Dosja 'Babale'/ Bardhi: Video ishte e gazetarit! Hajdarmataj zbulon: Albert Veliun e kam takuar edhe unë

4 Shtator 2019, 12:13| Përditesimi: 4 Shtator 2019, 21:20

  • Share

TIRANË- Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi, prokurori i Krimeve të Rënda Besim Hajdarmataj dhe gazetari Ylli Rakipi janë paraqitur ditën e sotme në Gjykatën e Tiranës për dëshmuar lidhur me dosjen Babale.

Bardhi ishte paralajmëruar më herët se do të merrej me forcë nëse nuk do të paraqitej për të dëshmuar. Ai ka deklaruar para prokurorit Genci Qana se përgjimi i publikuar ka qenë një investigim gazetaresk.

Prokurori Besim Hajdarmataj u shpreh se e ka takuar Babalen në tetor dhe nëntor 2017. Ai deklaroi se Babale i ka thënë se ka dijeni se disa persona do bëjnë trafik droge ndër të cilët edhe punonjës policie mes të cilëve edhe vëllai i Fatmir Xhafës. 

Ndërsa gazetari Ylli Rakipi është shprehur se ka pasur dijeni për këtë informacion investigues që akuzon vëllain e Fatmir Xhafës, Agron Xhafa. Ai ka rrëfyer se kur ka parë që materiali ka qenë në audio dhe jo në video ndaj ka refuzuar ta transmetojë, duke hedhur kështu dyshime ndaj vërtetësisë së saj. 

Në seancë mungonte personazhi kryesor Albert Veliu i cili ndodhet ne Belgjikë ku ka kërkuar azil. Ai është vënë në hetim nga autoritet shqiptare pasi dyshohet se krijuan përgjimin e rremë ku përfshihej vëllai i ish-ministrit Xhafaj. Për këtë "audiopërgjim" në burg qëndron Fredi Alizoti ndërsa në gjendje të lirë hetohet gazetari Jetmir Olldashi.
Fillimisht kjo dosje u hetua nga Krimet e Rënda ndërsa më pas u transferua tek Gjykata e Tiranës.

**Raporton Gazetari i Report Tv Arsen Rusta**

Ora 14:38
Gazment Bardhi shmang shoqërimin me forcë për dosjen Babale! Shkon në gjykatë për të dëshmuar

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi është paraqitur në Gjykatë për të dëshmuar lidhur me dosjen 'Babale', duke shmangur shoqërimin me forcë. Ky urdhër i lëshuar nga Gjykata e Tiranës një muaj më parë ishte kërkuar nga Prokuroria pasi Bardhi ka hezituar të paraqitet në këtë institucion edhe pse është thirrur dy herë për të dëshmuar.

Pas daljes nga seanca Bardhi u shpreh se procesi për çështjen 'Babale' është montuar politikisht ndaj denoncuesve të opozitës.

"Për shkak se kjo çështje u bë mediatike dhe unë mora njoftim nga mediat se duhet të vija në gjykatë. Zotëria pretendoi se jemi takuar rastësisht. Unë mendoj që çdo denoncim që ka bërë PD për vëllanë e Fatmir Xhafës vijon sot e kësaj dite. Ka pasur një çështje te regjistruar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Sot nuk ka asnjë rezultat për këtë hetim. Ky proces është një proces i montuar politikisht ndaj denoncuesve të opozitës. Në thelb të punës së prokurorisë është garantimi i pandëshkueshmërisë së vëllait të Fatmir Xhafës", thotë Bardhi.

Pjesë nga diskutimi në seancë

Prokurori Genci Qana: Videon "Babale" si e siguruat?

Gazmend Bardhi: Nuk është video por audio-përgjim. Si çdo denoncim që vjen në PD, ka qenë investigim gazetaresk. Për shkak të rrezikshmërisë që kishte Agron Xhafa, gazetari nuk e publikoi dot dhe ja dha PD-së. PD bëri verifikimet e veta, ku Xhafa ishte dënuar për trafik droge dhe kishte shmangur drejtësinë italiane. Agron Geron Xhafa u vetëdorëzua për të vuajtur dënimin. Po të kishte prokuror të pavarur Xhafaj duhej dënuar edhe për trafik narkotike të cilën e vijonte.

Nuk kemi detyrim të bëjmë ekspertiza shkencore e teknike. Na ka rezultuar se Agron Xhafa ishte përfshirë në trafik droge dhe bëmë publikimin e investigimit gazetaresk.

