Ervin Salianji, Fredi Alizoti dhe Albert Veliu

Dosja Babale/Gjykata kthen për plotësim të Hetimeve çështjen! Kërkohet ballafaqimi i Hajdarmataj me dy agjentët e SHISH

4 Shtator 2020, 19:46| Përditesimi: 4 Shtator 2020, 20:27

  • Share

TIRANË- Gjykata e Tiranës ka vendosur të kthejë për plotësim të hetimeve dosjen penale që bën fjalë për “Shpërdorimin e detyrës”, për disa zyrtarë të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Vendimi është marrë ditën e sotme nga gjykata, duke urdhëruar prokurorin Armand Gurakuqi, që të tërheqë dosjen dhe plotësojë detyrat hetimore që ka caktuar trupi gjykues. Por me shumë gjasa ky vendim pritet të apelohet në Gjykatën e Apelit Tiranë. Një ndër veprimet hetimore që mësohet se ka kërkuar gjykata ndaj prokurorisë është ballafaqimi i ish-drejtuesit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda Besim Hajdarmataj me dy drejtues të Shërbimit Informativ Shtetëror. Kërkesa për pushimin e hetimeve ndaj tre funksionarëve të lartë të hetimit, që ishin njerëzit e pare, të cilët patën kontakt me Albert Veliun ose “Babalen” e Vlorës, është depozituar në gjykatën e Tiranës në fillim të muajit Qershor 2020.

Sipas dosjes hetimore prokurori Hajdarmataj dhe dy oficerët e SHISH, kanë qenë njerëzit që patën kontaktin e parë me “Babalen” e Vlorës, ku nga ky i fundit, u vunë në dijeni se Geron ose Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm të asaj kohe Fatmir Xhafaj, drejtonte një grup kriminal në qytetin e Vlorës, ku aktiviteti i tij ishte trafiku i drogës nga Shqipëria në drejtim të Italisë. Veprimet e prokurorit Hajdarmataj dhe dy oficerëve të SHISH,cilësohet si të ligjshme nga prokuroria e Tiranës, pasi siç thotë akuza: “…me të drejtë si prokurori dhe dy oficerët kanë dashur të mësojmë mbi të vërtetën e informacioneve që u kishte dhënë Albert Veliu, dhe më pas të fillonin ndjekjen penale për individët e dyshuar si të implikuar në trafikun e drogës, duke regjistruar procedim penal. Në fakt procedim nuk është hapur asnjëherë nga Krimet e Rënda, por “Babale” i autorizuar dhe nga agjentët e SHISH, ka kryer veprime operative, me qëllim sigurimin e “provave” për të mbërthyer Agron Xhafaj.

Për këto veprime stimuluese dhe të autorizuara nga SHISH e miratimin e Besim Hajdarmataj, pa nisur më parë një procedim penal, duket se janë bërë shkak për rikthimin e dosjes për plotësim të hetimeve. Ndaj dhe gjykata ka kërkuar që gjatë kësaj faze prokuroria të kryejë ballafaqimin e Drejtuesve të SHISH dhe ish-drejtuesit të Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj. Kujtojmë këtu që procedim penale për këtë çështje prokuroria e Krimeve të Rënda regjistroi vetëm atëherë pasi Albert Veliu, u shfaq në një video nga selia e PD, duke denoncuar Agron Xhafaj, vëllanë e ish-ministrit të Brendshëm se drejtonte një grup kriminal në trafikun e drogës nga Vlora në drejtim të Italisë. Më tej në vendimin e pushimit të hetimeve prokuroria thotë se:”...nuk është konsumuar asnjë nga elementët e figurës së veprës penale “Shpërdorim detyre”.

Qëndrimet e dy institucioneve janë kryer në përputhje me ligjin dhe nuk kanë shkaktuar asnjë prej pasojave të parashikuara nga vepra penale e “Shpërdorimit të detyrës...”. Më tej prokuroria jep të njëjtin pretendim për sa i përket hetimit për implikimin e punonjësve të policisë në aspektin e dhënies ndihmë Albert Veliut, për të kaluar kufirin dhe dalë nga territori Shqiptar. ”...nga tërësia e akteve penale nuk rezulton asnjë e dhënë që punonjës policie të kenë ndihmuar Albert Veliun për të kaluar kufirin shtetëror në mënyrë të paligjshme, duke hyrë në territorin e Kosovës...”-thotë prokuroria. Për inskenimin e skandalit “Babale”, Ervin Salianji, ish-deputet i Partisë Demokratike është dënuar me një vit burg nga Gjykata e Tiranës për akuzën e “Kallëzimit të rremë”. Gjithashtu gjykata vendosi të dënojë me 3 vite e 6 muaj burg Albert Veliun, personin kryesor në audio-përgjimin e bërë publik nga Partia Demokratike. Momentalisht Veliu ka marrë azil politik në Belgjikë. Me dy vite burg u dënua Fredi Alizoti person i cili sipas prokurorisë ka bërë zërin e Agron Xhafajt, në audio-përgjimin  e PD. Më 6 muaj burg u dënua gazetari Jetmir Olldashi, dënim të cilin gjyqtari Artan Gjermeni vendosi t’ia konvertojë në 100 orë punë në shërbim të publikut.

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?