. Nëse Gjykata e Lartë do të ishte garanci për të drejtën, do të ishte garanci për proces juridik të rregullt e të ligjshëm, as gjykatat më poshtë s'do të guxonin të firmosinin farsat që firmosen. Dënimi im politik bëhet për të më eleminuar nga beteja politike!
Ne çdo përballje e kam mundur Edi Ramën dhe shpurën e tij. Më e fundit në Kavajë në fitoren e bashkisë, e kudo tjetër. Denimi im politik është kërcënim i hapur për cilindo që lufton krimin, korrupsionin dhe mafien e veshur me pushtet.
Dënimi im politik është një mbështetje e hapur ndaj mafies dhe trafikantëve ndërkombëtarë. Koha e zgjedhur për të dhënë vendimin një ditë para shpalljes së listave është po ashtu një mesazh kërcënimi për këdo guxon e flet të vërtetat! Në këto kohë parade turpi, kohë aferash të renda financiare, unë jam me zero korrupsion, zero akuzë për asnjë qindarkë. Ndaj, burgosja për denoncimin, për fjalen, është një medalje.
Jam krenar për betejat e mia në interes të njerëzve. Kam zgjedhur që në fillim luftën e pakompromis dhe qytetarët më kanë mbështetur për këtë. Gjykimet ndaj meje do hyjnë në turpet historike, të kauzave gjyqësore si rast i përdorimit të drejtësisë për hakmarrje personale nga Rama e Xhafaj.
E nisën duke paguar dëshmitarë të sajuar, u kapen në përgjime drejtorët e policisë duke paguar dëshmitarin e sajuar, manipuluan në gjykata duke caktuar gjyqtar si fillim ushtarin e Aldo Bares, me pas me kunatën e Belinda Ballukut dhe ish përfaqësuesin e PS në KQZ dhe sot duke manipuluar shortin në Gjykatë të Lartë, zëvendësuan trupën gjyqësore e lanë për të më gjykuar ish-ministrin e drejtësisë së Partisë Socialiste dhe një komunist, birin e ish-drejtorit të dëbim internimeve dhe ish-sekretar të parë!
Nuk janë këto institucionet që meritojmë, nuk janë shtet i së drejtës dhe as sundim i ligjit. Për cilindo që shqetësohet i them ta marrë paradhënie dhe zvarritjen dhe vendimin kundër në Gjykatë Kushtetuese, dhe më pas do shohim se si do jetë e drejta në Strasburg.
Unë do të luftoj e do ta kërkoj të drejtën deri në fund. Shqipëria do të jetë një vend më i mirë kur të ketë drejtësi, kur Gjykatat do të kenë kurajon të japin drejtësi edhe kur kjo nuk i pëlqen autokratit. Ky vend i mirë mund të duket utopi, por nuk është e largët dita ku dhe për drejtësinë fjalën e madhe do ta kenë qytetarët.
Pavarësisht se nga izolimi së bashku do të luftojmë për një Shqipëri të denjë e normale ku sundon ligji! Personalisht zgjedh betejën dhe jo qurravitjet! Nderin dhe respektin e qytetarëve e kam fituar unë, turpin dhe neverinë e hanë me korrupsionin e përditshëm “të burgosurit” e autokratit, që nuk kanë as ndërgjegje dhe as guxim të shkojnë as në tualet pa lejen e tij", shkruan Salianji.
Më 15 Tetor 2024, Gjykata e Lartë rrëzoi kërkesën e parë të ish-deputetit demokrat Ervin Salianji për pezullimin e dënimit me burg. Tre gjyqtarët Sokol Binaj, Sandër Simoni dhe Ilir Panda, refuzuan lirimin e Salianjit, që prej më shumë se 4 muajsh po vuan dënimin me 1 vit burg, dhënë nga Gjykata e Apelit me Juridiksion të Përgjthshëm. Sot (11 mars) ishte rrëzimi i dytë i tij nga kjo gjykatë.
Ervin Salianji u dënua nga Gjykata e Apelit për kallëzim të rremë, pasi në 2018-ën publikoi materiale të prezantuara si audio-përgjime, përmes së cilave pretendonte se vëllai i ministrit të Brendshëm atë kohe, Fatmir Xhafaj, ishte i përfshirë në trafikun e drogës. Por, nga hetimet e rezultoi se e gjitha ishte një material i montuar, dhe biseda me dëshmitarët e rremë ishte e tëra e simuluar për të ngarkuar vëllain e ish-ministrit.
Ish-deputeti i PD Ervin Salianji arrestua më 27 shtator 2024, një ditë pasi trupa gjykuese e gjykatës së Apelit me një votim unanim lanë më 26 shtator në fuqi vendimin e Gjykatës së Tiranës, të 18 dhjetorit 2019, e cila shpallte fajtor Salianjin për ‘kallëzim të rremë’ lidhur me për audio-përgjimin e dosjes Babale dhe e kishte dënuar me 1 vit burg.
Komente