Prokurori Genci Qana: Juve si dëshmitar kush ja u dha materialin?

Bardhi: Materialin sëbashku me dy kolegët e bëmë publikimin në konferencë për shtyp. Aspektet teknike nuk janë profesioni im.

Qana: Ju pyeta kush e siguroi i pari? E kishe parë më parë materialin?

Bardhi: Kisha ndjekur përfshirjen e Xhafës në trafik droge. Investigimi është bërë nga gazetari, ka autorësi publike. Nuk di detaje teknike kush e dorëzoi materialin në PD. Prokuroria nuk ka kryer asnjë hetim ndaj Xhafës as për pasurinë dhe as për trafik droge

Avokati i Ervin Salianjit, Ledio Braho: Jeni në dijeni të ndonjë komploti të organizuar e drejtuar nga Salianji ndaj Fatmir Xhafës e vëllait të tij.

Gazmend Bardhi: As Salianji dhe askush në PD nuk organizon komplote.

Detyra jonë është të mbrojmë interesin publik. Jemi bërë zëdhënës të interesit publik. Geron Xhafa gëzonte mbrojtje të posaçme nga shteti dhe ne e denoncuam. Kush e konsideron komplot bëhet avokat i krimit të organizuar dhe trafikantëve.

Arben Prenga, avokati Geron Xhafës: Kur u njohët me audio përgjimin? Në momentin kur e publikuat apo edhe para se ta publikonit.

Bardhi: Përpara se të dalim në konferencë njihemi me përmbajtjen e materialit. Përpara se ta nxirrnim në konferencë jemi njohur me denoncimin që do të publikonim.

Prenga: Të njëjtat mjete përdorët me ato që kishit në konferencë?

Gazmend Bardhi: E kemi marrë me një USB, e vumë në televizion.

Prenga: Thatë që keni investiguar për të shkuarën e Xhafës. Çfarë dini ju për të?

Bardhi: Ka qenë i dënuar për trafik narkotikësh dhe grupe kriminale. Në 2012 vendimi kish marrë formë të prerë. Në 2013 erdhi Fatmir Xhafa në pushtet dhe Geron apo Agron Xhafa i shpëtoi vuajtjes së dënimit. Fatmir Xhafa e mohoi dënimin por te nesërmen e videos e dorëzoi.

Prenga: Keni qene ndonjëherë ministër?

Bardhi: Po në maj - shtator 2017. Kur u publikua materiali nuk kam qenë në post. Aktet procedurale që lidhen me ekzekutimet e vendimeve të huaja kalojnë nga Ministria e Drejtësisë. Gjatë maj-shtator 2017 nuk ka patur një kërkesë për ekzekutimim e këtij vendimi. Ju garantoj se jo për Agronin e Geronin por edhe për vëllain apo motrën time do e kisha ekzekutuar vendimin dhe do e kisha firmosur për 1 minutë. Kur unë isha ministër kjo kërkesë për ekzekutimin e dënimit të Xhafes nuk ka ardhur sa une isha ministër.

Fatmir Xhafa ishte ministër e kontrollonte Interpolin dhe ai duhet ta kishte njoftuar Ministrinë e Drejtësisë.

Prokurori Genci Qana: Si dolët tre deputet. U zgjodhët rastësisht apo? Njëri prej jush është i pandehur. U mor kush me këtë punë apo cfarë roli ka pasur Salianji?

Bardhi: Në dijenin time as Salianji as Alibeaj nuk janë gazetar. Investigimi ka qenë gazetaresk, asnjë nga ne nuk ka bërë investigim gazetaresk.

Prokurori Kole Hysenaj: Z.Bardhi e njihni shtetasin Albert Veliu?

Bardhi: Ne nuk kemi bërë shfaqje por kemi bërë denoncim publik. Shfaqjet janë në teatër. I jam përgjigjur edhe më parë. Albert Veliun nuk e njoh. E kam takuar ditën kur ne bëmë denoncimin. Në darkë ai erdhi tek PD bashkë me familjen për të kërkuar mbrojtje. Alizotin nuk e kam takuar kurrë.

Ndërhyn Fredi Alizoti: Bardhi jemi takuar, kemi pirë dhe kafe përse gënjen. Të hapen kamerat

Bardhi: Nëse ky është Alizoti nuk e njoh e nuk e kam takuar kurrë. Selia e PD ka kamera dhe mund t'i verifikoni

Ora 14:34
Babalja/ Ylli Rakipi: Për akuzat ndaj Agron Xhafës nuk kishte video vetëm audio

1540235624_Screenshot1.jpg

Lidhur me çështjen 'Babale' është thirrur për të dëshmuar edhe gazetari Ylli Rakipi. Ai është shprehur se ka pasur dijeni për këtë informacion investigues që akuzon vëllain e Fatmir Xhafës, Agron Xhafa. Ai ka rrëfyer se kur ka parë që materiali ka qenë në audio dhe jo në video ndaj ka refuzuar ta transmetojë, duke hedhur kështu dyshime ndaj vërtetësisë së saj.

Prokurori Genc Qana: E njihni Jetmir Olldashin?

Ylli Rakipi: E kam njohur dhe ka qenë gazetar investigativ i imi tek të "Pa ekspozuarit".

Qana: Keni patur dijeni për një çështje në Vlorë që lidhej me drogën.

Ylli Rakipi: Ka dorëzuar të dhëna pranë televizionit për një investigim. Unë i kam dhënë miratimin. Premtimi ka qenë se në adresë të emisionit do të sillte një video ku do tregonte se shitej droga 'canabisi'.

Qana: Kur erdhi nga Vlora çfarë materiali të solli?

Rakipi: Më tha kam një audio, më erdhi keq që nuk kishte video. Pretendoja një video ku të dukej Geron Xhafa që merrej me drogë, por kjo nuk u soll nga gazetari.

Rakipi: S'ja pranova materialin pasi s'ishte siç diskutuam.

Qana: Keni diskutuar më pas kësaj me Olldashin?

Rakipi: Për këtë jo fare s'më ka rënë rasti.

Ledio Braho: E kujtoni kur ka ndodhur ky diskutim me Olldashin?

Rakipi: Jo se kujtoj fare. Nganjëherë s'kujtoj edhe datëlindjen e fëmijëve.

Rakipi: Olldashi me rikërkoi të shkonte në Vorë, por s'kishim mundësi ekonomike dhe unë se miratova.

Rakipi: Sot kam kërkesa nga 6 Tv sepse Tv ku isha ka thirrur dikë. Do jem në njërin prej tyre.

Ora 14:31
Dosja Babale/ Prokurori Hajdarmataj: Si e takova Alfred Veliun dhe pse thirra SHISH-in


Ditën e sotme është thirrur për të dëshmuar edhe prokurori Besim Hajdarmataj. Gjatë fjalës së tij Hajdarmataj deklaroi se e ka takuar Babalen në tetor dhe nëntor 2017. Ai është shprehur se Babale i ka thënë se ka dijeni se disa persona do bëjnë trafik droge ndër të cilët edhe punonjës policie mes të cilëve edhe vëllai i Fatmir Xhafës. 

Prokurori Besim Hajdarmataj ka rrëfyer në seancën e sotme në procesin “Babalja”, njohjen e tij me të ashtuquajturin ‘Dëshmitari X’ ose ndryshe Alfred Veliu. Ai ka thënë se e ka pritur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe ka pasur vetëm një takim me të e më pas ka lajmëruar Shërbimin Informativ.

"E pyeta pak për personalitetin e tij, më ka treguar se kishte qenë i dënuar për trafik droge jashtë vendit. I ndodhur para kësaj situate kam shkëputur bisedën pasi kishte të bënte me punonjës policie dhe flitej e për vëllain e ministrit të Brendshëm dhe kërkova takim me drejtorin e shërbimit informativ shtetëror. Se kujtoj kur e takova drejtorin e SHISH. Babales i thamë se do vish edhe njëherë në mëngjes. Të nesërmen në zyrën time erdhi një nga drejtorët e SHISH ta merrnin ata si rast ta trajtonin si informator. Kujtoj se jam interesuar dhe pyeta çfarë po bëhej. Drejtuesi i SHISH më tha s'kemi diçka konkrete. Dua të sqaroj se takimin e kërkovame praninë e SHISH pasi Babale tha se kishte të përfshirë punonjës policie. Këtë informacion vendosa ta ndaj vetëm me SHISH. Përgjatë 2016-2017 vetëm SHISH na njoftonte për përfshirje të policisë në trafik e kultivim droge", tha Hajdarmataj.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?